Lajme të mira nga avokati im, që ishte në Korçë për të studiuar terrenin ligjor për kundërpaditë.
Cështja ligjore në
Madrevo mund të zgjidhet pa gjyq. Nga kontaktet e tij me Rotarianët e Korçës
kishte mësuar se Rotarianët janë shumë të fuqishëm në Madrevo dhe në Dobruxhë.
Ka të ngjarë, që edhe ndonjë Ushkurov të jetë anëtar i Klubit. Pas bisedës me
një Rotarian me origjinë nga Boboshtica, i cili me siguri duhet të dijë
bullgarisht dhe latinisht, avokati kishte marrë premtimin që çështja mund të
zgjidhej vetëm me një kusht:
-Unë të bëhem Rotarian.
Po bëhem në sekondë i thashë, po të më pranojnë. Unë rrotë
kam qënë tërë jetën pa pasur ndonjë fitim dhe jo mos bëhem tani që shpëtoj nga
një bela e madhe ligjore. Ndaj dhe nxitova të anëtarësohesha në Klubin e
qytetit ku jetoj dhe ata më pritën krahëhapur. Jam i pari shqiptar që kërkoj të
anëtarësohem dhe më përgatitën menjëherë kartën e anëtarësimit me foton përkatëse.
(Në foto nuk dukem një Rotarian i vërtetë, por e rëndësishme është që jam
pranuar.)
Kuotizacioni nuk është i madh dhe duhet çdo të martë të
shkoj në një mbledhje me të gjithë anëtarët, po unë ku ta gjej, se këtu flas tërë
kohën me vete. Deri të martën që vjen duhet të mësoj të këndoj këngën “Frere
Jascques”, e cila është kënga e këtij 6 mujori e Rotarianëve të Sherbrooke. Si
fillestar më thanë, që të mësoj të bëj zërin e dytë, se mund të kem vështirësi
në notat lart. Po ç’më duhet zëri i parë! Unë edhe me të dytin stonoj.
“Frere Jacques, frere
Jacques/ Dormez-vous, dormes-vous…” nuk është shumë e vështirë dhe kam 6 ditë
kohë ta mësoj. Në youtube tani i kanë me së dhe me fjalë të shkruara dhe nuk është
zor, si në kohët kur mësonim këngët me të gjorin Pavllo Sholla, që përpiqej
shumë dhe kur këndonim të intonuar harronim fjalët, kurse kur i theshim llafet
tamam, fallcarnim.
Nuk duhet të isha demoralizuar dhe nuk duhet të kisha rënë viktimë
e “boboshtarka59”, por të kishe besuar më shumë në largpamësia, syçelësia,
njohja e kodit penal, civil dhe administrativ e avokatit tim në Tiranë. Në sajë
të kontakteve të tij mbitokësore, mbiujore dhe ajrore, u kthye në e zgjidhshme “çështja
Ushkurov”. Mendo sikur ai të kishte edhe nëntokësore dhe nënujore. Do isha i pamposhtur!
Për më tepër tani jo vetëm që jam, por edhe ndjehem
Rotarian! Jam i mbushur me një ndjenjë krenarie, përmbushjeje, misioni, përkatësije,
vëllazërimi dhe paqedashjeje, që nuk e kam provuar kurrë më parë. Mezi e pres
ditën e martë, kur të mblidhem me Rotarianët e tjerë dhe të këndojmë sëbashku “Frere
Jacques”! Do jem pjesë e një vëllazërimi ndërkombëtar, me degë në të gjitha
kontinentet, shtetet dhe qytetet kryesore të botës. Ndjej sikur kam bërë
shpikjen më të madhe të të gjithë kohërave.
Kam shpikur Rrotën!
Mos u bëj rrotë k…!-
sa më dërgoi sms avokati im, që e ndjeu ekzaltimin tim të parakohshëm Duhet ta
dëgjoj!
No comments:
Post a Comment