Tuesday, 6 April 2021

Ignorantus ignoranta ignorantum


Hyra për dhjetë minuta nëpërmjet një videoje të kryeministrit Rama në mjediset e Mësonjtores së Parë. Ajo çka dëgjova nga ministrja e kulturës dhe nga Niko Kotherja më bëri të thërrisja “Ignorantus ignoranta ignorantum”. O zot pse na ke dënuar kaq rëndë tani që kemi 134 vjet, që shkruajmë gjuhën tonë!

Tek Muzeu mungon shpirti i tij.

Arsimimi në gjuhën shqip, që ishte i domosdoshëm për tu bërë shtet shqiptar.

Askund nuk theksohet kjo rëndësi, askund nuk thuhet se sa e vështirë ishte, askund nuk përmendet, që Pavarësia shqiptare nuk mund të vinte pa patur gjuhë të shkruar shqipe.

Dy ishin kushtet e domosdoshme që të plotësonte populli shqiptar për tu vetëqeverisur.

Të dëshmonte se kishte traditë qeverisëse dhe që kishte gjuhë të shkruar. Nuk mund të kishte administratë shqiptare nëse nuk kishte gjuhë të shkruar shqip. Pikërisht këtu qëndron gjenialiteti i Rilindasve shqiptarë dhe kolonive korçare të Bukureshtit dhe të Sofjes që sollën shkollën e parë shqipe pikërisht në Korçë. Nëse nuk do ishte kjo periudhë 25 vjeçare e përpjekjeve për gjuhën shqipe nuk mund të kishte 28 Nëntor 1912.

Mëvetësia e Shqipërisë nuk mund të arrihej pa u hapur Mësonjtorja!

Por këtë nuk e di as Margariti dhe as Kotherja. Ata, të cilët e dinë dhe nuk janë korçarë, për njëmijë e një arsye rrinë të heshtur.

Përr fat të keq nuk janë mes nesh historianët Petraq Peppo, Ligor Mile dhe të tjerë korçarë që kanë luftuar për të vënë Mësonjtoren në piedestalin që meriton.

Nuk është më çështje e gërmave prej guri apo e bangove prej druri. Muzeu me gjithë kusuret e tjera të tij është pa emër dhe pa shpirt.

E vrau injoranca dhe dashakeqësia.

Nuk duhet të rrimë gojëkyçur dhe duarlidhur!


No comments:

Post a Comment