Tuesday, 27 December 2022

Absurditetet e një regjimi


Po bëhet një vit, që nga botimi i librit tim "Biseda të pakryera me babanë". Të tjera gjëra mësova, pasi njerëzit e patën lexuar, që më bindi se për jetën e një njeriu nuk do mundesh kurrë të shkruash një libër biografik shterues. Nga shumë njerëz mësova episode të jetës së tij, të cilat nuk i dija, si dhe gjëra që më befasuan.

Por tek dosja e tij në Arkivin e Shtetit, që mu dërgua me foto nga miq të një mikeshës sime, mësova gjëra që edhe vetë babai nuk i kishte ditur. Kryesisht lidheshin me përjashtimin e tij nga Partia e Punës dhe shqyrtimin e kërkesës së tij, që ai vendim të konsiderohej i padrejtë. Pata lexuar prej vitesh kërkesën e tij, që ai e ruante në dokumentet personale, por nuk kisha ditur se ç'kishte ndodhur më pas. Ai vetë nuk donte të fliste rreth përjashtimit nga Partia dhe një herë të vetme, që e kishim prekur, më pat treguar se pas suksesit të operas “Lulja e Kujtimit”, Ramadan Xhangolli, asokohe Sekretar i Parë në Korçë, i kishte thënë të bënte lutje për të hyrë në Parti. Babai nuk i kishte kundërshtuar, por nuk e kishte bërë atë gjë.

Tek dokumentat që janë në dosjen e tij, (si anëtar partie kishte një të tillë në Komitetin Qëndror), dëshmohet për gjithë procesin e shqyrtimit të kërkesës së tij të vitit 1951, që vendimi i Pleniumit të Partisë së Korçës për përjashtimin e tij nga Partia i korrikut 1950 të hidhej poshtë. Procesi është i gjatë dhe i gjykuar me standartet e sotme, absurd. Në njëfarë mënyre tregon se Partia i merrte "seriozisht" ankimet e anëtarëve të saj. E vërteta është se Partia nuk kishte shumë për të bërë me aparatin e saj burokratik dhe një pjesë e administratës së saj të fryrë, duhet të merrej me "verifikimin" e problemeve të ngritura në bazë. Punonjësit në fjalë, që ishin instruktorë të Komitetit Qëndror ose punonjës të sektorit të kuadrit në atë institucion, shpenzonin ditë të tëra me dieta për të takuar njerëz dhe për të parë materiale që lidheshin me kërkesë-ankesën.

Në rastin e kërkesës së Andon Marës, për përjashtim të padrejtë nga Partia, nuk mjaftonin dokumentat e tij, ku dëshmohej se arsyet e përjashtimit kishin qënë të rreme, por e dërguara e Komitetit Qëndror, Shpresa Fuga, duhej të takonte një për një të gjithë personat e përfshirë në atë histori dhe më pas të relatonte në Kolegjiumin e Komitetit Qëndror. Të bën përshtypje, se megjithëse pak vite pas mbarimit të Luftsës, ishte krijuar një burokraci e tipit të ri, që shpenzonte paratë e njerëzve për gjëra thuajse të kota. Vërtet, që shpesh kërkesë-ankesat kishin të bënin me fatin e jetës të një individi, por kjo

është një dëshmi më shumë se ishte nje aparat shtetëror që sundonte jetët e njerëzve në mënyrë arbitrare.

Në shënimet e raportuara nga Shpresa Fuga dhe me siguri "për përdorim të brendshëm", sheh sjelljet e ndryshme të njerëzve, të cilat im atë nuk i mësoi dot kurrë. Frika i detyronte të njohurit e tij të modifikonin qëndrimet e tyre dhe të jepnin përgjigje në kundërshtim me të vërtetën ose përgjigje "as mish as peshk".

Nga 9 arsyet e renditura në vendimin për përjashtimin nga Partia, duke qënë se edhe vetë funksionarët e lartë e shihnin se pjesa dërmuese ishin qesharake, “hetimi” ishte përqëndruar në dy pika. A kishte qënë Andon Mara nën ndikimin e Niko Xhoçkës dhe a kishte dezertuar nga rradhët partizane në tetor të vitit 1943.

Pas një përvoje të madhe jete, gjithnjë e më shumë më duket absurde dhe dashakeqe sjellja e shumë njerëzve të ashtuquajtur komunistë ndaj një njeriu, të cilin e quanin shok dhe bashkëluftëtar të një ideali. Diçka thellësisht negative dhe jonjerëzore kishte qënë në pikënisjen e atij organizimi, që pretendonte se do përpiqej të luftonte për barazinë dhe begatinë e të gjithë njerëzve. Askush nuk shihte faktet më të thjeshta të jetës të një të riu si Andon Mara. Një nënshtetas turk me origjinë shqiptare, që gjithë adoleshencën dhe rininë e tij quante Stambollin atdhe, i ishte bashkuar çështjes së çlirimit të Shqipërisë dhe thuajse kishte humbur jetën në një përpjekje me gjermanët. Më pas, e kishin pranuar në Parti dhe sipas numurit të teserës duhet të ishte komunisti i 519-të . Vetëm 6 vjet më vonë i mohonin thuajse çdo gjë që kishte bërë për vendin dhe për atë organizatë, e cila kishte marrë pushtetin dhe që ishte Partia Komuniste.

Si funksiononte ky grup njerëzish jo shumë i madh?

(vijon)

No comments:

Post a Comment