Monday, 12 December 2022

E shkruar në ballë…


Ai e kishte të shkruar në ballë, që ishte kurvar. Ka vërtet njerëz të tillë. Që në ballë e kanë të shkruar se ç’janë. Si mund ta ketë një grua të shkruar që është kurvë. Dhe këtë e them pa asnjë paragjykim për kurvat dhe kurvarët. Se një nga arsyet që kjo jetë është shumë e bukur është dhe prania e kurvave dhe kurvarëve.  Madje i japin një ngjyrë tepër të zjarrtë jetës.

Nuk di pse mu kujtua papritmas ndërsa këputja bishtat e mashurkave. Krejt pa lidhje. Madje edhe nëse kërkoj në skutat më të errëta të trurit tim nuk mund të gjej diçka që lidhet specifikisht me mashurkat. Veç një bejteje të vjetër të fëmijërisë sime- “Turkë, turkë, “ashtu “ mashurkë…”

Nuk di dhe pse populli jonë i mençur ka përdorur shprehjen “e ka të shkruar në ballë“. Nuk e kanë popujt e tjerë. As ata që kanë shkruar ku e ku sa më parë se ne. Të ketë lidhje me shenjat që vinin në ballë dikur popujt primitivë? Ndoshta edhe ilirët? Se duhet të ketë qënë më e vështirë ato kohë të paftilluara mirë për të pasur gjithkush emra, ndaj kur ngjyronin fytyrën me gjithfarë vijash dhe rrathësh, në ballë vinin shënjën që përfaqësonte identitetin e tyre. Ndoshta burrat tepër të shtënë pas femrave pikutronin një elips me një vijë në mes, ndërsa ata që ishin të shtënë pas gjuetisë pikturonin një majë shigjete e me rradhë. Dhe kështu ka mbetur shprehja “e ka të shkruar në ballë“. Më pas vijuan emrat dhe profesionet.

Lexuesit më të vëmendshëm të blog-ut do mundohen të gjejnë me mend, se për kë bëhet fjalë në këtë skicë-portret, por po ju them që kot mundohen se nuk po shkruaj rreth dikujt që e njohin. Madje as unë nuk e njoh. U përballa me të dhe menjëherë mendova ç’ka shkrojta në hyrje të shkrimit. Më pas, si ballëshkruari ishte larguar nisa edhe të përsiatja më shumë se si na krijohen përshtypje të tilla. Se isha plotësisht i bindur që ai ishte i tillë. Sikundër e kishte të shkruar në ballë. Madje u mundua të më fliste,si për të më treguar diçka, por i bëra shënjë me dorë, si për t’i thënë “E di që do më tregosh ndonjë aventurë erotike, por nuk jam në qejf për të dëgjuar histori të tilla sot!” Ai vazhdoi rrugën aspak i fyer, sikur mos kishte ndodhur asgjë. Se ndoshta është nga ata lloj kurvarësh që nuk kanë parimin ;” Po mos tregove zere se nuk ke bërë!”

Më pas, mes përsiatje-debatit, unë shtrova pyetjen: “Po sikur të jesh gabuar në leximin që i bëre ballit të tij? Dhe duke mos pasur as një argument të favorshëm veç- “po ajo ta bënte muuuuu!”, nisa të mendoj se si na krijohen në tru të tilla bindje, klasifikime, gjykime krahasimore sapo shohim dikë. Se nuk është diçka që jemi në gjendje ta kontrollojmë. Kërcen natyrshëm në një ose disa nga qelizat e masës së hirtë që kemi brenda kafkës dhe merr formën e një fjalie të vetme: “Ky është kurvar!” Brenda një pjesëze të sekondës, “kompjuteri” jonë merr në shqyrtim qindra fytyra, mijëra ngjarje, dhjetra pjesë filmash, një numur situatash të turpshme dhe arrin në përfundimin e mësipërm. Ka të bëjë me tipizimin e fytyrave, trupave, gjymtyrëve, veshjeve dhe shumë gjërave të tjera të njeriut. Prandaj arrihet në këto deklarata instiktive si “ky është zetorist”, ‘kjo zonjë tip ’66-e”, “katnar”, “profesor”, “sharlatan”, “lezbike”, “boksier”, “mjelëse”, “karagjoz”, “drogaxhi”, “zarbë“, “sarahosh”, “zheni”, “shtëpiake”, “kardiolog” e pafund të tilla.

Mbas gjithë këtyre përsiatjeve (dhe të tjerave që nuk po i paraqes këtu se janë tepër naïve)kuptova se merrem shumë me të kaluarën dhe i kushtoj pak rëndësi të ardhmes. Se në fund të fundit “kurvari” i përkiste të kaluarës dhe një të kaluare që nuk kthehej më.

Unë duhet të mendoj se çdo ndodhë në të ardhmen dhe se ç’tipa dhe tipesha që e kanë të shkruar në ballë mund të takoj. Njëlloj si në një roman fantastiko-shkencor, ku takon qënie të tjera të ardhura nga të tjera galaktika. Dhe kështu jeta zgjatet pafundësisht. Dhe merr të tjera ngjyra… Dhe në fund të gjithë largohen po njëlloj…pavarësisht si e kanë të shkruar në ballë.

No comments:

Post a Comment