Më duhet të saktësoj (jo për mikun tim), por për lexuesit e
mij qoftë ata me formim professional ndërtimor, qoftë ata që nuk kanë studiuar
ndërtim ose arkitekturë. Nuk duhet të
ngatërrojmë Modernen me Bashkëkohoren në Arkitekturë.
Për ilustrim do përmend një vepër të arkitektit Vladimir
Bregu në hyrjen e Parkut Rinia, që nuk di nëse quhet Kubi apo diçka tjetër.
Eshtë një vepër që i përket Arkitekturës Bashkëkohore, por jo asaj Moderne.
Kufijtë e këtyre dy nocioneve janë të ndara shumë qartë.
Arkitektura Moderne ze fill me veprat e Adolf Loos dhe vazhdon me ato të Mies
Van Der Rohe, Valter Gropiusit dhe shumë arkitektëve të tjerë, por më e
kristalizuar teorikisht bëhet nga Korbyzieja në shkrimet e tij dhe veçanërisht
me veprën e njohur Vila në Savoja e vitit 1929, që paraqitet edhe në foton më sipër. U bë
për dy dhjetvjeçarë stili dominues në arkitekturën në të gjithë botën dhe në
vitet ’70 edhe vetë Korbyzieja u largua prej saj duke projektuar ndryshe.
Megjithatë ende sot në botë projektohet me parimet e
Arkitekturës Moderne, që në vetvete është një stil shumë i pranueshëm dhe
racional për të projektuar nga vilat, në ndërtimet për zyra, stacione trenash
dhe deri në ato industrial. Por arkitektura ka evoluar me shumë rryma
bashkëkohore, të cilat deri diku janë zhvillim, por dhe mohim i Arkitekturës
Moderne.
Po le të kthehemi në arkitektura e Korçës dhe në banesat e bulevard
“Republikës”, të cilat miku im (dhe shumë të tjerë) për qëllime të caktuara ose
nga mosdija e mjaftueshme i quajnë “supermoderne”. Pjesa më e madhe e tyre janë
projekte “kallfësh”, të cilët kishin studiuar në Greqi ose në vende të tjera të
Ballkanit, në shkolla ku vazhdohej të ndiqeshin parimet klasike të
arkitekturës. Duke qënë se dhe pjesa dërmuese e arkitektëve grekë, rumunë,
bullgarë apo sërbë, kishin të njëjtin formim dhe projektonin po njëlloj, nuk
kishte se si “gjysëm arkitektët tanë“ të projektonin ndryshe. Një pjesë e mirë
e banesave ishin simetrike, e një korridor të madh në qendër dhe dhoma e
sobalka në të dy krahët, banjat ishin në oborr (rrallë brenda banesës), hyrja bëhej
pompoze me një portik dhe mungonte ngrohja qëndrore. Kuzhinat ishin diku në
fund të korridorit dhe ende nuk ishte hequr dorë nga ashefet. Ku qëndron modernia në këtë arkitekturë?
I rëndova në shkrimin e parë padijes të fshatarëve të varfër
të Korçës, që shkonin në kurbet dhe me paratë e fituara donin të bënin një
banesë prej “aristokrati”. Gjithashtu pak të kënduar ishin edhe tregëtarët e
pasur, madje edhe gjeniu jonë i bisturisë dr. Sotir Polena. Edhe ai u mundua të
sajonte vetë një pallat prej “konti”, si ato që kishte parë në Gjermani dhe
Austri. I tillë ishte koncepti i shoqërisë së Korçës në atë kohë për
arkitekturën. Por nuk kishte asgjë Moderne në të edhe pse mund të ishte
Bashkëkohore nëse e krahasojmë me ndërtimet e tjera në Ballkan.
Ka një përjekje për të shitur “sapunin për djathë“ në qarqet
e projektimit që lidhen me ish Institutin e Monumenteve. Për të patur dorë në
miratimin e projekteve, kanë përcaktuar që në shumë lagje tradicionale të Korçës
të projektohet sipas modeleve të vilave “supermoderne” të bulevard “Republikës”.
E njëjta gjë po ndodh me kompleksin e ri në Belvederja, ku për arsye të
pakuptueshme për mua, rifutet ky gjasme stil i arkitekturës së Korçës me
dritare të ngushta, rrethime gur-kangjella dhe detaje të tjera të huazuara prej
100 vitesh më parë në katalogët e veprave arkitekturore të prapambetura.
Eshtë mënyra më e
thjeshtë, por dhe më anakronike për të projektuar sot.
Korça ka patur ndërtime moderne ose përpjekje për to dhe në
ato vite, dhe mund të përmend këtu Bankën, ndërtesën e Prefekturës të ark Qemal
Butkës, banesën e vëllait të vogël të vëllazërisë Qiriaku dhe ndonjë tjetër,
por në to nuk përshihet asnjë ndërtim përgjatë bulevardit “Republika”.
No comments:
Post a Comment