Tuesday, 20 December 2022

Një mëngjes në kopështin japonez…

 


Ishte një punonjëse e bashkisë që më shtyri në ngasje. Po pinim kafe në “Mon Cheri” dhe po flisnim për ndërtimet publike në Korçë. Unë si gjithnjë “kritizer” ndaj dhe ajo një çast më pyeti: “E ke parë kopështin japonez?” “Jo, kam dëgjuar për të, por nuk e kam parë.” “Shikoje dhe do ndryshosh opinion për ndërtimet publike në Korçë!” më tha e sigurt dhe u largua. Ishte mëngjes, midis orës 7.45 dhe 8.32, kur punonësit e administratës në atdhe pinë kafenë e dytë. Të parën e kanë rrufitur në shtëpi.

U nisa menjëherë. Të them të drejtën dyshues, por edhe me një ngazëllim që të jep dielli kur lind mbi Moravë i shoqëruar edhe nga një lajm të mirë. Do shohësh një sipërfaqe të gjelbëruar bukur dhe për më tepër në një stil japonez. Unë nuk kam qënë ndonjëherë në Japoni dhe nuk besoj se do e vizitoj dot në një të ardhme të afërt. Ndaj gjithë gëzim i bëra ato 400-500 metra që ndajnë kafenenë “Mon Cheri” me një lulishte në Tokio apo në Osaka.

Për ata që nuk e dinë se ku bie kopështi japonez dhe janë nga Korça, por janë larguar para ndryshimit të sistemit politiko-shoqëror, po sqaroj se kopështi ndodhet në shtratin e tharrë të Lumit të Korçës, pikërisht aty ku dikur ka qënë poligoni i qitjes sportive. Dikur ishte parashikuar të kishte një rrugë që dilte diku pas “Vilës së Udhëheqjes”, por ndryshimet e shpeshta në planin rregullues, në pjesët e gjelbërta rreth tij futën një sërë ndërtimesh të Sistemit të Drejtësisë dhe shtrati i përroit ishte e vetmja pjesë që kishte mbetur pa u ndërtuar. Edhe për këtë menduan Partia dhe Pushteti në rreth, që me një grant japonez menduan të ndërtonin një kopësht. Dhe “Nëse nuk di se ç’të bësh në këtë jetë, mbill një pemë “- thotë një proberb kinez apo japonez, por që mund të jetë edhe korean. Nuk kam njohuri të mjaftueshme për të dalluar ndryshimet që kanë kulturat e atyre vendeve. Ndaj administratorët e qytetit ku kam lindur menduan të mbillnin jo një pemë, por shumë syresh.

Nuk e di se kush ja u shtiri në mendje që të bënin pikërisht një kopësht japonez, por ndoshta do ketë qënë i kudondodhuri, arkitekti australian Peter Uilson. Dikur pat sugjeruar që rreth Pazarit të Korçës të mbilleshin qershi japoneze për të lidhur këngën “Kur vjen behari dhe qershitë“ me Rrugën e Mëndafshit, që sillte dikur kukule nga Japonia e largët në Hanin e Cinmaçinëve në Pazar. Qershitë u mbollën dhe nuk e kami denë nëse janë vetëm dekorative apo edhe lidhin fruta.

Gjithsesi, australiani i kudondodhur u ngarkua edhe me detyrën e vështirë për të projektuar kopështin japonez, pasi pat projektuar ne Korçë një kullë, një stacion autobuzash, një bibliotekë, nje bashki me koncept te hapur, nje qytezë fëminore, tre hotele, tetë banesa kolektive dhe dy stalla për mbarështimin e derrave bio. Kuptohet që kopështi për të do ishte si “bukë me djathë“ dhe mund ta projektonte edhe thjesht duke ngjyruar një pjesë të trupit dhe ta stamponte mbi një fletë të bardhë. Ndoshta dhe kështu veproi.

Unë arrita nxitimthi dhe mezi arrita të kapja mikun tim Dhionis Pani, që stërvitej për një lloj kung-fuje në afërsi të kopështit. I thashë “Niskë m’u duke si Tërheqësi i Biçikletave”, por ai çuditërisht m’u përgjigj “Koniçiva!” dhe vazhdoi me rrotullimin e duarve duke ecur përgjatë kopështit. Duket ndikimi japonez në Korçë po konkuron edhe atë francez të një shekulli më parë. Dhe nuk ka asgjë të keqe nga ndërkombëtarizimi.

Kopështi ishte vërtet mbresëlënës! Madje mund ta quaj pa frikë Mbresërënës. U pështjellova nga një mori mbresash që më ranë të tëra në gjelbërimin e atij kopështi. Pjesa më e madhe mbi një mur aq të drejtë, që e përshkonte kopështin diagonalisht. Po sa i drejtë ishte! Tamam japonez. Pas murit të drejtë ishin bashtulkat komunitare ku mbilleshin repka, luledielli dhe gëzhuta. Ndoshta kishte edhe bimë të tjera , po me një sy që hodha shpejt e shpejt vetëm ato dallova. Në bashtulkat komunitare, komunitarët e bashtulkave mbjellin, prashitin, ujitin dhe plehërojnë perimet sipas metodave më të fundit japoneze. Në kohën e vjeljeve i mbledhin dhe dalin në fotografi me Kryetarin e Bashkisë dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Fotot vendosen në mediat sociale dhe lajkosen nga të gjithë simpatizantët japonezë dhe jojaponezë të kopështit.

U largova nga Kopështi japonez dhe u përpoqa të telefonoja të njohurën time bashkiake, por ajo nuk e hapte telefonin. U detyrova t’i shkruaja një mesazh:

“Kini gjetur mënyrat më të stërholluara për të tallur by… me ne të gjorët!”

No comments:

Post a Comment