Friday, 30 April 2021

Qifja Shqipërinë …e do!


Një miku im me më shumë përvojë jete se unë, që nuk i honeps dot Ramën dhe Peleshin, më pyeti këto ditë : “Po si do bëhet?” Nuk priste ndonjë përgjigje të men]ur nga unë, se ai e njeh më mirë Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare, por ndoshta dëshironte një lloj ngushëllimi. I thashë që nuk është shumë për tu ]uditur, se PS-ja(të pasurit rreth saj) ka shumë para dhe mundësi të tjera për t’i blerë votat. Për më tepër dhe opozita nuk ofron ndonjë ekip më të mirë për të drejtuar një vend, i cili ka nevojë për luftë ndaj korrupsionit dhe reforma kryesisht ekonomike.

Për të zgjeruar përgjigjen që i dhashë mikut tim dhe disa miqve të tjerë, që kanë një pështjellim në mendje për të ardhmen e Shqipërisë, dua të shtoj edhe disa mendime se pse edhe për një legjislaturë tjetër ose edhe më shumë, politika shqiptare nuk mund të ndryshojë.

Së pari duhet të heqim nga mendja idenë se ne nuk bëhemi se jemi një vend ku fiton Qifja me Tom Doshin. Realiteti i jonë (si gati i gjithëvendeve të Europës Lindore) është ky, ku edhe Qifja edhe Toma jo vetëm që e duan Shqipërinë, por kanë edhe shumë përkrahës. E them me seriozitet që Qifja Shqipërinë e do, se jeton atje, ndërton biznese, ndihmon njerëz dhe ju ha hakun të tjerëve, përpiqet për fisin e tij dhe ata që i quan miq. Nuk ka kuptim që ta përjashtojmë atë nga realiteti shqiptar, ose të themi se ku ka katandisur Shqipëria. Qifja dhe Qifet kanë qënë dhe do të jenë dhe nëse ne nuk jemi në gjendje të shpijem në Parlament më të mirë se ata, nuk kemi pse t’i bëjmë fajtorë. Ata edhe duke patur vështirësi (si presioni i amerikanëve ndaj Doshit) kanë luajtur sipas rregullave të pashkruara të lojës politike dhe arritën të fitonin.

Situata politike në Shqipëri tani është më e thjeshtëzuar se më parë. Ka mbetur vetëm kampi Rama përballë kampit anti-Rama. Por kampi anti-Rama që të fitojë duhet të heqë dorë nga Qifet e tij. Pra ose PD-ja reformohet plotësisht me njerëz të pastër, të palidhur me krimin e organizuar dhe me parallinjtë me të shkuar kriminale, ose një grupim i ri me anti-Qife duhet të krijohet dhe brenda katër viteve të arrijë të krijojë një alternativë politike të besueshme antikorrupsion.

“Një fjalë goje” do më thonë miqtë e mi që jetojnë në Shqipëri dhe që me të drejtë janë më pesimistë se unë. Por nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Nëse e para është shumë e vështirë për shkak të përlyerjes së PD-së dhe ndikimit të madh të klanit Berisha atëhere të pakënaqurit duhet të ngrihen për të krijuar të të dytën.

Eshtë tejet e vështirë se shumë figura më pak të përlyera si Bojaxhiu, Blushi, Topalli, Patozi dhe të tjerë janë përpjekur gjatë viteve të krijojnë alternativa të tilla, por kanë dështuar që në embrion.

Por nëse rri në shtëpi dhe lodh kokën duke dëgjuar Top-in, Klan-in, Syrin apo ku di unë se ]’televizone të tjera ka dhe “shkrofëtin” “Ky vend nuk bëhet!” edhe ti ke pjesë dhe ndihmon në këtë mosbërje.

E kam përmendur disa herë një thënie të Xhorxh Gaber, që ndoshta gjithashtu e ka të huazuar: “Demokracia është pjesëmarrje!”

Nëse nuk e kuptojmë këtë ose bëjmë sikur nuk e kuptojmë se “na volet” atëhere lerini Qifen të bëjë Shqipërinë si e mendon ai!

No comments:

Post a Comment