Burri me një çorape të lëkurtë deri në gju, që nuk ishte çizme
më pa vëngër. Nuk donte që unë të shkoja të shihja ndeshjen e futbollit në
apartamentin e tij. Dhe ishte një shikim i ngutur, se më pas gjithshka po përmbytej
nga një sasi uji që vinte nga kati i sipërm i banesës shumëkatëshe. Dikush
kishte hapur deri në fund të gjitha rubinetat e apartamentit të tij dhe uji vërshonte.
Nuk qulleshin vetëm muret, po gjithshka brenda asaj ndërtese me dy hyrje. Kati
përdhe ishte mbushur tashmë nga uji dhe askush nuk guxonte të ngjitej në katin
e fundit të ndalte marrinë e banorit të çmendur. Dukej që edhe më parë ai
kishte bërë diçka të ngjashme. Telefonuan një kompani të punimeve për shkarkimet
e ujrave. Specialisti arriti menjëherë me një kamionçinë dhe nisi nga puna. Ju
shpjegoi të pranishmëve të shqetësuar se i gjithë problem qëndronte në
shkarkimet, se nëse do ishin projektuar që të tërhiqnin më shumë se ç’ishin
prurjet nuk do kishte ndodhur përmbytja e katit përdhe. Një neglizhim i vogël në
projektim dhe pat ndodhur hataja. Ose banorët e pavëmendshëm patën hedhur
materiale të patretshme në ujë, në WC-të e tyre dhe tubancioni përmbledhës nuk
kishte më seksionin e duhur për të përballuar një shpërthim të papritur të
ujit, ose marrëzinë befasuese të një individi apo individeje. Ndërkohë uji po
ngjitej edhe në katin e parë, dhe nga një dritare e mbetur hapur e katit përdhe
dilnin bashkë me ujin legenë plastikë, të brendëshme burrash, tharëse flokësh
dhe këpucë të vjetra. Gjithshka që mundte të pluskonte në ujë. Nuk mund t’i thoja
specialistit të shkarkimit që duhet të nxitonte, sepse nuk isha banor i atij
pallati. Burri me një çorape të lëkurtë deri në gju do vazhdonte të më shihte vëngër
dhe bashkë me të mund të më suleshin edhe banorët e tjerë të tronditur nga dëmi
që po ju shkaktonte prurja e ujit që ishte më e madhe se sa shkarkimi. Ndërkohë
specialisti me një pistoletë të madhe ndërtuesish kishte nisur të zgjeronte
tubin shkarkues prej betoni, që çuditërisht ishte në një vend të thatë. Ndoshta
ishte një tub shkarkues i gabuar, ose çdo gjë ishte tharrë papritur. Dukej që
marroku kishte mbyllur rubinetat. Banorët ishin rreshtuar tashmë me kurriz nga
pallati me nga një kuti të madhe kartoni me gjithë gjërat e tyre të vlefshme, që
kishin marrë nga apartamentet e tyre dhe prisnin të vinte banori i çmendur.
Specialisti i shkarkimit vazhdonte të zgjeronte grykën e tubit shkarkues prej betoni
me një zell të admirueshëm. Unë prisja të shihja kur banorët t’i hidheshin në
grykë të çmendurit që ju kishte përmbytur apartamentet. Marroku I qeshur nisi t’ju
jepte të gjithëve nga një peshk të ndryshëm të gatuar. Ata nuk flisnin dhe as
unë nuk bëzanja. Marroku ishte një shulak gjithë muskuj, me një kokë
rrumbullake, nga ato që kanë njerëzit që nuk ndalen para asgjëje. Kishte edhe
një buzëqeshje deliri në fytyrë. Vazhdonte të shpërndante peshqit e shumëllojshëm
tek çdo banor i vënë në rresht ndërsa specialist i shkarkimeve kishte përfundur
zgjerimin e tubit kryesor dhe i pat vënë një kapak katror për të mos lejuar erërat
e gjirizave të prishnin ajrin e asaj dite kataklizme.
U zgjova dhe në kuzhinë tavani pikonte nga shirat e
vazhdueshëm. Mendimi i parë që më përshkoi trurin e lodhur nga ëndërra ishte : “Kushdo
e di vetë ku i pikon çatia. Mua më pikon në kuzhinë mbi tavolinën e ngrënies,
mbuluar nga dhjetra fletë faturash, shkrimesh të printuara, materiale të
sigurimit të shtëpisë dhe makinës dhe ofertash për të blerë ushqime të gatuara
për një vit të tërë.”
Nuk është një stinë e mirë që të të pikojë çatie se dimri sa
ka nisur dhe është e vështirë për të ndërruar të gjitha “shingles”. Për më tepër
të gjithë ndërruesit tani janë me pushime dhe duhet të presësh janarin, që të
vijnë ta shohin dhe të të tjapin një vlerësim, pastaj të të përcaktojnë një javë
të mundëshme me ngrica po pa rreshje, që të jenë të lirë dhe që mund të jetë
rreth shkurtit apo marsit. Deri atëhere mua do më duhet që të çvendos tavolinën
e ngrënies në një nga kthinat e tjera të shtëpisë për të shpëtuar të gjitha
fletët që më duhen dhe ato që nuk më duhen nga pikat e ujit. Dhe duke shpresuar
që pika të tjera nuk do nisin të rrjedhin në kthinat e tjera. Nëse kjo ndodh
duhet të zbres në katin nëntokë bashkë me tavolinën e ngrënies në pritje të kohëve
më të mira. Më pas gjithshka do rikthehet në normalitet dhe unë do rinis të
shoh ëndërrat e zakonshme me provime ku jam fishek dhe me diplomë që nuk më
jepet për shkak të një note pakaluese të shkollës së mesme.
No comments:
Post a Comment