Për mendimin tim shanset janë një zero e madhe!
Dy ditë më parë, kur dukej se PS-ja po fitonte mendova
shpejt e shpejt se “çdo e keqe e ka një të mirë“ duke gjykuar se 4 vitet nën
regjimin e Edi Ramës do sillnin të paktën largimin e Ilir Metës nga politika
dhe ndoshta edhe përballjen e tij me Drejtësinë shqiptare.
Mendimi i shpejtë nuk ishte tërësisht naiv, sepse merrja në
konsideratë jo dëshirën e mirë të Ramës, por marëdhëniet e këqija në vazhdim të
Metës me ambasadorët amerikanë dhe shkallëzimin e fundit me absurditetet “ata që flasin anglisht por mendojnë sërbisht”
dhe “po të dojë të më vrasë SHBA(me dron)
të paktën të më thonë të shkoj në mali me Gropa”.
Që amerikanët e duan largimin e Metës nga Presidenca si dhe
dënimin e tij për korrupsion, për këtë nuk kam asnjë dyshim. E megjithatë, jo
vetëm se në këtë vend marrja e vendimeve bëhet nga Kryeministri shqiptar, por
edhe sepse largimi i Metës nuk është prioritet për amerikanët, Ilir Meta do
vazhdojë të jetë President deri në skadimin e afatit.
Rama nuk ka asnjë interes të largojë Metën nga Presidenca.
Duke qënë i qetë pas fitimit të mandatit të tretë Ramës i intereson
tashmë vetëm të retushojë portretin e tij prej autokrati para të huajve,
qofshin ata europianët e BE-së apo amerikanët. Faktorët e brendshëm për të tani
nuk kanë asnjë lloj force apo rëndësije. Ai mund të ndjekë me vëmendje
zhvillimet në PD, ku ndoshta preferon të mbetet Basha në krye, por edhe në
rastin e ndryshimit të kreut të PD-së shqetësimi i tij nuk është i menjëhershëm.
LSI-ja ka vetëm 4 deputetë dhe asnjë peshë në Parlamenin e
ardhshëm dhe Meta nuk ka asnjë forcë të kthejë ligjet e miratuara nga PS. Mbi
kokën e tij rri shpata e shkarkimit ndaj Meta në pamje do jetë një dash pa brirë
dhe në prapaskena do nisë (nëse nuk ka nisur ende) negociatat me miq, para dhe
këmbime të tjera me Ramën.
Për të gënjyer socialistët dhe për t’ju hedhur hi syve të
huajve, Rama do vazhdojë të shtiret se do të heqë Metën dhe të luftojë
korrupsionin, por ndaj të huajve do justifikohet se teknikisht është e vështirë
dhe njëkohësisht dëshiron të jetë Kryeministër i të gjithë shqiptarëve.
Rrezikun brenda vendit Ramës i vjen vetëm nga Rama. Nëse do
pëlcasin skandale të aferave të mëdha të korrupsionit, ai për të shpërndarë vëmenjen
nga to mund të merret edhe me Metën edhe me ndonjë tjetër më pak të rëndësishëm,
por hë për hë do shijojë pranverën dhe verën e fitores.
Dimri i shqiptarëve vazhdon dhe do bëhet më i acartë, por
asnjë rreze shprese, as edhe shkarkimi i Metës nuk ka për të ndodhur.
No comments:
Post a Comment