Më në fund!
I shumëprituri muaj erdhi dhe bashkë me të do vijnë vaksinat
për të gjithë, lehtësimi i lëvizjes mes shteteve, zgjedhjet e përgjithshme në
Shqipëri dhe zgjimi nga gjumi i Xho-së.
Për atdhetarët dhe sidomos për zogistët, muaji nuk kishte
nam të mirë, se jo vetëm e kishte “pushuar këngën bilbili”, por dhe kishte shënuar
fundin e mbretërisë të Ahmetit nga Burgajeti. Zogu u largua për të mos u kthyer
më kurrë dhe një pjesë e mirë e brezit tonë nuk ja kishte parë as fytyrën në “resme”
se ishte e ndaluar.
Për atdhetarët dhe sidomos për enveristët, muaji ishte i kobshëm,
se më 11-të të tij, na la Udhëheqësi i lavdishëm, Komandanti, profesori, i shumëdituri,
ai që kishte marrë ditë nga ditët tona, biri i tërë nënave, trimi i trimave, syçelëti, marksist-leninisti, i madhi, legjendari.
Megjithëse zëvendësi i tij na tha se “veç ditlindje do të ketë“, ne nuk i rreshtëm
lotët e kripura gjatë gjithë muajit, se kripa atë kohë jo vetëm gjendej pa zor,
por ishte badihava dhe e jodizuar.
Nuk u kuptua ndonjëherë se pse e kishte thyer muajin
Kadareja dhe këtë pyetje me spec nuk ja kanë bërë dot as Bujari i Hudhërve, as
Bejkot me kompani dhe as një aradhë me shkrimtarë dhe përkthyes, që presin të shohin
emrin e tyre në një kopertinë me atë të “thyerësit të muajit”.
Në një farë mënyre, muaji për Shqipërinë është “antonimi” i nëntorit,
muajit ku shpaloset me ngjyrat kuq e zi atdhedashuria jonë e pakufi. Festohet
kudo, nga të gjithë, pa dallim “feje, krahine dhe ideje”, duke përjashtuar
kozmopolitët dhe terroristët që mbajnë flamurin e ISIS. Mes djersëve të kripura
dhe avujve të alkolit festohet edhe në Diasporë. Si i kundërt duhet të kishte
ngjyrat blu dhe të bardhë, por këtu biem në grackën e rrezikshme Vorio-Epirote
dhe vërtet kemi kundërshtuesit Pill-Nëntor, por jo në trajtën e tyre ngjyrore.
“Të mbledh si kërmilli” thuhej nga anët tona për muajin ku
posa hymë dhe është një shprehje shumë domethënëse. Të humb vetbesimin; të ndërpret
inisiativën; të bën të ndjehesh inferior; të fikson vetëm pas disa gjërave të
caktuara; të ul krijimtarinë, me një fjalë të dërmon psikologjikisht.
E megjithatë e duam Pillin!
No comments:
Post a Comment