Ai më takon me shumë dashamirësi sa herë përballet me mua. Gati më përqafon dhe nuk harron të më thotë- “Do e pimë një gotë verë bashkë!” Unë pohoj i gëzuar, se më pëlqen të pi një gotë verë me të. Edhe të pashoqëruar me ndonjë pjatë. Thjesht dua ta njoh më mirë. Sepse si e kanë thënë latinët – “in vino veritas”.
Nuk di nëse punon në një punë shtetërore, kompani ndërkombëtare
apo në ndonjë Organizatë Jo Qeveritare. Kur të ulemi të pimë gotën me verë do e
pyes gjatë se ku kontribuon me pamjen e qeshur dhe me kravatën e hollë, të cilën
nuk e heq edhe kur është i veshur sportiv.
Duhet të më njohë më mirë se sa e njoh unë, sepse nuk më
thotë- “ do e pimë një kafe( me a e
zgjatur dhe theksin në e-ja)”, apo “do e
pimë një raki”, si të thonë zakonisht në vendlindje, por këmbëngul pikërisht
në vera, që është pija ime e preferuar. Dhe po të jetë edhe vetë njohës i mirë i
verërave me siguri që do më gostisë me një verë të zgjedhur. Nuk është e lehtë
të gjesh verëra shumë të mira në atdhe. Të paktën në lokalet që jam në gjendje
të frekuentoj. Nëse ai punon për një kompani ndërkombëtare apo për një OJQ me
siguri do dijë ku të më shpjerë.
Por ai gjithnjë nxiton kur takohemi dhe unë nuk arrij t’i kërkoj
numurin e telefonit për të lënë takim për verën e shumëpremtuar. Ka më shumë
mundësi të punojë për një korporatë ndërkombëtare se punonjësit e administratës
dhe ata të OJQ-ve nuk punojnë sa “mos kenë
kohë as të pinë verë“. Prandaj më pëlqejnë punonjësit e administratës dhe
ata të OJQ-ve se kanë të njëjtën mënyrë jetese me mua. Nuk nguten. Dhe nuk të
thonë kurrë “Jo!” Eshtë në kundërshtim
me çdo parim që i udhëheq në jetë. Eshtë e gabuar të ngutesh dhe më e gabuar t’ju
thuash “jo” eprorëve, hallexhinjve dhe miqve. Mund të çrregullojë çdo gjë në
jetën e tyre edhe një “jo-ckë“.
Dashamirësi im i verës duhet të ketë me siguri parime krejt
të kundërta me mua, punonjësit e administratës dhe ata të OJQ-ve. Dikur e kisha
përfshirë në një nga tregim-marrëzitë e mia me mbiemrin Zilja dhe e kisha “a
priori” përcaktuar si medicinalist, kur ai me siguri nuk është i tillë. (Nuk di
as nëse ky profesion ekziston.) Por edhe pse tani jam i bindur që nuk është i tillë,
nuk jam në gjendje të hamendësoj se cili është në të vërtetë profesioni i vërtetë
i tij. Se le të themi që është degustator verërash, por edhe këtë me siguri e bën
“part-time” se dei më sot nuk kam takuar asnjë të tillë që ngutet. Ndiqni me vëmendje
veprimet dhe sjelljen e një degustatori dhe do bindeni se kam të drejtë. Mënyra
se si e rrotullojnë ngadalë gotën e madhe me pak verë në fund, se si rrufitin
një gllënjkë të vogël me sytë mbyllur dhe se si e vërtitin në gojë lëngun
magjik për 15-20 minuta të bind.
Po sikur të jetë prodhues vere dhe është i sigurt që unë e
di këtë? Eshtë normale të më thotë do pimë një gotë verë nga prodhimi më i mirë
i tij. Ai I rrushit maqedonas të vitit 2011.
Nuk di nëse do më duhen edhe 6 vite të tjera, që të pi gotën
me verë me të dhe të zgjidh këto mistere që shtohen çdo vit. Vitin që vjen do e
mbërthej sa të më thotë fjalinë-refren dhe do i them: “Hajde ta pimë tani se nuk duroj dot më!”
No comments:
Post a Comment