Sa herë dëgjoj ose lexoj këtë shprehje, me “itensivisht” apo pa të, më krijohetë një si boshllëk në aparatin tretës dhe më duhet të sulem të ha ndonjë pjatë me supë për ta mbushur sa më shpejt. Më shumë e përdorin në Shqipëri subjektet shtetërore, por edhe kontraktuesit privatë dhe ndonjëherë edhe OJQ-të.
Boshllëku nuk më krijohet thjesht, si reagim ndaj përpjekjes
që po bëjnë për të na “ngopur me lugë bosh”, por edhe nga frika se ajo që pres
të bëhet nuk do ndodhë kurrë. Pikërisht papërcaktueshmëria e bën më të frikshme
dhe më marramendëse.
Dikush mund të sugjerojë po pse nuk vazhdon me pyetje për të
përcaktuar se kush po punon, si po punon dhe deri kur do punojë. Edhe mua dhe të
tjerëve që janë ndeshur me këtë shprehje ju ka shkuar në mendje dhe kanë
vazhduar me pyetje zhbiriluese, por subjektet shtetërore, kontraktuesit privatë
dhe ngandonjëherë edhe OJQ-të janë bërë mjeshtra për përgjigjet bllokuese, ndaj
kur i pyet: “po ka ndonjë afat përfundimi?”
të thonë: “shumë shpejt do ju bëjmë të
njohur rreth afatit”. Mund të guxosh të vazhdosh edhe me pyetjen llogjike “C’kuptoni me shumë shpej?”, por gati është
përgjigjja standart “Si e thotë qartë
edhe shprehja, “shumë shpejt” do të thotë “shumë shpejt”!”
Atëhere duhet të zgjedhësh ose të shtiesh si i paditur dhe të
thuash “Domethënë javës tjetër?” ose
të bëhesh i bezdisur e të këmbëngulësh, që do një datë të caktuar. Edhe pa pasur
nevojë për një protokoll të shkruar, mjeshtrat e “hazër xhevapit” për rastin e
parë do të thonë “Le të mos spekullojmë për
një përcaktim tjetër veç atij “shumë shpejt”!” ndërsa në rastin e dytë do të
thonë “Nëse do kishim një datë të caktuar
sigurisht që do ja u kishim bërë të njohur” dhe do i venë kapakun me “Faleminderit për mirkuptimin!”
Në atë moment të vjen të klithësh me fjalët më të ndyra të
Fjalorit të Ri shqip, të atij të Aleksandër Xhuvanit si dhe të fjalorit tregjuhësh
të Kavaliotit, por duke ditur që nuk ke asnjë dobi mërmërit nëpër dhëmbë “mirkuptimin e satëme!” dhe bije në dëshpërim.
Kthehesh në shtëpi dhe gruas dhe fëmijëve që presin përgjigje ju thua “po punohet për të“ duke hequr fjalën “itensivisht”
se e di që me të apo pa të të kanë gënjyer sërish dhe në sy të familjarëve nuk
do të dukesh si Llosh.
Në fund të fundit një shpresë ta kishin dhënë se mund të të
thoshin edhe:
“Kjo që kërkon s’ka për
tu bërë kurrë se të interesuarit e tjerë kanë paguar që të mos bëhet!”
No comments:
Post a Comment