Përcjellja e vizitës sime tek farmacisti D’Artanjan dhe përmendja e netëdaljeve të Fyfy dhe kërkimeve shumëorshe të Zhan Poli-t ka ngjallur indinjatën tek Rotarianët shqiptarë. Avokati im në Tiranë më dërgoi e-mailin e mëposhtëm qortues:
“E konsideroj të
nxituar, të dëmshme për çështjet tona dhe ligjërisht të diskutueshme përcjelljen
, që i ke bërë vizitës tek D’Artanjanët dhe bisedave me ta. Në një kohë që unë
me stafin tim po përpiqemi t’i japim një zgjidhje përfundimtare “çështjes
Ushkurov” duke i mëshuar linjës Rotariane, ti boton një tregim plot insinuata për
moralin e kreut të Klubit Rotarian të Sherbrooke. Vetëm dje kam marrë disa
mesazhe nga miqtë e mij në Korçë dhe Berat, ku përshkruhet zemërimi i disa
rotarianëve dhe mundësia e hartimit të një peticioni drejtuar Rotarianëve të
Kanadasë, për të prapësuar vendimin e anëtarësimit tënd në Klub. Gjithashtu ka
zëra se edhe Shoqata e Farmacistëve Shqiptarë ka shprehur pakënaqësi rreth
postimit të fundit. Të këshilloj të ndërpresësh menjëherë të gjitha shkrimet që
kanë të bëjnë me Klubin Rotarian dhe që lidhen me drejtpërsëdrejti me “procesin
Ushkurov”.”
Unë nuk doja në asnjë mënyrë të prekja ndjenjat e vëllezërve
të mij dhe motrave të mija të Klubit. Përmendja e bisedës ishte për të spjeguar
se edhe Rotarianët më të fuqishëm janë njerëz si ne, me të mirat dhe të metat,
me komplekset dhe transgresionet, me virtytet e përjetshme dhe veset e
përkohëshme. Nuk është aspak në interesin tim të krijoj një imazh të keq të
atyre, me të cilët më lidh ideali i lartë rotarian. Dhe kur, pikërisht tani,
kur po e ndjej veten si anëtar i Tryezës së Rrumbullakët të mbretit Artur.
Nëse unë përmenda detajin e syshkeljes ndaj farmacistit Zhan
Pol, kjo ishte si të thuash një lloj solidarizimi mes meshkujsh, si për të thënë
që i kuptoj daljet nokturne të Fyfy, sepse ashtu si maçoku edhe unë jam
mashkull vetë. Fakti, që farmacisti ka dobësi për maçokun e tij dhe prish
gjumin e pasmesnatës, nuk ka pse të ngjallë asnjë lloj indinjate , por vetëm
admirim për të, si dhe për mua, që në mënyrë të tejdukshme e përcolla të gjithë
bisedën përfshirë edhe “gjuhën e trupit”(body language). Për më tepër nuk
kuptoj dot pakënaqësinë e Shoqatës së Farmacistëve, pasi shkrimi nuk prek asnjë
praktikë të dyshimtë mjekësore apo tregëtare të rrjetit farmacistor në Shqipëri
dhe më gjërë.
Aq më pak kanë të drejtë të ankohen animalistët, se përshkrimi
im i Fyfy dhe i epsheve të tij rotariane(këtë e kam shkruar në kuptimin
ciklike) ka qënë realist dhe i paanshëm. Bile edhe me një lloj dashurie, se më
kujtonte maçokun tim Miko, i cili gjatë dimrit 2004-05, dilte vazhdimisht netëve
dhe zihej me me maçokë të tjerë pullazeve të Misissagas.
Nuk them se e kam të pamundur, që mos shkruaj më në blog, se
me sa kuptoj këtu është edhe rrënja e problemeve të mija sociale , ekonomike
dhe ligjore, por nëse nuk do shkruaj, edhe kjo mund të keqinterpretohet si “heshtje
pas anëtarësimit në Klub”, ”Omerta e Rotarianëve”, “Cështja ballkanike Ushkurov
mbyll përfundimisht një blog 10 vjeçar” ose “blogeri i djathtë detyrohet të mos
flasë më para 25 prillit”. Ndaj sa të mbij flokë në tullën time mbi dhjetvjeçare
unë heq edhe skalpin tim mediasocialist. Avokati im i bije shkurt duke marrë
parsysh vetëm anën teknike ligjore dhe mbylljen sa më shpejt të padisë
bullgare, por heshtja ime e plotë mund të komplikojë paditë e tjera ligjore, të
cilat me siguri kanë për të mbirë si kërpudhat pas veskave pranverore, menjëherë
sa të ndal shkrimet. Dhe kërpudha-paditë nuk kanë ç’më duhen edhe sikur të jetë
e sigurt se me kundërpaditë do arrij të fitoj shuma të mëdha. Procesi gjyqësor
Korçë-Tiranë-Stratsburg dhe kthim është i gjatë, i lodhshëm dhe i pasigurt.
E sigurt është vetëm Llomotitja!
No comments:
Post a Comment