Wednesday, 14 April 2021

Mjekët e Mëmëdheut, që nuk thonë dot “s’di”


Duhet të kisha shkruar më parë për të përgëzuar mjekët shqiptarë, që kanë qënë në frontin e pandemisë Covid-19. Shumë syresh kanë humbur jetën dhe të tjerë janë sëmurur dhe kanë rrezikuar familjarët e tyre. Ndaj ky shkrim kritik nuk ka përse të përgjithësohet. Eshtë një reagim i imi nga shumë histori të njohurish e miqsh që jetojnë në Shqipëri. Ka të bëjë me diçka, që ndodh edhe me shumë profesionistë të tjerë, por që në rastin e mjekëve dhe farmacistëve bëhet më delikat se ka të bëjë me jetë njerëzish.

Reagimi im (aspak profesional se jam shumë larg sektorit të shëndetsisë) vjen nga një krahasim që jam në gjendje të bëj me qëndrimet e përgjithshme të mjekëve shqiptarë në kohën time dhe atyre që kam gjetur tek mjekët kanadezë, kur kam patur të bëj për vete apo për anëtarët e familjes. Janë dy qëndrime diametralisht të kundërta:

Mjekët tanë ishin të bindur në diagnostikimin dhe kurën që jepnin, ndërsa mjekët e këtushëm me shumë thjeshtësi të thonë se është e mundshme kjo lloj diagnoze dhe mund të provohet një lloj terapie e caktuar.

Sigurisht që nuk kam ndërmend të sugjeroj ndryshime thelbësore në sisitemin mjekësor shqiptar, në shkollimin dhe në psikologjinë e mjekëve. Por ajo që dua të theksoj në këtë kohë të Covid-19 është siguria me të cilin japin trajtime me antibiotikë kundër Covid-19. E kam fjalën jo për mjekët e spitaleve dhe ata specialistë, por për mjekët e zakonshëm, që këtu quhen mjekët e familjes dhe ndoshta në Shqipëri quhen mjekët e bllokut ose të lagjes.

“Provo këtë antibiotik!”, “Shko në filan farmaci se atje kanë nga ky lloj!”, “Filloni merrni dhe ju të tjerët për t’i dalë të keqes përpara antibiotikë“ janë disa nga thëniet e mjekëve në Shqipëri. Tregojnë mosnjohje, mungesë përgjegjshmërije dhe korrupsion.

Pandemia Covid-19 ka shumë e shumë të panjohura, sepse është një sëmundje e re dhe diskutime dhe polemika rreth terapive ka në të gjitha nivelet e mjekësisë botërore. Por pas më shumë se një viti është provuar që antibiotikët dhe shumë kura të tjera nuk luajnë asnjë rol në trajtimin e sëmundjes. Nuk mund të vazhdohet më me të njëjtën papërgjegjshmëri që ka treguar Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Shëndetsisë edhe nga mjekët dhe farmacistët.

Shqiptarët kanë shumë pak besim tek sistemi shëndetsor, jo vetëm për faj të funksionarëve, që kanë lënë spitalet në gjendje të mjeruar, por edhe për shkak të korrupsionit të mjekëve dhe farmacistëve. Dhe të mos kesh besim tek sistemi që mbron jetën do të thotë se je plotësisht pa rrugëdalje, se nuk ke ku përplas kokën, sidomos në kushtet e pandemisë, kur edhe kufijtë janë thuajse të mbyllur.

Nuk është turp të thuash “këtë nuk e di se është sëmundje e re”, por është turp të mos kërkosh në informacionin e bollshëm online dhe sidomos është kriminale, që në mënyrë të ndërgjegjshme të sugjerosh ilaçe që nuk bëjnë asnjë të mirë, të blihen tek farmacisti me të cilin ndan paratë. 

No comments:

Post a Comment