Po prek edhe disa faktorë, të cilët e mbajnë ende gjallë anëve
tona. E para është konformizmi në një bisedë, sidomos ndaj dikujt që ka një
pozitë të caktuar në shoqëri dhe ndërsa të tregon diçka, në vend t’i thuash “sa mirë i ke llafet!”, i thua “po, normal…”. E dyta dhe më kryesorja është
padija dhe përpjekja për ta fshehur atë. Ndodh në një bisedë të thjeshë, kur
dikush të tregon se ç’ka ndodhur në vendin e tij të punës me pronarin, por
ndodh edhe kujt i tregon dikujt se “kishte
shumë vështirësi për një depozitë stërmadhe benzoli për kthimin e anijes
kozmike “Artemis” nga misioni i saj në Hapësirë ndaj ishin të detyruar ta
paisnin me paisje speciale të kapjes së energjisë diellore” dhe dëgjuesi të
përgjigjet: “po normal…”. Nuk të
mbetet vetëm t’i thuash se- “ je një
idiot i pagdhendur dhe se nuk ka as anije “Artemis, as benzol dhe as paisje special
të kapjes së energjisë diellore, por e gjitha u sajua për të dëgjuar të thuash –
po normal!”.
Por si përmenda më sipër, në këtë lloj shënimi-esse dua të
prek anët tepër negative të pranimit të normalitetit në jetën tonë. E kanë
kaluar të gjitha brezat dhe po e kalojnë edhe brezat që po rriten tani. Unë i përkas
një brezi, të cilit i dukej “normale” që njerëzit të futeshin në burg për nëse
theshin atë që mendonin, që të shkonin të punonin vullnetarisht edhe kur nuk
donin, që të ndiqje studimet për atë profesion që të caktonte administrata shtetërore
dhe plot e plot të tjera “normalitete”, të cilat sot quhen absurde.
E keqja ishte se për këtë “normalitet” ndihmonin nga frika
edhe njerëzit tek të cilët besonim më shumë- prindërit dhe mësuesit. Të parët për
të na mbrojtur dhe të dytët për të mos humbur vendin e punës dhe për të mos hyrë
në burg. Nëse prindërit do na thoshin më shpesh dhe më me vendosmëri se këto
nuk janë normale, se nuk kanë qënë më parë kështu, se nuk janë në vendet e
tjera ku jetohet më mirë, edhe ditët e Diktaturës nuk do kishin qënë aq të
gjata.
Sot njoftohej se kryeministri hollandez kishte kërkuar falje
për rolin që ka luajtur Hollanda në skllavërimin e afrkanëve dhe indigjenëve të
tjerë në botë. “Po normal” mund të thonë menjëherë mendjelehtët. Jo nuk është
aspak normale që bëhet sot, kur duhet të ishte bërë të paktën 60-70 vjet më parë.
Dhe bëhet fjalë për breza që kanë jetuar jo në kohën kur ishte e natyrshme të
shiteshin e të bliheshin njerëzit, kur gjuetarët e skëllevërve mund t’i ndiqnin
xhunglave të Afrikës si ndiqen kafshët dhe kur mund t’i shfrytëzoje në punë
prej mëngjesit në darkë dhe t’ju jepje një copë bukë të mbanin shpirtin gjallë.
Në Historinë e Njerëzimit ka pafundësi rastesh, kur shoqëritë
për dekada dhe shekuj quanin “normale” gjithfarë llojesh të kafshërisë. Mund të
nisësh me kanibalizmin, tek djegia në turret e druve të heretikëve, në përdhunimet
në masë dhe deri në kohët më moderne, të shfarosjes së të milionave në dhomat
me gaz. Të gjitha janë kryer nën dritën e diellit edhe mes duartrokitjes së
turmave të eksituara, që i quanin “normale”.
Sot, në shoqëritë e mbetura pas për shkak të edukimit “materialisto-dialektik”
është “normale” të përfitosh nga posti në administratë, të marrësh lekë për dhënien
pa të drejtë të një note kaluese në provim, të ndash paratë me reanimatorin për
një operacion në një spital shtetëror, të kërkosh “pjesën tënde” për një tender
që ja jep me të drejtë apo jo një kompanie private etj. etj. Këtë “thithin” çdo
ditë brezat e rinj në vendet e Europës Lindore edhe pse këto veprime dënohen
nga ligji. Ju duken më se të natyrshme. Eshtë një “konformizëm” i poshtër ndaj
veprimeve të paligjshme, se nëse shoqëria do jetë konform ligjit, nuk duhet të
bëjë asgjë nga ç’ka kam përmendur më sipër.
Jo, nuk janë të
natyrshme (apo normale) të gjitha të sipërpërmendurat.
E natyrshme është të vraposh dhe të djersish për ato që janë
në natyrë dhe nëse je më i shpejtë dhe më i zoti mund të marrësh pak më tepër
se ai që nuk është aq i shpejtë. E natyrshme është që edhe nëse je më i zoti
dhe mbledh dot më shumë të mira, të japësh jo vetëm për prindërit e tu të sëmurë,
por edhe për prindërit e fqinjit. E natyrshme është që të mbrosh ata që janë më
të dobët dhe të mos lejosh batakçinjtë t’i mashtrojnë. Ka dhe mijëra gjëra të
tjera të natyrshme, që e kanë ngritur njeriun nga gjendja e Kafshërisë. Mes
tyre është përdorimi i arsyes dhe përpjekja për të mos qënë konformist, por të
verë në dyshim ato që gjen në shoqërinë ku ka lindur.
Atëhere ka për të qënë
plotësisht normal.
No comments:
Post a Comment