Sa më kishte kotur gjumi, kur mbiprehërësi tingëlloi dhe në “inbox” pashë “boboshtarka59”. E hapa menjëherë pa ndjekur “protokollin” e sugjeruar, kur email ka “attachment”. Mesazhi ishte: “Dil vetë në përfundim!”
Bashkëngjitur ishte një video prej 24 sekondash. Një kurriz i
lakuriqtë i një këngëtareje, pranë profilit të një burri, që më ngjau me avokatin
tim në Tiranë. Kur këngëtareja u kthye nga celulari që po e filmonte, dallova
Anxhela Peristerin, e cila po këndonte një këngë bullgare në një lokal shumë
modern.
Në ç’përfundim të dal?
Në një lokal diku në Ballkan, Peristeri këndonte për një
grumbull njerëzish, që hanin e pinin dhe mes të cilëve ishte avokati im. Kënga
ishte bullgare ndërsa veshja e këngëtares e vitit 2020. Anxhela Peristeri do
konkurojë në Eurosong si përfaqësuese e Shqipërisë dhe ka dalë në foto me një
veshje popullore që duket më shumë bullgare se shqiptare. Dhe mbiemrin nuk e
mban Pëllumbi po Peristeri!
Nuk di ç’qëndrim të mbaj me avokatin?(Avokatin tim, jo
Spartak Ngjelën.) Më vjen t’i them “Ja qëndrimi yt- ja dhe materialet video që
më vijnë nga “boboshtarka59”!”
Të jetë lokali në Boboshticë apo në Dobruxhë? Se nga mesazhi
“Të gjitha rrugët të shpien në Boboshticë“ me mesazhin “Dil vetë në përfundim!”
është një kërcim shumë i madh. Aq më shumë nëse fusim në ekuacion edhe
Roterdamin, ku do zhvillohet Festivali Europian.
Nuk mund t’i besoj më avokatit tim në Tiranë, se ai duket që
është hapur në konflikt interesi. Nëse ai e lexon blog-un duhet ta kuptojë menjëherë
që është i papërshtatshëm për të vazhduar mbrojtjen time. Kështu që situata bëhet
tmerrësisht emergjente. Dhe situatat emergjente përballohen vetëm me një
mobilizim emergjent. Nga ky hall mund të më nxjerrë vetëm e vetëm “boboshtarka59”
të cilës duhet t’I drejtohem me zemër në dorë, si vëllai motrës, si hallexhiu
hallexheshës, si bashkëatdhetari në Diasporë bashkëatdhetares në Mëmëdhe.
“E nderuara Boboshtarka59.
Më ke ndriçuar me videon e fundit që patët nderin të më dërgonit dhe arrita në
përfundimin se duhet t’ju besoj Juve dhe vetëm Juve! Sikundër e dini, në një
shkrim të ngutshëm, kam përmendur valltarin Ushkurov, por pa patur asnjë tendencë
të ulja vlerat e tij si valltar popullor bullgar dhe për më tepër si mentor
valltarësh popullorë bullgarë. Vetëm për të treguar rëndësinë e mentorëve dhe të
të gjithë procesit mentorial, unë ju përcolla lexuesve të mij të pakët, atë ç’më
kishte rrëfyer skenografi bullgaro-kanadez Zheljko Zhinukov. Ndoshta ndonjë
ngjyrim negativ tregimi ka marë edhe pse kur e dëgjova isha duke rrëkëllyer një
shishkë Kabërne nga ato që shërbeheshin në aviona, para se të merreshin masat
anti-Covid 19. Do ndjek hap pas hapi të gjitha këshillat tuaja rreth kësaj çështje.”
E bera “send” dhe po pres tani zemërdridhur.
No comments:
Post a Comment