Milka nuk është sllave. Eshtë lindur në të njëjtin qytet ku kam lindur edhe unë, madje edhe në të njëjtin vit. Ka buzëqeshur gjithmonë, ndoshta edhe kur ka pasur vështirësi në jetë. Të tillë e mbaj mend. Dashamirëse ndaj njerëzve.
Nuk kam ditur shumë rreth jetës së saj, sepse jetonim në dy
lagje jo pranë njëra tjetrës. E pashë dhe e njoha. Më pa dhe nuk më njohu.
Ndoshta unë kam ndryshuar shumë. Më pas më përqafoi dhe më tregoi se kishte qënë
shumë vite në Amerikë. Diku në Jug. Nuk jam i sigurt në Teksas apo në Florida.
Ndoshta në Florida. Donte të më tregonte shumë gjëra rreth Amerikës, prej
intervistës në ambasadën amerikane dhe deri në vendimin për t’u kthyer në Shqipëri.
Gjatë pesë minutave në një trotuar pranë shkollës sonë. Më tregonte rrufeshëm
dhe në fund të fjalisë shtonte një -Yes. Ndoshta për të konfirmuar se çdo gjë e
thënë në shqip ishte e vërtetë dhe kishte ndodhur atje ku jetonin anglishtfolësit.
Nuk munda ta pyesja rreth jetës së saj, se ajo vazhdonte të
më tregonte dhe të më thoshte se tani Amerikën e kishte në Shqipëri dhe nuk e
zinte shumë malli për të. Nuk mësova nëse kishte familje, fëmijë a nipër e
mbesa. Vetëm që kishte qënë 11 vjet në Amerikë dhe ishte bërë edhe nënshtetase
edhe pse kishte pasur vështirësi me anglishten. Dhe përsëri shtonte një Yes në
fund. Unë rrija dhe e dëgjoja dhe mendoja se kur e kisha takuar për herë të
fundit. 40 vjet më parë?
Milka nuk ishte me ne në grupin e anglishtes. Mësonte
rusisht me gjysmën tjetër të klasës. Mësonin rusisht, kur askujt nuk i pëlqente
ajo gjuhë dhe me një mësues që nuk dinte mirë rusisht. Dhe asnjëherë nuk kishim
dëgjuar prej grupit tjetër të thoshin ndonjë fjalë rusisht apo të këndonin
ndonjë këngë ruse. Ndoshta rusishtja nuk i ndihte as për të kuptuar filmat që
shihnim në televizionin maqedonas në vitet ’70. Nuk vlente për asgjë. Ishte e
qartë që brezi jonë ishte kundër rusëve dhe jo se ishin revizionistë. Por se ne
ishim të gjithë proeuropianë dhe proamerikanë. Edhe pse mund të mos ishim të
gjithë disidentë.
Pas 40 vjetësh unë nuk do jem në këtë “dynja”. Milka edhe
mundet, se gratë statistikisht rrojnë më shumë. Për më tepër ajo merrej edhe me
sport dhe dukej ende shumë energjike. Ngutej edhe kur më shpjegonte për vitet
në “kurbet”. Nxitoi edhe për të shkuar diku ku kishte punë ose e prisnin.
Kishte një shpejtësi shumë të ndryshme nga ajo e mbiemrit të saj, Deveja. Nuk
tha as “po plakemi”, si e thonë plot bashkëmoshatarë të mij. Duket që në jetën
e saj ka shumë e shumë gjëra për të përmbushur. Me pozivitetin dhe dashamirësinë
e saj. Dhe duke tundur kokën plot besim dhe duke shtuar një “Yes” në fund të
çdo fraze.
No comments:
Post a Comment