Wednesday, 7 April 2021

Mes Shillës dhe Karibdës


Nuk është e thënë të fle një natë më shumë se dy orë. Në orën 1 (7 e mëngjesit në Tiranë) avokati im dërgoi emailin e mëposhtëm:

U befasova nga fakti, që nuk më shkrojte mua më parë, por shkarkimin tim e bëre publik në blog-un tënd. Ndjej keqardhje!

Pa dashur të di në hollësi se cilat ishin arsyet e vërteta të këtij shkarkimi, po të bëj të njohur, që në studiot ligjore të qytetit të Korçës po përgatiten një sërë padish kundër teje për shpifje dhe cënim të personalitetit, të cilat do rregjistrohen në Gjykatën e Faktit menjëherë pas 25 prillit. Po të përmend vetëm disa prej tyre: Tre Nikot, Katër Vaskat, Ali Jashari, Jashar Aliu, Vehbi dhe Marenglenvera Furrxhi, Ligaveci Gollash dhe Miu i Gjirizave.

Unë po planifikoja që gjatë gjithë 6 mujorit të dytë të vitit 2021 dhe  gjithë vitit 2022, sudioja ime ligjore të merrej me paditë dhe kundërpaditë, që lidhen me blog-un tënd. Bile për të llogaritur raportin mes fitimeve dhe shpenzimeve financiare prej tyre, do punësoja ekonomistin e njohur S.H., i cili tani është në pension, por ka përvojën e duhur në llogaritje të këtij lloji.

Nuk po përmend këtu zërat për një sërë padish të pritshme në Gjykatën e Tiranës, sepse nuk i kam ende të konfirmuara nga tre burime. Jam i detyruara të të njoftoj për sa më sipër dhe të mos merrem fare me videon e anonimes “boboshtarka59”, që për hir të së vërtetës është e manipuluar.”

Si i numurova disa herë më dilnin 7 padi të mundshme, nëse Nikot dhe Vaskat i bëjnë kolektive, se në të kundërt numuri arrin në një dyzinë.

Të mbaj ‘boboshtarkën” dhe të shikoj për avokat tjetër? Po të gjithë juristët që kam njohur kur isha në Shqipëri kanë dalë në pension. Mbetet vetëm juristi Buke, po me sa di dhe ai merret vetëm me çështje noteriale.

Nuk di as se kush është ekonomisti S.H. Mbase ai mund të më bënte një llogaritje nëse më dilte më mirë të paguaj Mlladen Ushkurovin dhe të përqëndrohem në kundërpaditë ndaj 3 Nikove, 4 Vaskave dhe Ligavecit Gollash. (Për Miun e Gjirizave duhet më parë ta identifikoj ose unë ose avokati.)

Po nuk është vetëm çështje ekonomike. Eshtë etike, ligjore, ndërkombëtare, filozofike, sociologjike dhe në fund fare është financiare. Se të tërhiqem nga “çshtja Ushkurov” do të thotë jo vetëm të braktis rëndësinë e “mentorizmit” në jetë, por edhe të përkulem para “rrezikut bullgar” dhe pushtimit të Boboshticës. Cështjet e tjera janë të rëndësisë politike, gjenetike, ekologjike, artistike dhe krahinore.

Po nëse dua të kthehem në Itakën time duhet të kaloj mes Shillës dhe Karibdës. Problemi është tek Penelopa, që nuk ekziston, por ku dihet se ç’do sjellin ditët që do vijnë. Pas shumë vojtkave ndoshta do ketë një rreze drite edhe për mua!

No comments:

Post a Comment