Saturday, 24 December 2022

“Plak merak”

 

Nje shishe mezkali ka këtë markë. Në origjinal “Viejo indecente”. Ma ka dhuruar për Krishtlindje ime bijë, që nuk di as spanjisht dhe as italisht, se në të kundërt nuk do kishte zgjedhur këtë markë. Me siguri e ka blerë si më të mirin ndër mezkalët. Eshtë meritë e saj, që unë njoha këtë pije meksikane, që më pëlqen shumë.

Mezkali është një lloj tekile e trajtuar me tym, që i jep një shije të veçantë. Nuk di nëse në Meksikë e pëlqejnë më shumë pleqtë, por unë vërtet e kam shijuar edhe më shumë se rakitë tona të mira.

E përktheva “plak merak” duke u nisur nga etiketa, që tregon syrin e një xhaxhoje pas vrimës së çelësit. Me një fjalë aq i efektshëm mezkali, sa i ngre mendjen (dhe jo vetëm mendjen) një gërxhoje, që në pamundësi të gjejë partnere, shkon e përgjon në dhomën e gjumit të një çifti të ri. Ku e ku më keq se “Plak topall dhe ashik” i Nolit. Ashiku i Nolit nuk përgjonte të tjerët. Veç ndiqte një shumë të re në moshë.

Prirja ime e re për mezkal më ngatërron shumë gjëra në jetë. Mbi të gjitha se ç’lloj rumi më takon të pi. Këtë pranverë vizitova lokalin e njohur “Hemingway” në Tiranë, ku shërbehet kryesisht rum. Një lokal i vogël, por me klientelë speciale. Dukej se linjat politike përcaktoheshin atje dhe transksionet kryesore financiare kryheshin në “Hemingway” nën tingujt e muzikës xhaz dhe nën efektin dobiprurës të një gote me rum special.

Pas një interviste 12-14 minutëshe nga një nga vëllezërit pronarë të “Hemingway”, ku kishte pyetje rreth profesionit tim, llojeve të pijeve që pëlqeja, ushqimeve më të preferuara dhe orientimit seksual, rezultoi se rumi që më përshtatej ishte Abuelo 12. Dhe vërtet sa hoqa gllënjkën e parë të Abuelo 12 u ndjeva si në qiellin e pestë. E dija që në qiellin e shtatë do shkoja pas gotës së tretë ndaj piva vetëm dy gota. Një e tillë tek “Hemi” kushton rreth 25 dollarë kanadezë, pak a shumë trefishi i të njëjtës gotë në një bar të zakonshëm kanadez. E theksoj “i zakonshëm”, sepse “Hemingway” nuk është i tillë. Atje mund të takosh Lali Erin, Nicolo DiLanan të birin e Sorosit dhe shumë punonjës ambasadash dhe NGO-sh, që të bëjnë të ndjehesh se je pjesë e “diçkaje”. Dhe “diçkaja” tek Hemi nuk është diçka e zakontë.

Do rikthehem tek “Hemingway” sa të më jepet mundësia për të uruar Erin për fitoren e mandatit të tretë dhe për të rektifikuar llojin e rumit që më shpie në ato qiej të bukur, ku nuk kam nevojë të ve syrin në një birë çelësi për të parë se si bën sevda Suelka me një nga partnerët e saj zyrtarë ose jo.

No comments:

Post a Comment