Asgjë nuk mësova dot me youtube. Një miku im kishte mësuar dikur kitarën, por ai kishte vullnet dhe kitarë. Unë nuk kam as vullnet dhe as piano. Bëra sipas udhëzimeve në youtube tastierën e pianos në një fletë të madhe kartoni, por dështova. Të ble një piano të përdorur kushton më shumë se të marr për dy muaj mësime në piano. Dhe po se mësova për dy muaj nuk e mësoj dot kurrë. Mu kujtua meseleja e qëmotshme e Koci Pacalanit, që kishte gjetur punë në Pallatin e Kulturës, ku do i binte pianos, por dhe ajo ishte një histori që nuk kishte pasur fund të mirë.
Ndoshta do më duhet të bisedoj ballaz me Presidentin e
rradhës të Rotarianëve të qytetit ku jetoj, Zhan Pol D’Artanjan për t’i
spjeguar situatën time tejet të koklavitur.
Ndërkohë avokati më njoftoi për një padi tjetër që po
ngrihet në Korçë nga “3 Raqat”. Sipas tij unë pa patur asnjë fakt, kam
pretenduar se në fund të dhjetorit 2020 kam marrë mesazhe urimi për Ditën e
Emrit, nga 3 Raqa të rëndësishëm të fushave të biznesit, të së drejtës ligjore
dhe të pushtetit lokal.
Në fillim u tremba shumë se kujtova se mos ishte padi për
shpifje nga trashëgimtarët e Raqi Gripit, Raqi Groshkës dhe Raqi Korminës, të
cilët i kam përmendur në shkrimin “Qyteti i Nofkave”, gjë që mund të krijojë
një precedent për një numur të pafund padish, duke nisur me trashëgimtarët e
Koci Pacalanit dhe duke e përfunduar me ata të Pano Gudulimës.
“S’le njeri pa i vënë një nofkë!” më akuzoi dikur një i
njohur i vjetër, por unë me durim i spjegova se unë kam autorësinë vetëm të
nofkës Ligaveci Gollash, e cila tamam nuk hyn as në modelin korçar të nofkave
se është dyfjalëshe dhe nuk “ngjit”. Nuk ka në historinë 600 vjeçare të qytetit
njeri me nofkë dyfjalëshe. Ndaj jo vetëm që nuk mund të akuzohem si “nofkëngjitës”,
por as si “nofkolog”, se kam një njohje të cekët të historisë së krijimit të
nofkave, teknikave të përdorura dhe synimeve përse ishin krijuar.
E megjithatë avokati im në Tiranë (për të cilin nuk ka pasur
ndonjëherë nofkë) më paralajmëroi që jo vetëm mos bëj shkrime rreth nofkave,
por të evitoj shkrime ku përmenden njerëz realë, që jetojnë ose kanë vdekur, se
rreziku i padive është në rritje. Ndaj nëse nuk heq dot dorë për disa kohë nga
blog-u, duhet të shkruaj vetëm “shkrime neutrale”, poezi rreth natyrës dhe
shkrime teknike rreth arkitekturës. Kjo deri sa të dalë edhe studimi i plotë
ekonomik nga ekonomisti në pension S.H., emrin e të cilit për arsye të
pakuptueshme, avokati nuk ma thotë.
Ndërkohë po dal të kaloj një herë nga vila e Presidentit
Rotarian Zhan Pol D’Artanjan, në hyrjen e të cilës është një tabelë e madhe ku
shkruhet:
Një për të gjithë, të
gjithë për një.
No comments:
Post a Comment