Tuesday, 20 December 2022

Historia e nje dokumentari

 

Dje, RTKorça transmetoi dokumentarin e prodhuar prej saj “Kultura e nje shkrimtari ne kulturën e qytetit”. Eshtë rreth jetës së babait tim, Andon Mara, e parë në raport me jetën kulturore të Korçës të pasluftës së Dytë. Kam bashkëpunuar në idenë dhe realizimin e tij.

Nuk di se si është pritur, por dua të tregoj diçka rreth realizimit të tij, ndërsa mundohem të reflektoj mbi opinionet e mia rreth shoqërisë shqiptare.

Përgjithësisht unë jam i ashpër në mënyrën se si e vrojtoj shoqërinë shqiptare. E bëj natyrshëm, por edhe me dëshirën që të kontribuoj në përmirësimin e vetes dhe të çdonjërit prej nesh, që është pjesë e kësaj shoqërie. I mendoj të pavlera konstatimet ekzaltuese ndaj kujtdo. Më duken të padobishme, por edhe vetë e di se ky qëndrim i imi është vetiak dhe jo çdokush duhet të ketë të njëjtën qasje.

Ajo çka pashë që kur lindi idea e dokumentarit dhe deri në ditën që u përfundua ishte dashamirësia e korçarëve dhe jo vetëm e tyre.

Dua të veçoj dy bashkëautorë, pa të cilët as do kishte ide dhe as realizim. Janë Ilir Trajçe dhe Muharrem Meko. I pari operator në RTKorça dhe i dyti drejtues i institucionit. Gazetari Muharrem Meko me dha “kartabiankë“ për të përdorur gjithshka që kishte institucioni që drejton. Iliri, me pozitivitetin e tij të pakrahasueshëm, u përkushtua për disa muaj për të bërë më të mirën e mundshme.

Por dashamirësinë, interesin për vlerat kulturore të qytetit dhe të njerëzve të tij, e hasa në marsin e këtij viti, ndërsa bisedoja me drejtoren e Bibliotekës së Korçës, Jorida Tollkuçi. Një vajzë e re (edhe pse grua), të cilën as e njihja dhe as më njihte, por që tregoi shumë interes dhe mbështetje për librin tim rreth jetës së Andon Marës. Pa lëkundje dhe me ndjenjën e një përaqësueseje të kulturës së qytetit, pranoi edhe të merrte pjesë në dokumentar.

Kuprova që shumë korçarë e duan kulturën dhe njohin dobitë që vinë prej saj.

Më pas pashë angazhimin e plotë të gazetares Irena Karamelo dhe aktorit Shkëlqim Jaupi. Të dy me shumë dëshirë dhe ndjenjë përgatitën pjesët e tyre të narracionit. Të saktë, me shqetësimin e profesionistëve për ta bërë sa më mirë, ata i dhanë me zërat e tyre ngjyrë dhe ngrohtësi filmit dokumentar. Ajo çka më bëri më shumë përshtypje ishte se nuk shprehën asnjë hezitim dhe nuk u vonuan asnjë minutë të vetme në takimet tona të punës. Dhe po njëlloj kompozitori Adrian Jorgji që na pranoi të bënim disa rregjistrime në studion e tij private. Me dashamirësi dhe përkushtim.

Mes atyre që nuk nijihja veçon specialist Pirro Gjata, i cili bëri montazhin dhe formulimin muzikor të dokumentarit. Me cilësitë e një perfeksionisti, Pirroja kishte edukatën e punës të një amerikanoveriori. Orë të tëra i ngulur në tryezën e punës pa kërkuar asnjë çast pushimi. Në murin e zyrës së tij kishte foto të bëra me shumë personalitete të kulturës së botës shqiptare, që dëshmonte prirjet e tij. Nuk dallova foto me ndonjë politikan të rëndësishëm.

Gjatë ditëve të intervistave, filmimeve dhe montazhit mendova disa herë, që im atë kishte lënë gjurmë në Korçë me personalitetin, kulturën dhe karakterin e tij. E shihja këtë tek njerëzit me të cilët bisedoja rreth dokumentarit. “E meriton ai!”- theshin të gjithë dhe më bënte të ndjehesha mirë, që qyteti nuk e kishte harruar edhe pas 32 viteve që ishte larguar. E shihja në emocionet e aktorit dhe operatorit Ylli Trajçe, që ndonëse nuk e kishte patur mik e vlerësonte dhe mundohej të vinte në pah ç’kishte qënë thelbësore në karakterin e tij.

Lashë qëllimisht për në fund të shkrimit tre bashkëpunëtorë të babait. Vangjush Zikon, Flora Bibollin dhe Klara Mitrushin. Tek dashuria e tyre, e derdhur në fjalë të mënçura dhe të vërteta pashë edhe atë gjë të rëndësishme, që Andon Mara kishte bërë gjatë jetës së tij.

Kishte dhënë shembullin se vlerat e ndershmërisë intelektuale dhe të qënit i drejtë dhe i drejtpërdrejtë nuk humbasin kurrë.

Ishte kjo që tre të sipërpërmendurit theshin në mënyrën e tyre. Ndoshta pat ndikuar sadopak edhe tek ata tre njerëz të kulturës korçare, që kanë kaluar tani të tetëdhjetat, por kishin ndriçimin mendor të të rinjve dhe të rejave.

Këto rrjeshta, në të cilat nuk u ndala gjatë rreth dashamirësisë të Eno Koços, Ylli Peppos dhe shumë të tjerëve, më shumë se një falenderim, janë një reflektim i imi për gjendjen e shoqërisë shqiptare. Me shumë të drejtë, ata që lexojnë rregullisht blog-un mund të më thonë:
“ Se na ke çarë kokën shumë deri tani o kritizer!”

Do ju përgjigjesha me përulësi : “Kini të drejtë!”

No comments:

Post a Comment