Ata mund, duhet dhe me siguri janë nga Gramshi. Dhe stërgjyshët e tyre duhet të kenë bërë Pazar të shtunave në Korçë. Ndonjë ditë tjetër të javës në Elbasan dhe në Berat. Dhe duhet të kenë pasur vlerësim për Pazarin e Korçës, si më të pasurin, më të larmishmin dhe më të bollshmin. Edhe ku kishte më pak hileqarë.
Më shkon në mendje kjo se edhe pse nuk kishin jetuar kurrë në
Korçë ata ishin të lidhur shpirtërisht me të. Jo aq në vitet e Diktaturës, kur
sistemi nuk të linte të lëvizje nga një Pazar në tjetrin. Madje Diktatura duke
parë lidhjen e Pazareve me Ekonominë e Tregut i mbylli fare.
Gramshioti vëlla ju shmang Pazarit, por zuri një pikë kyçe,
ku do kalonin gjithë ata që do bënin Pazar prej Fierit e Follorinës, Krujës e
Kosturit, Elbasanit dhe Edessas. U ngul në doganën e Kapshticës dhe ndihmoi në
forcimin e marëdhënieve mes kontrabandistëve, doganierëve, oficerëve të kufirit
dhe falsifikuesve të pasaportave. Pëshpëriste në veshët e të gjithëve ato që donin
të dëgjonin dhe merrte një përqindje të vogël, që quhej Përqindja e Bashkim-Vëllazërimit
të Shërbimeve Inteligjente. Ishte shumë inteligjent.
Gramshiotja motër nuk këndonte në veshët e doganierëve,
kontrabandistëve, oficerëve të kufirit, por këndonte vërtet profesionalisht
edhe pse stononte herë herë. Po ishin nga ato stonaturat e profesionistëve që
quhen falseto. Dhe ato i qante. Këndonte edhe duet me këngëtaren Zimar, që
ishte vajza e këngëtarit të njohur Ramiz.
Por mbi këngën, pasion kishte kyltyrën dhe Pazarin e Korçës,
se ende kujtonte rrëfimet e të gjyshes për bëmat e stërgjyshëve në Pazarin e
Korçës. Të sajën kishte thënien : “Pa
kyltyrë nuk ka Pazar, dhe pa Pazar s’mund të bëhet kyltyrë“. Ndaj u ngul
bashkë me këngëtaren Zimar në Pazarin e restauruar të Korçës si bashkëpronares
të Bistrosë “Spice girls”. Shisnin ushqime plot erëza dhe këndonin këngë
pikante. Të gjitha në përputhje me emrin e lokalit dhe shijet muziko-kulinare të
Nicolo Di Lanas, pronarit të Pazarit të Korçës. Aq e njohur u bë Bistroja në Ballkanin
Perëndimor dhe Lindor, sa çdo veprimtari kulturore nuk bëhej më në sallat e
qytetit, por në Pazar. Netëve të ngrohta të korrikut, Pazari kumbonte nga këngët
“Ne jemi socialistë/ Shokë të Edvinit/Partia
na mësoi/T’i bindemi zengjinit” si dhe “
O i bukuri rryshfet/ Ku të mora e ku të lash…” Të gjitha këto në mjediset
para Bistrosë të gramshiotes.
Nuk kishte se si Bashkia mos e merrte si këshilltare për
kulturën. Nëse donte të bëhej pjesë e kulturës që shkëlqente para Bistrosë. Ishte
pesha e saj në botën kulturore më shumë se sa pesha e saj e vërtetë, që ndikuan në atë vendim të pazakontë. “Kemi të bëjmë me një individe fenomen dhe
jo me një individe dosido”- flitej se i kishte thënë DiLana bashkëpunëtorit
të tij të ngushtë që mbante pseudonimin Gollashi. Ndaj disa herë i propozuan
dhe ajo refuzoi, deri sa më në fund u gjet një zgjidhje. Pagesa vjetore në
argjend do ishte e barabartë me peshën e saj. Për këtë u kërkua një pallanxë
nga ato të vjetrat e NFP-së, të cilën në fillim e verifikuan për saktësi, që
mos kishte asnjë hije dyshimi për ndonjë korrupsion të mundshëm. E fituar doli
sërish Bashkia, se edhe pse në dukje e rëndë, gramshiotja i kishte kokallat shumë të lehta dhe pagesa në
argjend ishte e papërfillshme.
Përralla me Pazar, kyltyrë, Gramshiotë, këngëtare Zimar,
Gollash dhe pagesa në argjend ende vazhdon dhe pritet që fundi të jetë si në çdo
përrallë - Dhe në fund ata rrojtën të
lumtur dhe u trashëguan. Dhe u trashëguan pikërisht atje ku duhej- në
Drejtorinë e Trashëgimisë Kyltyrore, ku do na shpjerë një ditë një tjetër rrëfenjë.
No comments:
Post a Comment