Sunday, 11 April 2021

Rotariani Zhan Pol D’Artanjan

Pasi i rrashë ziles në Portën e madhe me kangjella, në tabelën e së cilës shkruhej “Një për të gjithë, të gjithë për një“, ajo u hap ngadalë dhe me kujdes i hodha hapat drejt hyrjes së Vilës. D’Artanjan është një farmacist i njohur në qytet dhe jo rrallë mund ta shohësh në një nga tre farmacitë e tija. I ka kaluar të 70-etat, por mbahet mirë. I gjatë, fytyrë ngjyrë ulliri dhe flokë gri. Në krah ka të shoqen, Silvin, edhe ajo e gjatë, fytyrë ngjyrë ulliri dhe flokë gri. Silvi mban syze, por jo Zhan Poli, që i kapsallit sytë shpesh.

Më pritën në dhomën-bibliotekë dhe më treguan të ulesha në një ndenjëse pranë një globi të madh. Ju spjegova që isha ngutur të bëja atë vizitë kortezie për diçka që lidhej me takimin e të martës. Të dy ndërhynë shpejt duke thënë se nuk ishte aspak një vizitë e ngutur, dhe se ata kishin disa ditë që mendonin të më ftonin për të më njohur, se ishin shumë kureshtarë të njihnin dikë nga Shqipëria. Më pas në dhomë hyri një maçok gri dhe i bardhë, për të cilin më shpjeguan se ishte anëtari i tretë i familjes dhe quhej Fyfy.

“Zhan Pol çmëndet po qe se Fyfy nuk është në shtëpi. Shtëpia është shumë e madhe për ne të tre dhe ka shumë vrima dhe Fyfy është çapkën. Ka patur disa raste që ka dalë natën jashtë dhe Zhan Pol ka shkuar për orë të tëra në qytet ta gjejë dhe asnjëherë nuk është kthyer pa të. Unë nuk mund ta le shtratin pas mesnatës edhe sikur ta di që Fyfy mund të rrijë dy ditë jashtë. Por jo Zhan Pol!”

Unë nuk dija ç’të thoja dhe mërëmërita diçka për lidhjen e fortë shpirtërore që krijojmë me kafshët shtëpiake, por dukej që zëri më dridhej se farmacisti po më zhbirilonte. Ndoshta dyshonte se unë nuk isha shumë i bindur në devotshmërinë e tij ndaj Fyfy-it dhe mendoja se ai dilte pas mesnate për qëllime të errëta, por mua nuk më shkonte aspak në mendje kjo, se kisha hallin në pjesët e njohura që duhet të luaja në piano ditën e martë.

“Në rini kam luajtur “Fugën e maçokut” të Vivaldit, por vitet e fundit, për shkak të një artriti të parakohshëm në dorën e djathtë nuk mund të luaj si më parë!”

“Jemi të sigurt që performanca juaj do jetë e nivelit!”- tundi kokën i sigurt D’Artanjani.

“Do kisha dëshirë që në takimin e parë të dëgjoja dikë tjetër, për të njohur nivelin e anëtarëve dhe marëdhëniet e tyre me muzikën e dhomës. Duke i njohur fenomenet edhe çdo gjë do jetë më e lehtë. Ja psh tani e di që Fyfy, ndonëse rrallë, por ka raste që largohet natën në një drejtim të paditur dhe kjo njohuri do më ndihmojë të krijoj raporte të drejta me të“ -thashë me zë të zvargur dhe kur Silvi nuk kishte mëndjen i shkela syrin Zhan Polit. Nuk më kthehu sinjalin kuptimplotë por pas disa çastesh tha:

“E vure re besoj tabelën në hyrje dhe duhet ta dish se nuk e kam shkruar pasi lidhet me mbiemrin dhe Dyma-atin, por se është lejtmotivi i jetës sime dhe të Silvit, si dy Rotarianë të vërtetë. Shpresojmë edhe ti të bëhesh i tillë!”

Më pas vazhduam me biseda reth udhëtimeve, politikës ndërkombëtare, vaksinimit dhe teorive komplotiste, Shqipërisë dhe vendit të saj në Ballkan, artritit dhe shkaqeve të tij, dietave të shëndetshme dhe pemëve gjenealogjike dhe e mbyllëm me arkitekturën Mesdhetare dhe rolin e Rotarianëve në zhvillimin e saj. Në fund bëmë disa fotografi të tre dhe një bashkë me Fyfy-n.

U largova plot optimizëm nën tingujt e “Fugës së Maçokut”, të cilën e kishte gjetur Silvi në youtube dhe vuri për nder të vizitës sime dhe lidhjes së fortë që krijova me maçokun dhe “prindërit” e tij.

No comments:

Post a Comment