Friday, 23 April 2021

“Tërbimi” që po i sjell fundin Metës


Pas shumë e shumë marifeteve në vite, të nisura që me protestën e Poliçanit të vitit 1993, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta është sot figura më tragjikomike në Shqipëri. I konsideruar nga shumë përkrahës së tij, si “gjeni” i politikës, Ilir Meta edhe pse me një nisje modeste, arriti të kthehej në aktori nr. 3 stabël i politikës shqiptare, pas dyshes Nano-Berisha dhe më pas pas asaj Rama-Berisha.

Në krye kam shkruar se “tërbimi” po i sjell fundin, por në të vërtetë është se ai e ndjen “fundin” e keq dhe kjo i sjell “tërbimin”. Pas shumë vitesh me marëdhënie të këqija me ambasadorët amerikanë, i konstatuar si “penguesi kryesor i reformës në drejtësi”, e vtmja shpresë e fundit e tij është që të djelë, LSI-të fitojë mbi 5% të votave dhe PS-ja mos ketë shumicën me të cilën të mundë të krijojë qeverinë. I trembur se kjo nuk do arrihet, pas shumë “marrëzive” me thirrje për “cfurqe e kosore” dhe “prerje duarsh ndaj atyre që blejnë votat”, Ilir Meta sonte akuzoi hapur ambasadoren amerikane Kim për ndërhyrje në punët e brendëshme të Shqipërisë.

Akuzat e tilla ndaj ambasadorëve janë bërë edhe më parë nga drejtuesit e partive kryesore, por ata kanë pasur një elektorat stabël pas dhe kontroll të plotë të drejtimit të partisë së tyre. Ndaj edhe kanë arritur të mbijetojnë “përplasjen me amerikanët”.

Ilir Meta nuk ka elektorat stabël dhe të madh. I kanë firuar edhe mjetet me të cilat ishte në gjendje të blinte vota, që nga paratë, tenderat dhe deri në emërimet në administratë. Presidenti është në gjendje të një dëshpërimi të plotë dhe ka edhe frikën se nëse nuk arrin një numur të caktuar deputetësh, që mund t’i shërbejnë për tu bërë pjesë e qeverisë e ardhmja e tij është përballja me SPAK.

Po a ka ndonjë përfitim shoqëria shqiptare nga tretja e LSI-së dhe fillimi i një procesi gjyqësor në të ardhmen për Metën?

Një përfitim të vogël e ka edhe pse nuk është Meta “peshku më i madh”. Por është një peshk i madh, që jo vetëm nuk e ka fshehur korrupsionin, por ka qënë ndoshta edhe më i lidhuri me krimin e organizuar mes aktorëve kryesorë të politikës shqiptare.

Nëse në rrjetat e drejtësisë nuk mund të bien Rama dhe Berisha, le të kënaqemi me Metën. Ndoshta do jetë shënja e parë se diçka po ndryshon.

Po nëse LSI-ja arrin të fitojë 6-7% të votave ose edhe më shumë çdo bëhet?

Bota do vazhdojë të rrotullohet rreth diellit dhe shqiptarët do kenë disa fije shprese më pak për të ardhmen e tyre.

No comments:

Post a Comment