Saturday, 17 April 2021

E shtunë, e shtatëmbëdhjeta ditë


Eshtë e shtatëmbëdhjeta ditë e këtij muaji dhe dita e 22777-të që marr frymë. E shtunë. Ditë e shtënë kur për 7 miliard njerëz që marrin frymë njëkohësisht me mua, gjëja më e rëndësishme në lajmet ndërkombëtare është varrimi i një 99-vjeçari, që afërsisht ka jetuar 36 mijë e 177 ditë në planetin Tokë.

Diçka na fshehin se nuk ka mundësi që mos ketë gjë më të rëndësishme se varrimi i Filipit. Thuhet edhe që kanë vdekur 3 milion njerëz nga Covid-19, por jo vetëm sot. Deri më sot. Që prej lakuriqit të natës të therrur në një treg të Wuhan-it.

Unë jam i zënë për dore me 7 miliard njerëz, që mundohen të mësojnë se ç’po ndodh dhe si do na vejë filli. Do e pësojmë nga Covid, nga vaksina anti-covid, nga ngrohja globale, nga kriza e papritur e bursave, nga kufizimi i ardhshëm i ushqimeve, apo nga pakësimi i rezervave botërore të ujit të pishëm.

Fqinji në të djathën time më pyet “C’kemi ndonjë të re?” dhe unë pasi i përgjigjem “Hiç”, kthehem t’i bëj të njëjtën pyetje fqinjit në të majtën time, që ngre supet.

“Hiç”, “niente”, “nothing”, “nada”, “rien”, “nishta”, “tipota”, “një mut- do theshte plot inat pijeshitësi Pavlivec”.

Diçka të madhe fshehin dhe ne e dimë që e fshehin, por nuk dimë ata që e dinë, si dhe nuk dimë se pse e fshehin. Veç kur të pëlcasë!

Një shok më pyet me mesazh nga një target në Mesdhe, nëse kam patur të njëjtat fantazi me Ramën, për Mrika Kodhelin dhe e kuptoj që dhe ai s’di se ç’bëhet në botë. Se po ta dinte nuk kishte pse të më bënte këtë pyetje tërësisht absurde. Thua se flitet për Bardonë apo Kardinalen.

Pas 6 orësh do mbyllet edhe dita e shtatëmbëdhjetë e muajit dhe do i jem dorëzuar gjumit, ku të paktën endem botëve ireale ku ndodh diçka edhe pse tërësisht e pakuptueshme dhe e fshehtë.

Mbase diçka ndodh ndërsa unë dhe një e treta e globit fled he do e mësojmë kur të zgjohemi. Nëse zgjohemi në ditën e tetëmbëdhjetë të muajit!

No comments:

Post a Comment