Wednesday, 28 April 2021

Zgjedhjet në Shqipëri të para me tejqyrë (2)


(vijim)

Pra lufta në zgjedhjet në Shqipëri përqëndrohet në dy pjesët e elektoratit gri, që ndoshta përbëjnë 40% të të gjithë elektoratit shqiptar. Unë besoj se pjesa që e shet votën është më e madhe e megjithatë është e vështirë të ndash në përqindje për të bërë llogaritje përafërsisht të sakta. As partitë nuk kanë statistika të qarta për to, se janë pjesë popullsie shumë “të lëvizshme”. Fakti i ekzistencës së “patronazhistëve” të PS-së e ilustron mirë kët ide. Pra PS-s[ i duhej një punë kapilare për të identifikuar se cilët mund të blihen thjesht, cilët mund të tundohen me vende pune dhe cilët duhen “goditur” me reklama televizive dhe me informacione të rreme.

Duke i patur në dorë të gjitha, shumicën e mediave tradicionale, fuqinë e administratës, një pjesë të mirë të biznesmenëve që kërkojnë “statukuonë“, lekët e ardhura nga shumë burime për të blerë të varfërit, policinë dhe prokurorinë që bën goditje të përzgjedhura, Partia Socialiste kishte shum gjasa të fitonte dhe të fitojë edhe në zgjedhjet lokale dhe më vonë.

Nuk mjafton që shumica e popullsisë të jetë e pakënaqur me Ramën.

Që opozita(dmth PD-ja) të mundë PS-në në zgjedhjet e ardhëshme duhet të plotësohen disa kushte të tjera ve] atij të përmendur më sipër:

·         PD-ja duhet të tërheqë pas vetes të gjithë pjesën e elektoratit gri, e cila voton për bindje dhe për interesat e saj dhe që nuk mund të blihet. Për këtë nuk duhet vetëm një program i mirë, por duhet që këta njerëz të të besojnë se si Parti je e ndryshme nga PS-ja dhe kur të vish në pushtet nuk do qeverisësh njëlloj, pra të vjedhësh. Të dy rotacionet e pushtetit të vitit 2005 (anti-Nano) dhe 2013(anti-Berisha) u bënë vetëm duke përdorur sloganin e “luftës kundër korrupsionit”. Në vitin 2021 një slogan i tillë nuk mund të funksiononte më, jo sepse Rama është më pak i korruptuar, por se luftën anti-korrupsion nuk mund ta bësh me Berishën, Metën dhe edhe me vetë Bashën. Sado e dobët të jetë kujtesa e elektoratit gri, emrat nuk të ndihmojnë për të ardhur në pushtet.

·         Edhe një PD apo opozitë e bashkuar me emra të rinj, e ka të vështirë të fitojë po qe se nuk përcakton më mirë dhe më qartë rregullat për zgjedhje “thuajse të ndershme”. Shitblerja e votave nuk mund të eliminohet për shkak të varfërisë, si dhe kulturës politike të shoqërisë shqiptare. Ekziston në masë edhe në vende më të pasura se ne. Edhe zërat se do e ndalim me “struktura të posa]me” janë jo vetëm ide boshe, por edhe të rrezikshme se krijojnë struktura paramilitare, që rrezikojnë jo vetëm demokracinë por largojnë elektoratin gri nga votimet. Opozita duhet të këmbëngulë në një monitorim më të mirë të të huajve dhe sidomos në votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilët nuk mund të blihen. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet të fitojë disa bashki në zgjedhjet e ardhshme dhe fitoren e votës popullore në total, që do jetë premis[ për të fituar më 1925.

Zgjedhjet e vitit 2021 morrën fund! Por nëse nuk kanë kuptuar se karriera politike do durim dhe është një luftë e gjatë, ata që duan të rrëzojnë Ramën për të jetuar më mirë vetë, për të jetuar më mirë fëmijët e tyre dhe për të bërë shqipërinë një vend nga ku njerëzit nuk ikin vazhdimisht duhet punë e vazhdueshme dhe durim. Nëse durimi ju mungon se mendojnë se po ikin “thelat” e koncensioneve dhe tenderave atëhere nuk kanë për të fituar as në zgjedhjet lokale as edhe më 2025.

Dy rotacionet e pushtetit të viteve 2005 dhe 2013 kanë treguar se “regjimet” mund të rrëzohen me votë. Por për fat të keq, këtë rradhë nuk funksionoi dot parrulla e zakonshme e njohur edhe në vendet perëndimore se “do zemë hundët dhe do votojmë edhe këtë që kutërbon erë, për të larguar të keqen e madhe, që është Rama me kompani.”

Nësee nuk bëhet fjalë që Kryemadhi dhe Meta të largohen nga partia e tyre private, largimi I Bashës nga kreu i PD-së është kushti i parë dhe i domosdoshëm. Lënia në hije e Berishës dhe e klanit të tij është kushti i dytë dhe më i vështirë të realizohet, por me një udhëheqje të re, njerëzit do e pranojnë edhe ndikimin e tyre në PD, mjaft të mos jetë vendimmarrës.

A do ndodhë një gjë e tillë?

Përvoja e Shqipërisë ka treguar se kryetarët nuk shkulen dot nga vendet e tyre edhe pas humbjeve. I vetmi që ka bërë përjashtim, Nanoja, ndoshta është penduar që e ka bërë.

Nëse kërkon që njerëzit të të besojnë se je për reforma demokratike duhet ta nisësh nga vetja dhe nga partia që kryeson. Nëse kërkon që këtë gjë ta bëjë kryetari I një partie edhe gjithkush tjetër duhet ta bëjë në qelizën që drejton qoftë kjo familje, biznes apo institucion.

Prej aty fillon Demokracia dhe jo prej politikanëve.

No comments:

Post a Comment