E kishim njohur si Nesti Bode, mbrojtësi më i mirë i brezit
të lindur më 1959. Diçka para kampionatit botëror të futbollit të vitit 1974.
Riku e kishte shok fëmijërie. Ishte i drejtpërdrejtë dhe shumë besnik. I tillë
ka mbetur. Atë vit mundoheshim t’i mbushnim mendjen të vazhdonte gjimnazin, se
nuk i pëlqente shkolla dhe herë herë hezitonte, por më pas e la dhe hyri në punë.
Futbollin e vazhdoi.
Nofka Mavro duket se ju ngjit pas ushtrisë, kur nisi të
punonte si furrxhi, njëlloj si Koci, i jati dhe xhaxhallarët. Ndoshta edhe
gjyshërit kishin qënë furrxhinj. Para Diktaturës, furrxhi ishte një punë që mund
të mbaje mirë shtëpinë, por edhe e lodhëshme. Punonin gjithë natën për të
pjekur bukët që shpinin njerëzit dhe ato që gatuanin vetë para gojës së zjarrtë
të furrës. Ishte e natyrshme që të mblidheshin në furrë edhe shokë të
furrxhinjve, ata që nuk donin të flinin, por të hanin të pinin dhe të bënin
qyfyre. Edhe të losnin me zare ose me letra. Furrxhinjtë duhet të punonin edhe ditën
për të pjekur lakrorët dhe tavat. Jeta e rëndë ju jepte pasoja në pleqëri.
Nesti vazhdoi të njëjtën traditë të furrxhinjve korçarë. Tek
ai mblidheshin shokë e miq, që pëlqenin të bënin muhabete, të hanin ndonjë tavë
të mirë dhe kur të ngrysej të hidhnin ndonjëherë edhe zaret në kthinën e pasme
të furrës. Në vitet ’80 ishte furrxhiu më me emër në Korçë. Dhe ai që gatuante
më shumë bukë me qiqra. Në kohën e fundit të Vitit , në furra e tij nuk kishe
ku të hidhje mollën. Të afërm, shokë, të njohur që prisnin bukën me qiqra,
Nesti i mbytyr në djersë, që nxirrte nga magjeja një sasi të madhe brumi për të
bërë të tjera bukë dhe dy tre djem të rinj, që lyenin taskat e bukës me vaj. Të
gjithë prisnin të merrnin porosinë e tyre, ndonjë nëpunës të merrte bukën me
qiqra dhe mos paguante. Atyre që njihte më shumë ju theshte mos kishin merak se
do bënte dhe një furrë dhe të gjithë me sytë nga furra dhe nga Nesti hidhnin
dhe prisnin qyfyre, një pjesë prej të cilave kundër pushtetit. Mbi të gjithë
dallonte për batuta të kripura Manoli i Sofisë. Nuk të linte kurrë pa bukën me
qiqra Nesti. Ndonjëherë kishte qëlluar që më sillte në shtëpi gjysmën e çyrekut
të tij.
Ndryshimi I sistemit solli shumë përmbysje në jetën tonë të
përditshme. Edhe furrat e humbën rëndësinë e tyre. Mavroja filloi të merrej me tregëti
dhe asnjëherë nuk e kuptoja nëse fitonte shumë apo jo. Mund të të tregonte
gjithshka se nuk mbante të fshehta si mund të mbajnë tregëtarë të tjerë, por më
shumë më tregonte rreth aksidenteve me makinë. Dukej që nuk e ngiste dot me
lehtësinë që lëvizte lopatën e drunjtë në grykën e furrës. Veç ishte i njëjti
Nesti, bujar, i dashur dhe besnik. Nuk kishte ndryshuar aspak nga viti i largët
1974 kur ishim bërë shokë.
Tani ka dy-tre vjet që ka pësuar hemoragji cerebrale dhe nuk
është më ai djali i fortë dhe i palodhur. Të takon me dashuri dhe buzëqesh. Nuk
ankohet. Nuk do të flasë shumë për vete, por të pyet për shëndetin dhe fëmijët.
Duke buzëqeshur. Më pas largohet duke ecur me vështirësi dhe një keqardhje e thellë të mbetet në shpirt. Për
atë djalë aq të fuqishëm dhe të paepur.
Por ndoshta gjithshka do kalojë dhe do rikthehet në gjallërinë
e tij të zakonshme.
Forca Mavro!
No comments:
Post a Comment