Monday, 12 December 2022

Rikthim në Misisaga

 

Misisaga, ky emër lëkurkuqësh (nuk dua të përdor cilësorin indian për vendasit e Kanadasë), është një lloj vendi i dytë i origjinës për mua. Tek ky qytet prej thuajse 800 mijë banorësh është aeroporti i Torontos, ku ulen për të parën herë shumë emigrantë të  rinj. Edhe ne u ulëm dhe u “ngulëm” këtu.Kur më pyesin se nga ç’vend i Kanadasë jam, më vjen të them nga Misisaga.

Kur vizitoj Toronton, kthehem në Misisaga për të parë vendet që lidhen me fillimet në Kontinentin e Ri. Zyrën e parë, sallën e parë të bilardos, shkollën e parë të fëmijëve, apartamentin e parë, dyqanin ku blemë mobiljet, stacionin qëndror të autobuzëve urbanë dhe plot vende të tjera, që lidhen me kujtimet e dy tre vjetëve të parë. Vite të çuditshme dhe plot ngjarje. Kam pasur edhe më parë të tilla prirje nostalgjike dhe nuk kanë të bëjnë me moshën.

Këtë rradhë shkoja përgjatë të njohurës 401, duke ndjekur Shahinin e Parë, që nget një BMV. E kuptoj që është Shahin dhe që është i Pari mes gjithë Shahinëve se në targën e tij shkruhet SHAHEEN1. Në këtë kontinent mund të bësh targa, që i quajnë të personalizuara, po të paguash ca dollarë më shumë. Më pat shkuar edhe mua në mendje kur mora makinën e parë, por më pas m’u duk një lloj marrëzie fëminore të vërtitesha rrugëve të Ontarios me targa KORCA. Mendova se askujt nuk do i bëhej vonë, veç ndonjë shqiptari që do theshte “Ja dhe ky hajvani qënka nga Korça!”

Shahini i Parë kthehet në Dixon dhe unë vazhdoj rrugën për të arritur në daljen Dixie, që është një nga rrugët më të rëndësishme të fillimeve tona në Kanada. Përgjatë saj ndodhej “molli” ku shkonim shpesh vitet e para, banka TD,  kisha greke ku shkonim për festat e rëndësishme fetare, supermarket ushqimor më i lirë në ato vite dhe biblioteka e lagjes. Thuajse gjithshka në atë vit të parë, pasi kishim lënë pas trazirat e 1997-ës, ndodhte në Dixie.

Nuk gjej ndonjë bar sporti në Dixie dhe telefoni më tregon se më i afërti është në Cathra. Kjo rrugë më lidh vetëm me një fabricë vere, ku blinim rrush me shumicë për të bërë verë të lirë në shtëpi dhe me dyqanin “Artista”, ku blinja herë herë paisje për të pikturuar. Bar-sporti quhet “International sports” dhe vërtet nuk ka se si të bëhet më ndërkombëtar. Pronarët janë kolumbianë dhe spektatorët që duan të shohin Brazilin kundër Kroacisë janë nga gjithë kontinentet, nëse përjashtojmë Australinë. Ka dhe dy shqiptarë disi më të rritur se unë, që bëjnë më shumë muhabet me njëri tjetrin se sa shohin ndeshjen. Latinë, ballkanas, afrikanë, arabë, amerikanoveriorë dhe sigurisht rusë. Nuk dalloj ndonjë kinez, por aziatikë të tjerë ka.

E tillë është Misisaga. Ndoshta po aq ndërkombëtare në përbërje sa Torontoja ose mbase edhe më shumë. Eshtë një qytet shumë i ri,  i krijuar në vitet ’70 si rrjedhojë e bashkimit të tre fshatrave, gjë që mua më kujtonte këngën popullore shqiptare “Laçi , Bruçi dhe Uraka, seç na jan’ bashkue”. Kjo dhe afëria me aeroportin e pat bërë si magnet për emigrantët nga e gjithë bota. Për mëse 30 vjet kishte kryetare bashkie një grua të fortë, të moshuar, e cila I fitonte gjithnjë zgjedhjet se askush nuk përballej dot me të. Ishte vërtet grua e fortë, që la gjurmë në zhvillimin e qytetit, por edhe kufizimet në arkitekturë dhe urbanistikë, rrjedhojë e mentalitetit të saj fshatarak. Por ishte një kryetare shumë e respektuar.

Kroacia fitoi dhe në bar pati vetëm entusiazëm dhe asnjë grindje. Madje tifozët kundërshtarë i dhanë dorën njëri tjetrit. Ushqimi nuk bënte një lekë, por mjedisi ishte i këndshëm dhe mbi të gjitha paqësor. Më mirë se ta shihja ndeshjen në qytetin tim të lindjes, ku nuk do mungonin të sharat dhe akuzat e përsëritura se ndeshjet janë të shitura dhe manipulohe nga kompanitë e basteve. Në Misisaga njerëzit punojnë shumë dhe sigurisht që dinë më pak. Nuk ndodh si në Korçë, ku njerëzit i dinë të gjitha, të bërat dhe të pabërat.

No comments:

Post a Comment