Sunday, 25 April 2021

Shitblerja e votës


Vota nuk është një send. Eshtë një shprehje e vullnetit të një qytetari. E megjithatë jo vetëm sendet shiten dhe blihen. Shprehjet e vullnetit ashtu si dhe shërbimet janë në gjërat që blihen dhe shiten rëndom në botë.

Ka një stigmatizim të madh të njerëzve që shesin votën në Shqipëri. Edhe pse dihet që janë pjesa më e dobët e shoqërisë shqiptare. Ata, të cilët nuk kanë të hanë, nuk kanë një punë ose punojnë për një rrogë minimale dhe 100 euro ose edhe 50 ju mbyllin një vrimë sado të vogël. Ata nuk mund të ofrojnë asnjë gjë për të shitur në tregun e madh të ligjshëm dhe të paligjshëm të shoqërisë shqiptare. Kanë vetëm Votën. Po të kenë 3-4 të rritur brenda familjes mund të blejnë diçka me ato 300-400 euro dhe të shtyjnë edhe një muaj mjerimin e tyre.

Nëse do pranonin të shisnin vajzat e tyre trotuareve të Europës nuk do kishin nevojë të shisnin votën.

Nëse do kishin pjestarë të familjeve në trafikimin e drogës nuk do kishin nevojë të shisnin votën.

Nëse do kishin një vend pune në Bashki votën e kishin shitur më parë në këmbim të atij vendi pune.

Nëse do kishin një deputet në familje do kishin shitur më parë jo vetëm votat por edhe shpirtin ndaj “djallit të parasë“.

Ndaj më vjen veçanërisht keq, për njerzit, që nuk kanë të hanë, që nuk e dinë se sa ditë mund të shtyjnë, që nuk kanë besim tek asnjë politikan, që nuk kanë asgjë ç’të shesin, jo vetëm të fyhen nga politikanët, ambasadorët dhe mediat, por edhe të ndiqen penalisht.

Shitja e votës është e njëjtë me abstenimin. Ashtu sikundër ai që nuk shkon të votojë se nuk beson tek asnjë parti, atë mosbesim tregon edhe jevgu i shkretë, që ka një karvan me fëmijë për të ushqyer dhe e jep fletën e votimit për një kartmonedhë duke përbuzur edhe atë që ja ofron.

Ndaj atyre që shesin votën nuk duhet të ketë penalizim!

E gjithë shoqëria ju detyrohet shumë që nuk arrin dot t’i mbajë mbi nivelin e varfërisë.

Ndaj mbaheni gojën ju zyrtarë që kini shitur by… për të zënë një vend ku kini në dorë tendera, ju policë që kini paguar para për të zënë një vend pune në polici, ju mjekë që merrni para nën dorë, ju punonjëse të OJQ-ve që flini me shefat për një rrogë të mirë pa bërë asnjë punë, ju pedagogë universiteti që shisni notën e provimeve.

Në Shqipëri votat nuk do shiten e do blihen atëhere kur më të varfërit të kenë një standart të pranueshëm jetese!

Dhe kjo ndodh kur I themi “mos vidh” hajdutit që kemi përkrah!

No comments:

Post a Comment