Monday, 5 December 2022

Përse më humbi interesi për politikën në Shqipëri

 

Vizita e fundit në Shqipëri ka qënë më e gjata që prej vitit 2004. Me disa befasime për mirë dhe keq, me takime me njerëz që nuk i njihja dhe të tjerë, që i njihja mirë, me prekjen e disa proceseve të punës veç atyre që lidhen me turizmin dhe shërbimet, të cilat i kisha prekur edhe më parë.

Arrita në një përfundim, në të cilin nuk kisha arritur ndonjëherë , madje as në prag të vizitës në Atdhe.

Nuk vlen të humbësh kohën me politikën shqiptare.

Gjatë 5-6 javëve në Tiranë dhe në Korçë mësova më pak se kurrë ndonjëherë se ç’ndodhte në rrethet e politikanëve tanë. (Për periudha kohe të njëjta.) Vura re se një ç’interesim të ngjashëm kishin disa nga miqtë e mij më të mirë.

Tani që pyes veten se si më humbi tërësisht interesi nuk di të jap një përgjigje të drejtpërdejtë për të cilën të jem edhe vetë i bindur.

Ndoshta një nga arsyet ishte se pashë një shoqëri thuajse të kalbëzuar. Me shumë të meta që nisnin nga materializmi i tejskajshëm dhe vazhdonin me “çiqitëmizmin” tradicional, mungesën e korrektesës, vlerat e rëna të moralit, futjen e hundëve në punët e të tjerëve, zilinë ballkanike dhe deri në mburrjen me pasuritë e mbledhura apo me arritjet në karrierë. Nuk dëgjova njeri të thoshte këtu kam gabuar, ose këtu e kemi vetë fajin, por çdo kusur i vendit i vishej qeverisë, administratave lokale dhe pasunarëve. Jo se këta të fundit nuk kanë faj dhe mbase edhe janë deri diku më llumi i shoqërisë, por një bashkësi në kalbëzim patjetër që do ketë qeveritarë dhe administratorë të tillë.

Diku kam shkruar për duhanin që pihej kafeneve dhe taksive, ndoshta edhe për banjat e mjediseve publike që qenë përgjithësisht për të qarë hallin, për qentë rrugaçë që bridhnin rrugëve natën dhe flinin trotuareve ditën, për fëmijët që i shpinin në shkollë me benz edhe pse shtëpinë e kishin 300 metra larg, për ndërtimet që po zaptojnë çdo pëllëmbë gjelbërimi privat apo publik. Dhe ka edhe plot kusure të tjera për të cilat nuk kam shkruar dhe nuk po i rendis as tani. Të dukej se vendi ishte zaptuar nga një energji negative, që nderej kafeneve dhe i kishte paralizuar të gjithë. Jo pa të drejtë të rinjtë duan të largohen në masë. Askush nuk do të fillojë jetën atje ku atmosfera është mbytëse.

Një miku im, i cili shihte gjithë ditën “Syri.tv” shpresonte se Shqipërinë do e shpëtojë Berisha dhe Cim Peka. Njëlloj si në përrallat me Balozin e Zi, që do mundet nga Gjergj Elez Alia me ndihmën e Nallban Vëllamit. Dhe vërtet Berisha u ngrit nga shtrati i vdekjes politike dhe po lufton me Ramën, por jo për të shpëtuar 30 vashat shqiptare por për të mbrojtur fëmijët e tij hajna.

Nuk di të them se në cilën pikë të historisë së 200 viteve të fundit shoqëria shqiptare ka qënë në gjendjen e saj më të keqe. Ndoshta ka kaluar kriza morale edhe më të mëdha, pork jo e sotmja gjithashtu nuk është e pakët. Nis edhe në një kafene të vogël ku dy priftërinj të moshuar dhe një i ri flisnin për dy orë me rradhë se si do i gjendej ana që të rregjistohej një pronë e dyshimtë e të riut në Hipotekë.

No comments:

Post a Comment