Tuesday, 6 December 2022

“Doganieri”


Unë vihem në siklet nga doganierët. E çdo kufiri. Në kufirin që na ndan me Amerikën policët janë dhe doganierë, në ndryshim nga shumë vende europiane, që kanë dy lloj kontrollesh. Pra kur them doganieri mendoj më shumë për oficerët e kufirit, që të pyesin mbarë e prapë. Një bisedë e zakonshme kur kaloj për në Amerikë është kjo:

-          Prej nga vjen?

-          Nga Sherbrooke.

-          Ku do shkosh?

-          Në Nju Jork.

-          Përse do shkosh në Nju Jork?

-          Do vizitoj time bijë. Jeton atje.

-          Ke fruta ose zarzavate?

-          Jo

-          Po dhurata që do i lesh atje?

-          Jo.

-          Kur do kthehesh?

-          Pas 3-4 ditësh.

-          Ku ke lindur?

-          Në Shqipëri.

-          Ke reki?

-          C’farë?

-          Reki reki…alkol që pinë shqiptarët.

-          Oh Rakiii…jo nuk kam

-          Mund të kalosh. Rrugë të mbarë

-          Faleminderit- i them dhe ndjej që fundi i kurrizit më ka dërsirë nga sikleti.

Diçka e ngjashme më ndodh sa herë jam në Korçë me një të njohurin tim. Ai ka një dyqan të privatizuar në një pikë kyçe dhe gjithë ditën rri para tij. Dua s’dua do kaloj disa herë në ditë atje dhe ai ngrihet dhe me një dashamirësi çarmatosëse më pyet me zë të ulët:

-          Nga ishe?

-          Me një shok.

-          E njoh unë?

-          Nuk besoj se e njeh.

-          Po ti thoma emrin pastaj e shohim e njoh apo jo.

-          Filani

-          Po si o nuk e njoh.! Me te jatin, Fistëkun, kemi qënë në një brigadë kulturore.

-          Nuk e dija.

-          Me atë hëngre drekë?

-          Po.

-          Në cili lokal?

-          Po ku ja u di emrat…në një lokal në Boboshticë.

-          Kur hyn në fshat nga e djathta?

-          Më duket se nga e djathta.

-          E di ku kini qënë. Nga do vesh tani?

-          Në shtëpi të marr një gjumë.

-          Mirupafshim byrazer!

Dhe si i ka mësuar të gjitha lëvizjet e mia të paradites, miku im “doganier’ pret të njohurin tjetër, që ta pyesë se ç’ka bërë dhe t’i tregojë se unë me të birin e Fistëkut kishim ngrënë drekë në Boboshticë, se “helbete e kanë xhepin e e ngrohtë.”

Ja përse ju trembem dhe nuk i gënjej dot kurrë doganierët!

No comments:

Post a Comment