Sunday, 25 December 2022

I bukuri Krisht dhe fëmijëria jonë


Nuk kujtoj se në ç’vit kam mësuar për Krishtin. Për Perëndinë e di që kemi folur me shokët e mij kolopuçë në oborrin e gjelbëruar të kopështit 10. Në shtëpi nuk flitej me hollësi rreth çështjeve fetare, por Perëndia dhe Zoti ishin të pranishme, veçanërisht në fjalët e sime mëje. Kryesisht si shprehje abstrakte “Perëndia përpara”, “do Zoti”, “ka një Perëndi që i shikon” e të tjera të tilla. Nuk kujtoj të kishte shprehje ku përmendej Krishti qoftë si bir i Perëndisë dhe as si Shpëtimtar. Edhe edukatoret e kopështit nuk i preknin temat fetare, duket të orientuara nga seksionet e arsimit.

Edhe ato dy tre herë që mamaja më kishte marrë me vete në Kishën e Mitropolisë nuk kujtoj të më kishte thënë gjë se cili ishte Krishti mes ikonave të shumta me burra mjekërgjatë, të cilat më shkaktonin një ndjenjë frike. Ka të ngjarë që për herë të parë të kem pyetur babanë për Krishtin, pas mbylljes së kishave dhe rritjes së propagandaës fetare. Ishte një kohë që me bashkëmoshatarët debatonim nëse kishte apo jo Perëndi dhe nëse vërtet kishte jetuar Krishti. Im atë u përgjigj me shumë kujdes, që ka shumë diskutime nëse vërtet ka jetuar Jezui dhe se ka një teori, që shumë mësime të tij janë të shkruara nga Shën Pavli, i cili është një personazh i njohur historik edhe nga shkencëtarët. Ime më ishte e sigurt që Krishti ishte i vërtetë dhe kishat i kishin mbyllur kot, por nuk zgjatej shumë në këtë temë, se si për çdo gjë tjetër theshte që duhet të pyesnim babanë “se ai dinte”.

Një shoqja ime e mëhallës ishte e sigurt që Krishti kishte jetuar, se ja kishte thënë e jëma. Më bënte përshtypje një “deklaratë“ e tillë, se e dija që ishin shumë të lidhur me Partinë. E megjithatë refreni jo zyrtar i bisedave me njerëzve që njihja ishte “…po ç’ju bënin kishat këtyre! Feja për mirë të mëson!” Kjo ishte një bindje e brezit tonë, që po edukohej si një brez ateistësh, por që kishte mall për Karnavalet, Ditën e Kolendrave, Panairet dhe festën e Pashkëve. Po rriteshim si fëmijë pa festa ose më mirë si fëmijë vetëm me Festën e 1 Majit, kur parakalonim para tribunës, ku rrinin shokët e Partisë në rreth dhe një i deleguar nga Tirana.

Më pas dëgjonim duke qeshur histori debatesh si “Krishti nuk ka ekzistuar!” / “Edhe Stalini nuk ka ekzistuar!”/ “Unë e kam parë në kinema Stalinin.”/ “Edhe unë e kam parë në kinema Krishtin!”/ “Shokët e mij ja kanë parë varrin në Moskë!”/ “Edhe shokët tim ja kanë parë varrin në Jeruzalem!”. Debati ishte mes dy mekankësh në Trikotazh dhe njëri prej tyre ishte komunist, kurse tjetri ende besimtar.

Festa e Krishtlindjes ishte thuajse e sfumuar nga Festa e Vitit të Ri, që kishte marrë bredhin dhe stolitë, si dhe Santan, që ishte kthyer në Babagjyshi i Vitit të Ri, sipas modeleve sllave.

Madhështia e njeriut që ndryshoi përfundimisht Historinë e Njerëzimit me predikimet e tij nuk ishte e pranishme në fëmijërinë tonë dhe ne vazhduam të ushqeheshim me një filozofi prjashtuese, që na formoi si thellësisht injorantë në çështjet më themelore të filozofisë dhe moralit. Shumë prej nesh e vuajnë ende këtë keqformim mendor dhe nuk janë në gjendje të kuptojnë përse Historia ndahet në para Krishtit dhe pas Tij. As të kuptojnë Bukurinë e pasosur shpirtërore të Tij!

No comments:

Post a Comment