Eshtë jo e lehtë të shkruash pa e njohur personalisht, rreth një figure të trazuar të një kohe shumë të trazuar. Liri Belishova është pikërisht një nga figurat e pakta të dimensioneve të trazuara tragjike të kohës së Luftës së Dytë dhe më tej e Periudhës së Diktaturës, por edhe pas saj, në sistemin që në Shqipëri quhet Demokraci. Pas Liri Gegës, ka qënë funksionarja më e lartë e Partisë Komuniste Shqiptare.
Jo rrallë bluaj në mendje, se cila ishte në të vërtetë Liri
Belishova dhe a ishte viktimë e idealizmit të saj.
Për të dhënë një përgjigje duhet më parë të mbushim mendjen
nëse Liria ishte idealiste apo ishte një karrieriste e ngjashme me shumë
komunistë që patën ngjitur shkallët deri sa ishin fare pranë Diktatorit Enver
Hoxha. Për shkak të përndjekjes së saj që prej vitit 1961, si dhe fatkeqsisë të
humbjes së vajzës në moshë fare të re, shtypi i periudhës post-Diktaturë e ka
trajtuar me shumë simpati Belishovën. Në të kanë ndikuar edhe qëndrimet e saj
të drejta në demaskimin e krimeve të Hoxhës dhe të komunizmit në përgjithësi.
Nga ato shkrime të krijohet përshtypja se Liria ishte disidente dhe i përkiste
rrymës së butë komuniste, që po qe se do kishte “rrëzuar” Hoxhën në fillimin e
viteve ’60 do kishte ndryshuar historinë e Shqipërisë.
Meqënëse jam skeptik në interpretimin e fakteve, si nga
kundërshtarët e komunizmit dhe më shumë nga përkrahësit e Diktaturës, dua ta
analizoj në mënyrë të thjeshtë jetën dhe karrierën e saj të pasluftës, bazuar
mbi datat, që pranohen si të padiskutueshme nga të gjitha palët.
·
Në shkurt të vitit 1944 pushkatohet Ramize
Gjebrea, e fejuara e Nako Spirut. Ndoshta është shkruar diku se kur ka lindur
dashuria mes Nakos dhe Lirisë, por le të supozojmë se i përket fundit të vitit
1944 dhe ndoshta më ’45 ose më ’46 ata martohen. Ishte e natyrshme, që të tërhiqeshe
nga personaliteti i Nakos, i cili gëzonte një popullaritet të madh mes të
rinjve antifashistë.
·
Në nëntor 1947 Nako Spiru vret veten dhe menjëherë
Liria shkarkohet nga postet e saj në udhëheqjen e BRASH-it.
·
Një vit më vonë, në nëntor të vitit 1948 figura
e Nako Spirut rehabilitohet dhe Liri Belishova zgjidhet anëtare e Byrosë
Politike. Diçka që mbetet e errët ka ndodhur mes Lirisë, Enver Hoxhës,
Nexhmijes dhe ndoshta edhe Mehmet Shehut. Me siguri me bekimin edhe të
ambasadorit rus të asaj kohe, që ishte i plotfuqishëm në Shqipëri. Duhet thënë
se Lirija ishte në dijeni të kontradiktave të mëdha, që kishte Nakoja me
Enverin që prej luftës dhe që arritën kulmin në pleniumin e 8-të dhe sollën
vetvrasjen e Nakos.
·
Në vitin 1952 Belishova rizgjidhet anëtare e
Byrosë Politike dhe shkon për studime në Shkollën e Partisë në Moskë. Pas
kthimit nga Moska dhe rizgjedhjes në Byro në Kongresin e III të vitit 1956
është zyrtarisht figura e katërt në hierarkinë komuniste pas Hoxhës, Shehut dhe
Kapos. Ishte e vetmja mes tyre që dinte rusisht dhe kishte përfunduar një
shkollë të lartë edhe pse kjo ishte shkollë partije. Marëdhëniet me sovjetikët
i kishte të mira, por askund nuk është përmendur se ç’qëndrim ka mbajtur rreth
Konferencës së Tiranës.
·
Më 1960 përgatitet ulja graduale disajavore e
Belishovës deri në internim. Gruaja më e fuqishme në Shqipëri në moshën 34 vjeçare
dhe me dy fëmijë të vegjël dërgohet të punojë e të jetojë në fshat. Pas pak
kohësh, i shoqi Maqo Como, të cilin Liria e kishte vënë Ministër të Bujqësisë,
arrestohet dhe futet në burg. Sipas historiografisë komuniste, Liri Belishova
kishte kundërshtuar vendimin e udhëheqjes së lartë(nënkupto Enver Hoxhës) për
t’ju kundërvënë Hrushovit dhe për të mbajtur vijën e ashpër staliniste. Nuk ka
asnjë grup armiqësor, asnjë përpjekje për të marrë pushtetin dhe as gjyq ndaj
Liri Belishovës. Për të mjaftohen me internim të gjatë dhe nuk i lejojnë as
fëmijët të vazhdojnë universitetin.
Po cila është arsyeja e vërtetë e likuidimit politik të Liri
Belishovës? Po largonte Hoxha nga udhëheqja e lartë një “kalë Troje” në kohën e
vështirë të ndërprerjes së marëdhënieve me Bashkimin Sovjetik? E rrezikonte
Belishova pushtetin absolut të Enver Hoxhës në ato vite?
Ka diçka shumë të sigurt në qëndrimin e Hoxhës ndaj
Hrushovit në vitin 1960. Ai nuk ishte i garantuar prej këtij të fundit se do
qëndronte në krye të Shqipërisë edhe po të tregonte “fleksibilitetin” e duhur
në qëndrimet ndaj Stalinit, Titos, dënimeve të vijës së ashpër, rehabilitimeve
të të pushkatuarve etj. si këto. Enver Hoxha kishte dëshmuar se mund të merrte
kthesa 180 gradëshe nëse ishte i sigurt se mbetej në pushtet. Hrushovi nuk ja
garantoi këtë gjë asnjërit nga udhëheqësve Stalinistë të vendeve të Lindjes dhe
fundi i Enverit, nëse qëndronte nën ombrellën sovjetike ishte i afërt. Për
fatin e mirë të tijin dhe të keqin e Shqipërisë, e njëjta gjë po ndodhte me
Kinën e Maos, e cila i dha garanci udhëheqjes shqiptare për ndihma ekonomike,
në shkëmbim të mbështetjes së qëndrimit kinez.
Hesapet e Enverit me Lirinë ishin të vjetra dhe një njeri i
njohur për intriga nga më perfidet, nuk kishte se si të besonte në devotshmërinë
e saj. As Liria nuk kishte si ta deshte njeriun që kishte shkaktuar vetvrasjen
e burrit të saj. Qëndrimi i saj pro-sovjetik (ndoshta i vetmi qëndrim i drejtë
politik i gjithë karrierës së saj) ishte rasti më i mirë për të hequr qafe dikë,
të cilën e di që nuk ka se si të të dojë dhe një ditë prej ditësh do hakmerret
për atë që i ke shkaktuar.
Fati i keq i Belishovës ze fill në ato ditë të vitit 1948,
kur “bëri paktin me djallin” dhe pranoi të ngjitej në majat më të larta të
udhëheqjes komuniste shqiptare. Këtu nuk mund të bëhej fjalë as për ideale dhe
as për gabime të moshës. Liri Belishova dinte në hollësi se ç’prapaskena ishin
zhvilluar dhe vazhdonin të zhvilloheshin në zyrat e larta të politikës shqiptare.
Për mungesë largpamësije, për prirje karrieriste, për mungesë parimesh apo për
të gjitha sëbashku, vajza inteligjente nga Mallakastra shkatërroi “ pa dashje”
jetën e saj dhe të të afërmëve të saj.
Fatkeqja Liri Belishova, e cila me kokëfortësi nuk arriti të
pranonte se cilat ishin gabimet e rënda të saj!
No comments:
Post a Comment