E bëra këtë hyrje për t’i bërë të qartë lexuesit, se edhe në
shkrimin e mëposhtëm do gjejnë vlerësime të mija subjektive rreth arkitekturës
së Korçës në dy shekujt e fundit. Kanë të bëjnë me shijet e mija dhe me formimin
tim si arkitekt.
Ka pasur shumë ndërtime të asaj që e quajmë “arkitekturë
popullore” dhe nuk di nëse është përkufizimi më i saktë, që kanë shumë gjëra të
përbashkëta me arkitekturën moderne të nisur nga Korbyzjeja dhe arkitektë të
tjerë të shquar. Pastërti vëllimesh, dritare në grup që krijojnë një bashkësi
horizontale, përdorim të detajeve me kursim dhe të lidhura ngushtë me
materialin e përdorur, si dhe një futje të kursyer të ngjyrave. Hapjet e çardakëve
dhe daljet me erkera krijonin lëvizje volumore të mrekullueshme, veçançrisht në
veprat ku proporcionet ishin më të arritura.
Një pjesë e këtyre kryeveprave të arkitekturës u mbrojtën
nga shteti. Shumë të tjera u lanë të rrënoheshin ose pronarët i rindërtuan mbi
të tjera parime arkitekturore. Por kjo ka ndodhur edhe në shumë vende europiane
gjatë dy shekujve të fundit. Shumë vepra arkitekturore janë zhdukur për arsye
nga më të shumtat. Kanë mbetur më të mëdhatë dhe më të njohurat, por shumë “xhevaire”
nuk janë më. Eshtë në natyrën e vendbanimeve të ndryshojnë në mënyrë të
vazhdueshme, si dhe të ndryshojnë identitetin e tyre në shekuj. Nuk ka qytete të
përjetshme dhe këtu mund të fusim pa frikë edhe “eternal City of Rome”.
Por jetëgjasëia e vendbanimeve dhe identiteti i tyre
arkitekturor janë tema shumë të gjëra dhe nuk janë objekt i këtij shkrimi.
Idea bazë e këtyre rrjeshtave ka të bëjë me largimin e vëmendjes
së arkitektëve të sotëm nga ajo arkitekturë e shekullit të X{X, që eshtë më
bashkëkohore, se arkitektura e Korçës e viteve ’20, e cila po futet në stil të
gjërë edhe sot.
Ka diçka tepër anakronike në arkitekturën e ashtuaqujtur
neo-klasike, e cila hyri në stil në vitet ’20 dhe ’30 në Korçë dhe me kokëfortësi
po imponohet edhe sot.
Erdhi kryesisht nga dëshira e emigrantëve dhe njerëzve të
pasur, që dilnin jashtë, për të imituar residencat e aristokratëve të Francës,
Austrisë, Italisë apo edhe të Amerikës. Ishte një dukuri që po ndodhte në të
gjithë Europën Lindore dhe jo vetëm në Korçë dhe në Shqipëri. Vinte në një kohë,
kur “të kamurit” e rinj europianë po mundoheshin të largoheshin nga stili
rigjid, simetrik dhe i mbingarkuar me detaje. Pra prirja e korçarëve të
pashkolluar, që kishin bërë para në kurbet apo me tregëti, shkonte në kundërshtim
me atë të avangardës europiane dhe amerikane. Kur ndërtohej Vila në Savoja, ne
ndërtonim banesa që i ngjanin një pallati të një markezi, me kollona dhe friza,
me rrethime me kangjella dhe me porta metalike mbresëlënëse. Dhe i ndërtonim
ngjitur me veprat e pastra dhe të gjetura në përmasa të arkitekturës së
mjeshtrave.
Por nëse dukuria e sipërpërmendur ishte e justifikuar në atë
kohë dhe njëkohësisht shumë e përhapur në të gjithë Europën, tani është e
palogjikshme të jetë në masë kaq të madhe. Në parcela shumë të vogla sheh të
ngrihen rezidenca “markezësh’ të rinj me një hije të rëndë dhe me ca porta në
metal të rrahur, që ju përkasin kohëve tashmë të perënduara. Dhe të gjitha këto
me “kontrollin” dhe “bekimin” e autoriteteve. Kur kishim arkitekturën mrekullisht
të pastër dhe moderne të kohës së rritjes së qytetit, nga e cila mund të frymëzoheshim.
Shkoni në Pazar në Hanin e Elbasanit dhe do shihni gjithshka që pëlqehet dhe ju
qëndron shekujve! Kjo është arkitektura! Të cilën nuk ditëm ta shohim dhe të mësojmë
prej saj.
No comments:
Post a Comment