Me çeljen para 10 vjetësh të blogut “kuendemi”, i cili nisi si një përpjekje për të shmangur të folurën me vete trotuareve të Shën Katerinës, kam marrë një sërë “portestash”, “kërcënimesh”, “qejfmbetjesh” nga bashkëatdhetarë që preken drjetpërsëdrejti ose tërthorazi në shkrimet e mija të thjeshta. Pardje, për herë të parë mora një ankim serioz ndërkombëtar në e-mail. Po e përcjell të përkthyer paragrafin kryesor të ankesës:
“Quhem Mlladen
Ushkurov dhe banoj në Madrevo të Republikës së Bullgarisë. Duke kërkuar rreth
gjyshit tim të ndjerë Vasili Ushkurov në “Google” hasa në shkrimin tuaj të datës
11 janar 2011, ku përmendet emri i tij në një gjoja tregim të skenografit
Zheljko Zhinukov. Për këtë kemi ngritur padi në Gjykatën e Krahinës në Madrevo
ku kërkojmë dëmshpërblim për njollosjen e emrit të të ndjerit gjyshit tonë, ku pa
të drejetë është cilësuar si mentor për ngritjen e brekusheve të të voglit
Zhinukov, kur dihet në gjithë Bullgarinë se ai ka qënë mentori më i shquar i valleve
popullore të krahinës së Dobruxhës.”
U trondita nga kjo padi e papritur dhe menjëherë i shkrojta
avokatit tim në Tiranë, i cili u turbullua më shumë se unë nga padia në shtetin
ballkanik. “Do na kushtojë!”-tha “Unë vërtet do e bëj mbrojtjen “pro bono”, por
do duhen shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit në Madrevo për tre vetë-unë, përkthyesin
nga bullgarishtja dhe sekretaren time. Për përkthyesin do duhet edhe pagesë.
Ndoshta është më mirë të bëjmë një marëveshje, pasi të mësojmë ç’lloj dëmshpërblimi
kërkon.”
I rrashë hesapit me mendje dhe për tre vetë me bileta avioni
të klasit të parë, qëndrim në hotel me 4 yje dhe të ngrëna e të pira “ala-Tirane”,
pagesën e përkthyesit nga bullgarishtja në shqip dhe anasjelltas dhe më dilte,
që vetëm për përpjekjet në shkallën e parë të harxhoja rreth 75 mijë euro. Nuk është
pak, kur e di që vetë paguhem në dollarë të leqendisur kanadezë.
Mendova të pyesja Mlladen Ushkurovin se sa kërkonte për të tërhequr
padijen, por u tremba se mos ma merrte si dobësi dhe vendosa të pyesja për situatën
në sistemin gjyqësor bullgar, atë që nisi gjithë këtë “mesele”, skenografin
Zheljko Zhinukov. Nuk ka asnjë gjurmë të tij në Montreal dhe vetë “Cirque de
Soleil” ka shpallur falimentimin gjatë muajve të epidemisë.
Jam zënë në çark dhe për herë të parë në jetën time e
kuptova rëndësinë e madhe të mentorëve. Nuk kam se ku të përplas kokën dhe kë të
pyes! Të gjithë personalitetet shqiptare, që mund të më ndihmonin me ndonjë këshillë
apo veprim konkret janë në fushatë duke nisur me ministren e jashtëme Olta Xhaçkën,
të cilës mund t’ja gjenim anën nga soji Pëllumbi apo ai Athanas. I ngarkuar është
edhe ministri Peleshi, i cili për më tepër nuk mund të kërcënojë homologun e
tij bullgar me një ndërhyrje ushtarake shqiptare në Dobruxhë. Bullgaria është në
NATO!
Të nisem vetë për në Dobruxhë, pa sekretare personale, edhe
kjo është e pamundur, se nuk jam vaksinuar ende.
Sa mirë ishim në kohën e Enverit dhe të Zhivkovit! Mund të
demaskoja çdo revizionist bullgar dhe jo vetëm valltarin Ushkurov dhe mos më
hynte asnjë gjëmb në këmbë!
Mirë më tha një mik i fëmijërisë: “Kështu është kur të ha
m.. tastiera!”
No comments:
Post a Comment