Kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet, që e urrej këtë shprehje parazitare. Pa e menduar thellë, se më shumë se një shprehje e tillë, gjuhësisht e kotë, pa përmbajtje, papagallore, kjo shprehje është esenca filozofike e një brezi të tërë konformistësh në Shqipëri. Thuajse e të gjithëve.
“Më kanë kërkuar të
firmos një peticion për ndryshimin e emrit të Mësonjtores dhe rikthimit të saj
në Muze Kombëtar si e para shkollë ku u mësua gjuha jonë. Po ta firmos, kam
frikë se i hapet ndonjë avaz vajzës, që punon mësuese në shkolla “Mësonjtorja e
Parë Shqipe, ajo 9 vjeçarja më poshtë se Biblioteka e Vjetër.”
“Po normal…nuk ke si
ta firmosësh!”
“Edhe ti kështu
mendon?”
“Normal…nga peticioni
s’fiton gjë!”
Kjo është një bisedë imagjinare, që mund të ndodhë në çdo
kafene të qytetit të Mësonjtores së Parë. 135 vjet më parë, njerëz që nuk
fitonin gjë, por që deshën të bëhej Shqipëri edhe pse jetonin në Stamboll,
Bukuresht, Kajro dhe Sofje nuk e dinin shprehjen “po normal”. Ndoshta ishin “anormalë“.
Njerëz që kishin mësuar në gjuhë të huaja, jetonin në vende të huaja, por
kishin dinjitet dhe donin, që edhe vendi i tyre të bëhej një vend dinjitoz.
“E di që Mësonjtorja
ka qënë shtëpi dhe i zoti kishte ikur në Bukuresht dha e fali të bëhej shkollë shqipe,
se shteti ishte turk dhe nuk kishte ndërmend të vinte para që të mësohej gjuha
jonë. Po ta dinte se sa vlerë do kishte sot kjo shtëpi në qendër pranë
Pedonales, s’kishte për ta falur.”
“Po normal…si do ta
falte! Ajo hiç hiç 800 mijë euro vlen sot me tërë atë vend!”
Edhe kjo bisedë imagjinare mund të ndodhë në çdo kafene të
qytetit të Mandi Tërpos, burrit që fali shtëpinë e tij për tu bërë Shqipëri. Për
bashkëbiseduesit Mandi Tërpoja jo vetëm që ka qënë “anormal”, por s’ka patur
idenë e “ekonomisë së tregut”.
“E pe si a kanë bërë Mësonjtoren?
Këta komunistat janë fare legena dhe desha t’ja u sëlloja në Facebook, po erdhi
Luli për takim dhe nuk e zuri në gojë dhe thashë, po mua ç’më duhet. Kush e di
sa e fellë është puna!”
“Po normal…që s’ke pse
shkruan! Kur s’tha gjë i madhi!”
Të tilla biseda mund të krijoj me dhjetra dhe të jenë shumë
pranë të vërtetës edhe pse nuk jetoj më në qytetin tim. Në qytetin tim “normal”.
A është hija e qytetit ku kam jetuar dikur dhe më ka bërë të
ndjehem krenar për bëmat e të parëve të tij? Që nuk kanë mbizotëruar “normalët”
për këtë jam i sigurt se ndryshe nuk do kishte pasur as Mësonjtore, as Miting të
Shkronjave, as Shkollë të Vashave, as meshë në shqip të Fan Nolit, as Dëshmorë
të Cifligut, as Republikë Autonome, as Ushtar të Panjohur e as, e as, e as
pafund.
Tani “normal” që jemi kthyer në një qytet hanxhinjsh e ahengxhinjsh,
që presim fundjavën të “na begenisin” parallinjtë e Tiranës, Durrësit e Fierit
dhe ne t’ju këndojmë këngët e serenatave dhe pasi ata të na tregojnë se ç’është
Bota dhe Shqipëria t’ju përgjigjemi:
“Po normal…”
No comments:
Post a Comment