Friday, 2 December 2022

A po kthehet Korça në Gjirokastër?


Nuk di nëse kjo ide më lindi ndërsa ngjitesha në pjesët e Korçës që janë ne buzë të kodrave. Shumë ndërtime të reja ngriheshin me shumë kate, që të kujtonin Kullën e Zekateve dhe të tjera banesa gjirokastrite, të cilat me shumë shije Kadareja i ka përcaktuar si ndërtime centaur. Krahasimi im nuk është plotësisht i qëlluar, se në ndryshim me ndërtimet e vjetra të Gjirokastrës, banesat e reja në Korçë kanë veçori të tjera dhe veç theksimi vertikal i bashkon me kullat e qytetit të jugut. Dhe po e ripërsërit, që cilësia ndërtimore e banesave të reja në Korçë është e admirueshme.

Por brenda qytetit të Korçës po zhduken bashtat dhe bashtulkat, që po e kthen Korçën gradualisht në një qytet tullë-beton dhe gur. Me shumë pak gjelbërim, që duket se ka përkeqësuar mikroklimën e lagjeve të vjetra. Korça ka qënë një qytete me dendësi të madhe ndërtimore, por çdo shtepi kishte oborrin e saj me gjelbërim të kursyer dhe bashtëzën me pemë dhe gjelbërim. Dora dorës pemët po priten për të patur një shfrytëzim maksimal të parcelës. Ngulet këmbë nga bashkia dhe Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore, që dritaret të jenë jo më të gjëra se 1.2 metra, që çatitë të jenë me tjegulla, që të përdoren rrethimet me gurë dhe kangjella, por askujt nuk i bie ndërmend për pemët. Pemët mund të priten se nuk janë elementë të arkitekturës neoklasike!! (Dhe pordhë të tjera të ngjashme me to!)

Nën diellin e vazhdueshëm (Korça është qyteti me më shumë ditë me diell në Shqipëri), betonet, muret, tjegullat dhe kalldrëmet tejnxehen dhe kjo sjell që temperaturat brenda në qytet të rriten dhe veçanërisht të rritet diferenca mes temperaturave maksimale dhe minimale. Gjë normale për Gjirokastrën, por jo normale për Korçën. Duhet të pranoj që kjo është një hamendësi e imja, se nuk kam të dhëna statistikore se si kanë ndryshuar temperaturat në vite, por kam frikë se jo gjithshka ka të bëjë me ngrohjen globale. Po arrijmë, që një ditë jo të largët, Festën e Lakrorit ta bëjmë edhe pa saç. Mjaft të jenë nxehur mjaftueshëm kalldrëmet dhe betonet dhe dy petët me pakëz gjellë brenda tëpiqen për mrekulli në tepsi.

A do kthehet Korça në Gjirokastër dhe a do ndikojë kjo në shtimin e kopracllëkut tek ne korçarët?

Edhe kësaj pyetje nuk mund t'i jaë një përgjigje të menjëhershme, por mire nuk do më vijë nëse do ndodhë. Se më pas vjen zëvendësimi i serenatave me këngët me iso që këndonte Dulla me shokë në Qafën e Pazarit, këngë të cilat janë shumë ekonomike për sebepe, se nuk mund të hash shumë kur mban iso për disa orë rrjesht pa ndalur.

Duke i lënë mënjanë shakatë pa kripë, duhet të theksoj që është një dukuri tepër e rrezikshme për cilësinë e jetës në Korçë.

No comments:

Post a Comment