Saturday, 3 April 2021

“Pak dritë“ në fund të tunelit bullgar


Bëra mirë, që në kundërshtim me këshillën juridike të avokatit tim në Tiranë, shkrojta dje në blog rreth problemit gjyqësor që kam në Dobruxhë. Po dje mora një email nga dikush që nënshkruante “boboshtarka59” me tekstin enigmatik: “Të gjitha rrugët të shpien në Boboshticë!”

Mu duk një shaka e keqe, se nuk mund të bëja asnjë lidhje ndërmjet hallit tim, Boboshticës, Bullgarisë dhe valltarit Vasili Ushkurov. Sa herë dëgjoj të flitet për Boboshticën mendja më shkon vetëm në rakia e manit, Viktor Eftimiu, Kuneshkat dhe Goneja i Zapeve. Asgjë që mund të lidhet me vallet, proceset gjyqësore dhe mentorët. “Po normal” që do pyesja avokatin tim në Tiranë dhe ai pasi bëri disa telefonata në Shqipërinë Juglindore dhe në Bashkinë e Korçës, e cila përfshin edhe Boboshticën, më sqaroi:

“Ka një lidhje të fortë mes Boboshticës dhe Bullgarisë, madje boboshtarët autentikë quhen minoritet bullgar dhe kanë marrë pashaporta bullgare. Sugjeroj të vazhdosh lidhjen me “boboshtarka59” për të marrë më tepër info se si mund ta godasim ligjërisht padijen. Ke ndonjë lidhje gjaku ose krushqie të afërt me Boboshticën?”

Shpresa m’u ngjall dhe nxorra nga dosjet pemët farefisnore të anës së babajt dhe të mamasë, por nuk gjeta kërkund ndonjë gjurmë boboshtari apo boboshtarke. Në shkollën e mesme kisha patur bashkënxënëse një vajzë nga Boboshtica me emrin Spira, por ajo mbeti që vitin e parë dhe nuk di se ku mund të ketë përfunduar. Më duhet të kërkoj më shumë të dhëna nga “boboshtarka59”, e cila(ose i cili) më dërgoi mesazhin “Të gjitha rrugët të shpien në Boboshticë“. Ndoshta duhet t’i shkruaj edhe unë në mënyrë disi enigmatike, që t’i ngjall në një farë mënyre interesin për të vazhduar korrespondencën. Mbase pak flirtim apo është herët? Për shembull mendoj t’i shkruaj “Të zgjedh rrugën më të shkurtër?” ose “Mund të ecim të dy përgjatë shtegut plot manaferra?” apo është më mirë “E si mund të jesh numuri 59, kur je vetëm Njësh!”

Ja dërgova të tre variantet avokatit tim, por ai mu përgjigj se asnjë nuk është i saktë dhe ai që duhet të përdor është si më poshtë:

“E luan edhe ti vallen e Dobruxhës?”

Sipas tij, ky version jo vetëm është enigmatik dhe që nuk hap problem ligjore, por ka edhe rreth 16 nënkuptime, nga të cilat mund të lindin një numur i pafund përgjigjesh, që do na ndihmojnë për të strukturuar mbrojtjen ligjore. Unë arrita të dalloja vetëm 5 nënkuptime, por megjithatë e shkrojta dhe e nisa me email.

Inshallah nuk përfundon në “spam”!

No comments:

Post a Comment