Monday, 10 May 2021

alPolitika


Doja një fjalë, e cila të përcaktonte më mirë politkën shqiptare dhe nisur nga termi i njohur “realPolitika” dhe nga termi jo i njohur dhe vulgar “halePolitika” përfundova tek neutrali dhe sterili “alPolitika”, por që nuk tingëllon në shqip shumë shumë ndryshe se termi vulgar.

Nëse mund të japim disa karakteristika të alPolitikës (ato më kryesoret) mund të themi se:

·         Lidhje shumë e fortë dhe e afërt me botën kriminale. Nuk është karakteristikë “puro shqiptare”, por tek rasti i jonë gërshetimi krim-politikë është tmerrësisht i thellë dhe deri diku i “pashkoklavitshëm”. Mund të përmenden pafundësisht raste dhe emra, duke nisur me lidhjen Fatos Nano-Nehat Kulla, kontaktet Ilir Meta-Aldo Bare, lidhjet e Berishës me botën e krimit në Tropojë, dhe duke vazhduar me deputetët e ish-deputetët Tom Doshi, Mark Frroku, Paulin Sterkaj, Lefter Koka, Aqif Rakipi dhe dhjetra e dhjetra politikanë më të vegjël, qindra gjykatës, prokurorë dhe avokatë, mijra nëpunës lokalë. Botës së krimit i duhet politika për t’i shpëtuar ndëshkimit, për të fituar më shumë para, për të miratuar ligje që e favorizojnë. Zyrtarët më të lartë shqiptarë “as për sy e faqe” nuk i qëndrojnë larg kriminelëve, por i sheh në foto, video dhe hapur në publik. Me një fjalë krimi ka marrë qytetarinë në Shqipëri si pjesë e Elitës së vendit.

·         Organizimi i formacioneve politike si në Diktaturë, ose si strukturat e krimit të organizuar. Si rrjedhojë e Diktaturës, ku e vetmja parti politike ishte e drejtuar nga një njeri i vetëm, fjala e të cilit ishte ligj, edhe partitë kryesore shqiptare janë të organizuara po njëlloj, ku Kapoja vendos jo vetëm për strategjitë, programin, taktikat, por edhe për hollësitë më të vogla , që lidhen me jetën e partisë. Kjo ka të bëjë edhe me prapambetjen e shoqërisë shqiptare dhe konceptet e saj patriarkale, ku më i vjetri mashkull është i pari i familjes së madhe dhe pa u këshilluar me të nuk mund të merren vendime të rëndësishme për jetën. Edhe numuri shumë i madh i partive politike është pasojë e këtij mentaliteti, ku gjithkush do të komandojë e të kontrollojë një grup të tijin, sado i vogël të jetë.

·         Centralizimi i tepruar i shtetit. Pothuajse nuk ka aktorë të politikës shqiptare në këto 30 vjet, që të këmbëngulin për decentralizimin e shtetit. Nga viti në vit, jo vetëm ministritë, por të gjitha institucionet qeveritare dhe joqeveritare përqëndrohen gjithnjë e më shumë në Tiranë. Në ligjet e miratuara vazhdon të shtohen akoma më shumë kushtet që duhen të plotësohen dhe të miratohen në institucionet qëndrore, duke filluar me bizneset e duke përfunduar në lejet e ndërtimit për një shtesë banese në një zonë të ashtuquajtur të trashëgimisë kulturore. Dhe të gjithë ata që merren me politikë, të majtë dhe të djathtë kërkojnë që shteti të ketë sa më shumë kompetenca, që nënkupton pushtet të tyre dhe mundësi më të mëdha për të fituar nga aferat korruptive. Krijimi i një database gjigand aplikimesh si e-Albania, jo vetëm që shkel privacinë e njerëzve, por  komprometon të dhënat individuale të shqiptarëve dhe lejon që ato të përdoren nga grupime politike apo kriminalo-politike është një tjetër largim nga parimet e demokracisë liberale.

·         Mosfunksionimi i pjesëve të tjera të shoqërisë si shoqëria civile, institucionet fetare etj. Për shkak të Diktaturës së gjatë dhe të ashpër shqiptare, Shqipëria ndryshon nga vendet e tjera dhe ato ish-komuniste, se i mungojnë plotësisht pjesët që përbëjnë atë që quhet “stofi” i një shoqërie. Ndalimi i fesë dhe i gjithë llojeve të tjera të organizimit shoqëror për një brez të tërë ka bërë që në Shqipëri për një numur të madh njerëzish mungon përvoja, por dhe ndienja e solidarizimit. Eshtë për të ardhur keq që edhe sindikatat ose janë në forma rudimentare ose sektorë të tërë të ekonomisë nuk kanë të tilla. Në çdo vend me një demokraci normale janë këto pjesë të shoqërisë (të ashtuquajturat grupet e interest), që përcaktojnë drejtimet e fushatave elektorale, fatin e zgjedhjeve pra funksionimin e natyrshëm të një shoqërie demokratike. Ndaj psikologjikisht njerëzit vazhdojnë me të njëjtin mentalitet- Partia vendos për gjithshka. Dhe partia ka veglat e saj(rininë, gruan etj) dhe nuk ka se si edhe pse të organizohesh ndryshe.

Politikës (nënkupto partive politike) ju intereson kjo mendësi jo vetëm kur janë në pushtet , por edhe në opozitë. “Jemi ne (partia) që vendosim për fatet e njerëzve të këtij vendi ndaj nëse doni të bëni karrierë duhet të jeni pjesë e jona.”

Në të tilla kushte nuk ka as administratë shtetërore të papërzjerë me politikë, as ushtri të depolitizuar, as polici të depolitizuar dhe as gjykatë e prokurori të tilla. Pra edhe nëse i jepet një goditje e fortë korrupsionit, përsëri shteti nuk mund të funksionojë si në një demokraci të vërtetë se nuk ka pavarësi as të shtyllave të pushtetit dhe as të forcave që mbrojnë vendin apo rendin.

Këtë pushtet të partive politike e njohin mirë, që të gjitha pjesët e shoqërisë dhe duan apo nuk duan, të gjithë nuk kanë se si të shpëtojnë nga rrjetat e tyre. Kjo vlen për të rinjtë që duna të punësohen në sektorin publik, për njerëzit që duan të mbarojnë shpejt çdo hall me administratën, për bizneset e vogla që të mbrohen nga tatimet, për ndërtuesit që duan të marrin tendera apo edhe thjesht leja ndërtimi dhe deri tek gjykatësit, të cilët duan të emërohen në vende të punës sipas meritave profesionale që kanë.

Këtë pushtet e njohin mirë anëtarët e krimit të organizuar të cilët e kanë të nevojshme të kenë lidhje me pushtetin për të “operuar” në sektorët e tyre dhe për t’i shpëtuar ndëshkimit nga ligji.

Deri më tani nuk ka asnjë forcë politike shqiptare e përfaqësuar në parlament, që mos jetë e lidhur me mijra fije me krimin e organizuar. Se sa vendimmarrës është pushteti kriminal i krahasuar me atë të kreut të partisë, kjo është diçka, që vetëm aktorët kryesorë e dinë, por brenda “kupolave” dihet se cilët janë ata që vendosin tek PS-ja, PD-ja, LSI-ja apo PSD-ja.

Kjo është arsyeja, që edhe Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuar, të cilat nuk janë të interesuar për një lidhje të tillë të politikës me krimin nuk janë në gjendje të mbështetin hapur një politikan apo grup politikanësh, se shërbimet e tyre sekrete e dinë se sa të implikuara të tëra palët. (Ndonjëherë edhe shërbimet sekrete të Fuqive të Mëdha janë të interesuara për të pasur politikanë të përlyer, të cilët mund të shantazhohen lehtë, por ata e dinë që në këtë fushë kanë një konkurencë të fortë të “lojtarëve të ndyrë“ si Kina, Rusia, Turqia, Irani, Arabia Saudite apo edhe deri diku nga Izraeli.)

(vijon)

No comments:

Post a Comment