Sunday, 18 April 2021

Uljanovi më i njohur


Për dreq nuk e kujtoj dot se ku dhe kur kam dëgjuar për herë të parë për Leninin. Në kopështin me drekë të fëmijëve? Nuk besoj. Atje na mësonin vjersha për Enverin dhe Partinë, por nuk kujtoj të përmëndeshin Lenini dhe Stalini. Mbaj mend që na mësonin edhe shumë këngë partizane, mes të cilave më linte një shije të tmerrshme ajo me vargjet”..ngrehu Qemal nga balta/ C’bën tek Varri i Bamit!”, por nuk kujtoj asgjë rreth Vollodjas.

Ndoshta do e kem parë në revistat dhe gazetat për fëmijë, që vinin rregullisht në shtëpi, por nuk kam të fiksuar se si dhe se kur.

Më vonë mësova shumë gjëra rreth tij, që kishte gënjyer vetëm dy herë në jetë, që kishte udhëhequr Revolucionin e tetorit më 7 nëntor dhe që e kishin balsamosur. Për mospërputhjen tetor/nëntor e kujtoj që kisha pyetur babanë dhe ai më kishte spjeguar se në atë kohë në Rusi ishte në fuqi kalendari I vjetër, që kishte një mospërputhje prej dy javësh me të riun. Më kishte ardhur zor ta pyesja se si ishte e mundur që kishte gënjyer vetëm dy herë, se duhet të pranoja që vetë kisha gënjyer me dhjetra herë pa hyrë ende në klasën e parë.

Po edhe im atë më kishte gënjyer për Leninin se nuk më kishte thënë ndonjëherë, që Uljanovi nuk e kishte për gjë të të vriste dhe që kishte urdhëruar vrasjen e gjithë familjes së Carit, mes të cilëve edhe pesë fëmijë.

Në kokën time prej fëmije dhe adoleshenti, Lenini ishte babai i thjeshtë i punëtorëve të të gjithë botës, që i kishte ngritur të kërkonin të drejtat e tyre duke folur nga një podium dhe në dorë mbante kasketën e tij të rrudhur. Më ishte forcuar bindja se ishte “i paprekshëm” se edhe revizionisti tullac Hrushov, që kishte djegur Stalinin sipas një kënge tjetër makabre “Hrushovi me tradhëtarë/ O baba Stalin/Kockave ju vunë zjarrë/O baba Stalin!”, Leninin e kishte lënë në Mauzoleumin në Sheshin e Kuq.

Më vinte keq që Lenini nuk i kishte kaluar të 60-tat, që atë kohë më dukej tamam pleqëri. Për këtë bëja me faj “agjenten e imperializmit” Fani Kapllan, që e kishte plagosur rëndë Iliçin në një atentat, megjithëse nuk kuptoja pse imperialistët kishin zgjedhur një grua si atentatore. Shumë vonë mësova se Fani ishte një revolucionare, që e quante Leninin “tradhëtar të Revolucionit”. Revolucioni vetë (që në fëmijëri më tingëllonte sin jë gjë e shenjtë) kishte mbetur në duart e sigurta të Stalinit, të cilin, për të qënë I sinqertë dhe jo për të demonstruar ndonjë lloj dissidence, nuk e shihja me të njëjtin sy se në foto ishte ushtarak. Ushtarakët nuk i kisha për zemër.

Në qytet kishte shumë Vladimirë, që i thërrisnin Ladi. Më të shumtët ishin fëmijë oficerësh dhe mbanin pantallona jeshile të bëra me stof ushtarak, që ishte stof i mirë. Asnjë nuk thirrej Vollodja. Ladit e shumtë kishin edhe nga një nofkë nga pas , që bënte t’i dallonim nga njëri tjetri. Nuk e kuptoja pse kishte aq shumë Vladimirë në brezat para meje dhe shumë pak Josifë. Asnjë Karl apo Frederik. Edhe mes klasikëve të marksizëm-leninizmit, shqiptarët bënin diferencime. Ende sot në Shqipëri mund të ketë po aq Vladimirë sa ka edhe Muhametë, Alinj dhe Kristo.

Në shkollë mësonim se në cilën ditë kishte lindur Uljanovi, por jo se në ç’ditë kishte lindur Skënderbeu, madje as ditën e lindjes së Naim Frashërit që ishte jo thellë në shekuj. Një shok i fëmijërisë ishte i lumtur se kishte lindur më 22 prill, në një ditë me Vollodjan, gjë që nuk na ngjallte zili. Më të fituarin quanim një shok tjetër, i cili kishte lindur më 1 maj dhe e festonte në një ditë pushimi zyrtar, që do të thoshte se do kishte më shumë vizitorë dhe më shumë dhurata.

Në rini na ra adhurimi për Leninin, se propaganda zyrtare kishte mbajtur të fshehta historitë e tij të dashurisë para dhe pas martese. Madje nuk i përmendin ato edhe ata që ishin kundër pushtetit. Lenini ishte një figurë e përkryer, që nuk interesohej aspak për seksin, madje i kushtuar ndaj çështjes së Revolucionit nuk kishte bërë as fëmijë. Tani mësojmë që Lenini ka patur edhe sifilis, që nuk ishte krejt e panatyrshme për ata që rrinin në internim apo në emigrim të përkushtuar ndaj çështjeve filozofike dhe shoqërore.

Mendoj se këtu ka qënë një nga gabimet më të mëdha të historiografisë komuniste, që kishte mbajtur të fshehur fëmijët ilegalë të Marksit, sevdatë e njëpasnjëshme të Leninit, zuzarllëqet me vajza të reja të Stalinit dhe aventurat me femra të Enverit në Francë dhe në Shqipëri. Komunizmi do ishte bërë më njerëzor, më i kapshëm dhe më qejfndjellës. Nuk kishte as pse të përdorte parrullën e “lugës së artë“, po mjaft të propagandonte “seks për të gjithë pa dallim feje, krahine dhe ideje”.

Pas disa ditësh komunistët kudo në botë do festojnë 151 vjetorin e lindjes së Leninit, Vladimirit që ndryshoi botën. Një Vladimir tjetër, shumë i fuqishëm është në pushtet në Kremlin, që pëlqen të jetë i plotfuqishëm si Uljanovi, por nuk i bëhet vonë për punëtorët.

Po Uljanovi më i njohur vërtet mendonte aq shumë për punëtorët, apo të tjera impulse të fuqishme i jepnin energjitë me të cilat solli atë përmbysje?


No comments:

Post a Comment