Në Elbasan është vrarë një njeri dhe janë plagosur katër të tjerë. Pas një përplasje me armë midis dy grupime militantësh.
Nga deklaratat e të pranishmëve dhe udhëheqësit politik të
PD për Elbasanin del se njeriu që ka vrarë, Arbër Papleka, ka qënë në kushtet e
vetëmbrojtjes dhe anëtar i Strukturës së Mbrojtjes së Votës për Elbasanin?!
Po ç’është kjo Strukturë e Mbrojtjes së Votës e PD? A është
e ligjshme dhe kush e ka krijuar?
Nga sa kuptohet, për të mbrojtur votat nga vjedhjet ose nga
presionet e bandave të PS-së, PD-ja dhe ndonjë parti tjetër kanë krijuar një
formacion me ish-policë dhe ish-ushtarakë, të armatosur ose jo, që të balancojnë
mbështetjen që mund të japin forcat e policisë ndaj Partisë në pushtet.
E logjikshme?
Aspak e tillë bile kriminale. Unë nuk e ve në dyshim se
policia mund të jetë e njëanshme gjatë procesit të votimit. Ka 25 vjet që kjo
ndodh në Shqipëri me qeveritë e ndryshme dhe me policitë e komanduara prej
tyre. Por askush nuk i jep të drejtë opozitës të krijojë struktura paralele
edhe sikur t’ju verë çdo lloj emri nga ato të mbrojtjes së votës e deri tek të
Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut. Në këtë rast këto janë vetëm grupe
paramilitare, që i shërbejnë një partije, sikundër ishin dikur këmishëzinjtë në
Itali dhe këmishëkafet në Gjermani.
Këto janë metoda që
shpien në fashizëm edhe sikur të duash të justifikohesh se po i përgjigjesh
fashizmit të Ramës me të njëjtën monedhë.
Eshtë në njëfarë mënyre, ajo ç’ka ndodhi më 1996, por në një
formë tjetër. Partia Socialiste i braktisi zgjedhjet, me pretendimin se gjoja
mund të vriteshin njerëz dhe e la popullin shqiptar në mëshirën e një
Parlamenti pa opozitë, që solli si rrjedhim vitin 1997.
Këtë rradhë, PD-ja e uritur për të ardhur në pushtet nuk është
në gjendje të mbrojë votat me mënyrat që pranohen nga ligji, por krijon
struktura të tilla të dyshimta, të cilat jo vetëm sjellin përplasje me armë,
por rrezikojnë zhvillimin normal të zgjedhjeve.
Në rast se je i bindur
që zgjedhjet do vidhen ose manipulohen mos hyrë në to, por denoncoi
paraprakisht.
Këtë gjë nuk e bëri PS-ja 25 vjet më parë dhe mbolli “shkatërrimin”
e Shqipërisë. Në një mënyrë tjetër këtë po bën PD-ja dhe rrezikon të sjellë një
tjetër shkatërrim.
Votat i mbrojnë njerëzit vetë, por atëhere kur besojnë në
Partitë dhe në programet e tyre. Kur votat I mbron me banda të armatosura kundër
bandave të armatosura, atëhere njerëzit do largohen edhe një herë tjetër të zhgënjyer,
se në Shqipëri nuk ka ndryshuar asgjë.
I vetmi ndryshim- e reja Strukturë e Mbrojtjes së Votës.
No comments:
Post a Comment