Saturday, 30 May 2026

“Galat” e Pranverës


Këto që shihni në foto nuk janë pjesëmarrëse të serialit “Desperated Housewives” (Shtëpiaket e dëshpëruara), që ka patur sukses në Amerikë dhe zhvillohet tashmë në shumë qytete të mëdha të Shteteve të Bashkuara. Nuk di se sa janë në foto shqiptaro-amerikane, por zonja bionde në qëndër, është një filantrope e shquar shqiptare, që banon në Amerikë prej vitit 1997. Quhet Fotini Allteni dhe përdor edhe emrin Foti Kokeri, sepse ka faqe interneti në të dy këto emra. Për Fotini Alltenin dhe punën e saj si filantrope kam shkruar më parë dhe ndoshta nuk mund të shtoj shumë gjëra të reja. Por fotoja ishte “goditëse”! Ishte “Gala Spring” (Gala e pranverës) dhe pjesëmarrëset në foto, po merrnin pjesë në një darkë, ku mblidheshin fonde për të ndihmuar një spital në Nju Xhersi. Këtë muaj të po këtij viti. Ndoshta disa prej tyre mbledhin edhe fonde për të ndihmuar spitalet e Shqipërisë.

Këto gra, disa me një sup zbuluar dhe një mbuluar, duket se përcjellin një ekzaltim, që nuk mund të jetë i shkaktuar nga dhimbjet e të sëmurëve në pavionet e Nju Xhersit apo të ndonjë spitali shqiptar, por nga shampanja që pinë dhe nga idea se janë veshur bukur dhe përveç kësaj se janë duke dëfryer për një “çështje të madhe”.

Nuk dua të përdor një lojë fjalësh, për t’i quajtur këto vetë “galat e pranverës”, sikundër kam bërë në një shkrim shumë të hershëm në këtë blog, të titulluar “Galat fluturojnë lart!” Këto zonja nuk më kujtojnë aspak galat tona dhe për më tepër, shqiptarja e vërtetë dhe kryesuesja e tavolinës, Kokeri - Allteni, është bionde.

Po përse i rikthehem kësaj teme dhe “i jam qepur” Fotinisë tonë?

Dua t’ju tërheq vëmendjen lexuesve të këtij blogu, mos gënjehen nga shkëlqimi i rremë i filantropëve dhe as mos ju besojnë shumë “çështjeve të mëdha” që propagandojnë. Jo vetëm që të mbrojnë xhepin e tyre nga ndonjë dhurim në çaste emocionale, sepse edhe nëse dhuron 200 apo 500 dollarë, për dikë që punon në Amerikën e Veriut nuk përbën ndonjë humbje të madhe. Ajo nga e cila duhet të mbrohemi dhe të mbrojmë edhe fëmijët tanë, por edhe të njohurit e tjerë, është mendësia se filantropitë mund të bëjnë mrekullira për të dobëtit dhe të pambrojturit e kësaj bote.

Nuk është kështu, edhe pse ka fondacione që shpenzojnë miliarada për bamirësi. Këto të fundit vërtet sjellin ndryshime në jetën e njerëzve ose edhe të rajoneve të varfra, por shumë fondacione të tjera mbledhin fonde që mund të përballojnë vetëm rrogat dhe disa nga këto “galat” dhe vetëm thërrime përfundojnë tek të sëmurët apo tek fëmijët që nuk kanë para të vazhdojnë shkollat.

Filantropia nuk zgjidh aspak problemet që krijon diferenca e madhe mes jetës të “Kamësve” me atë të “Skamësve”. Thjesht bën të ndjehen mirë “Kamësit” dhe disa majmunë që duan t’i imitojnë. Këta të fundit duan të vishen si “Kamësit” dhe të jenë në praninë e tyre.

Ndaj edhe pse nuk mund të nxjerrin foto dhe video në kuvertat e jahteve të tyre, këta majmunë (dhe majmunka) nxjerrin foto nga veprimtaritë kulturore krahas të pasurve ose video duke ngarë makina të shtrenjta, motoçikleta apo jetski, sikundër bëjnë shumë syresh, përfshi këtu edhe Alltenin, “të cilës i ka rënë bretku në punë“ gjatë 10 viteve në SHBA.

Kam njohur një mashtrues në Shqipëri, i cili pasi “rrëmbeu” sa mundi duke shfrytëzuar vendin e punës, emigroi në Amerikë dhe atje zgjodhi një tjetër mënyrë mashtrimi për të jetuar pa mund. Zbuloi Jezusin dhe u bë pastor. Tani mund të jetë edhe fqinj me Fotininë dhe pozon duke ngarë skafin e tij. Ndoshta bën edhe pakëz filantropi me fondet që besimtarët i dhurojnë kishës ku predikon.

Vendet e pasura dhe të lira, krijojnë shumë mundësi për mashtruesit të ushtrojnë “vokacionin” e tyre. E tillë është natyra e sistemit liberalo-demokratik.

Por njerëzit e zakonshëm dhe të ndershëm duhet të paktën të jenë në gjendje t’i tregojnë me gisht duke thënë “Ky është mashtrues!’. Për të mbrojtur veten dhe të tjerët prej tyre.

Në verë me siguri do ketë edhe “gala” të tjera kudo në Amerikën e Veriut. Filantropët kanë nevojë të dëfrejnë, sikundër do çdo njeri mbi këtë glob, përveç murgjëve dhe murgeshave. (Edhe pastorët duan bajagi të dëfrejnë!)

Unë nuk dua që fotot e galave të Foti Kokerit të më vijnë në kompjuter, por nga që algoritmi i Google e di që unë jam interesuar më parë për të, m’i dërgon dhe një pjesë jam në gjendje t’i injoroj dhe të tjerat jo.

Disa prej tyre janë një pasqyrë e qartë se zonja në fjalë është krejtësisht e “Rreme”. Por nuk është as e para dhe as e fundit shqiptare që tregon pangopësi dhe mendjelehtësi për të demonstruar jetën e saj prej të pasuri. Ndaj nuk duhet të çuditemi as me Monika Kryemadhin, as me Belinda Ballukun dhe as me Olta Xhaçkën apo të tjera zonja shqiptare të zhytyra deri në grykë në llumin e korrupsionit.

Shkëlqimi i jetës së lehtë me para të vjedhura ose të përfituara padrejtësisht i tundon për fat të keq shumë shqiptare edhe në këtë anë të Atlantikut.

Ky oqean i shkretë është i kripur dhe sa më shumë të pish ujë prej tij, aq më shumë të pihet.

Friday, 29 May 2026

“Mjeshtri” i manipulimit të grave VIP


Nëse duhet t’i japim disa merita Edi Ramës, njëra është mënyra se si di të manipulojë politikanët e huaj dhe veçanërisht gratë. Ai është tashmë jo vetëm politikani shqiptar më me famë i gjithë kohrave në Bruksel, por edhe politikani më i preferuar në qarqet e qëndrës së Bashkimit Europian nëse e krahasojmë me të gjithë politikanët ballkanas të 30 viteve të fundit.

Ai pat ndërtuar marëdhënie tepër speciale thuajse me të gjitha politikanet e rëndësishme europiane, përfshi këtu edhe të mënçurën Anxhela Merkel, e cila ndoshta më vonë e kuptoi që Rama të gënjen ‘ditë më drekë“. Por gjithë të tjerat, duke nisur me Mogerinin dhe duke përfunduar tashmë me sllovenen Marta Kos, duket se “bien pre” e sharmit të kryeministrit dymetrosh me atlete të bardha dhe që vishet në mënyrë të pazakontë për një zyrtar të lartë.

A luan rol një lloj tërheqjeje seksuale, që këto politikane kanë ndaj piktorit shqiptar, të vetëshpallur lider botëror?

Apo ai është vërtet një yll i politikës europiane dhe shkëlqen edhe nëse krahasohet me të gjithë politikanët e Kontinentit të Vjetër?

A ka të bëjë zhdërvjelltësia e tij në bisedë, qasja ndaj problemeve europiane, qënia i kulturuar, që i le gojëhapur sa Kosi do të ngjitë edhe Korabin bashkë me të?

Shumë vite më parë, ndërsa lexova në shtypin shqiptar një këmbim mesazhesh mes Ramës dhe Helena Kadaresë, për një pranim të mundshëm të rolit të Presidentit nga Ismaili, më ra në sy një pyetje e Edit kryeopozitar: “Zemër a do ndodhë mrekullia?” Mrekullia ishte pranimi i Is i kompromisit Sali-Edi, që të vihej Kadareja në krye të shtetit shqiptar. Por “mrekullia” më e madhe për mua ishte se si një burrë 40 vjeçar i drejtohet një shkrimtareje 60 vjeçareje dhe ajo nuk çuditet prej emërtimit “zemër”, por vazhdon në mënyrë të natyrshme këmbimin e mesazheve.

E pyeta një mikun tim dhe atij nuk ju duk ndonjë çudi “ligavitja” e Edit, sepse sipas tij kështu ju drejtohej të gjitha grave socialiste në “orientimet” që jepte për një mbarëvajtje të kësaj force politike. Duket që ky ishte njëri nga çelësat e Ramës, për të krijuar marëdhënie të mira me gratë, të cilat kam frikë se sa më shumë ngjiten në karrierën politike, aq më budallaqe bëhen.

Se nuk kam fjalë tjetër për të thënë për Melonin, pasi kam parë gjithë këmbimet e saj në publik me Ramën, nga përulja në tapetin e kuq dhe deri në puthja në sytë e të gjithë kryeministrave europianë. Nuk ishin aspak qëndrimet e një drejtuese qeverie të një vendi të rëndësishëm europian, e cila duhet të pasqyrojë seriozitetin e shtetit të saj, por edhe mundësisht të bëhet një model i mirë për adoleshentet italiane.

Ish gazetarja italiane me “lapardhitë“ e saj edhe ndaj Elon Musk, më krijon përshtypjen (ndoshta të gabuar) se edhe tek femrat, pushteti është “afrodiziaku” më i mirë, po ashtu si edhe tek burrat. Kam frikë se dhe këto “pela të ndezura”, po ashtu si “hamshorët me pushtet” duan të shpien sa më shumë burra që ëndërrojnë në shtrat. Mund të jem tërësisht i gabuar, por sjelljet e saj, shikimet e dyshimta epshore të Mogerinit dhe puthjet efundit të Kosit pas pyetjes- “po mua nuk më do?” më shpien në këtë përfundim ndoshta shumë të ngutur. Këtu do shtoja edhe një flirtim të hapur në Greqi të Dora Bakojanit me Lul Bashën, kur të dy ishin Ministra të jashtëm.

Më kuptoni, që unë i vlerësoj politikanet gra. Madje them se sa më shumë të tilla të ketë në krye të qeverive në botë, aq më mirë është për Njerëzimin. Me ndonjë përjashtim të vogël, nuk di ndonjë grua me pushtet që të jetë sjellë si autokrate apo të ketë dëshmuar prirje diktatoriale.

Po a i budallallos pushteti, apo që kur hynë në rrugën e politikës, këto zonjusha dhe zonja nuk kanë aq mend sa duhet?

Anxhela Merkel ishte vërtet një përjashtim, sepse ishte jo vetëm shkencëtare, por dhe një grua shumë serioze dhe modeste, që pushtetin e shihte si përgjegjësi dhe jo si post për tu abuzuar. Por edhe për të, Silvio Berluskoni, një tjetër “hamshor” që flirtonte hapur majtas dhe djathtas, thosh - “Në ajo nuk të shkon mendja ta kesh në shtrat”. Mos kjo e bënte serioze? Duhet t’i shmangem kësaj hamendësie, se edhe gjermania Katerina e Madhe e Rusisë ishte jo e paraqitshme, por kishte një oreks seksual të jashtëzakonshëm.

Pati një politikane grua, që ishte kryeministrja japoneze, e cila e “nxorri huq” “Kazanovën shqiptar” në përpjekjet e tij për t’i “fituar zemrën”. I bëri të qartë që nuk pranonte t’i puthte dorën. Me arrogancën e tij, ndoshta Rama mendonte se mund të sillej si me një europiane a mund ta trajtonte edhe si një “geisha”, por nuk kishte vrarë mendjen as të pyeste ambasadorin shqiptar se cilat janë rregullat e sjelljes ndaj femrave në Japoni.

Kjo vjen se Rama nuk ka asnjë respekt për shumicën dërmuese të femrave. E ka dëshmuar gjatë gjithë jetës së tij. E megjithatë di t’i manipulojë shumë mirë, jo vetëm ato që i ka “nën hyqëm”, por edhe ato, nga të cilat varet e ardhmja e tij në krye të Shqipërisë.

Dhe për këtë, edhe unë, që kam një antipati të hershme për të, duhet të them: “Chapeaux!”

Turizmi i “eventeve” dhe Korça


Ka një pasqyrim të madh të përpjekjeve të pushteteve vendorë në Korçë për hapje e sezonit të ri turistik. Pa dashur të hamendësoj se sa është propagandë, sa është punë pa shumë fryte, më shqetëson fakti, që Turizmi ka marrë kaq rëndësi në të ardhmen e Ekonomisë së Bashkisë dhe të gjithë Qarkut të Korçës. Të duket se nuk ka fusha të tjera, që të bëhen nxitëse të fuqishme të zhvillimit ekonomik dhe arsimoro-kulturor, që jo vetëm të rrisin mirëqënien e atyre që jetojnë në Qark, por të bëjnë të mundur edhe një migrim brenda Shqipërisë në të kundërtën e asaj çka ndodhur në këto 30 vjet.

Korça nuk mund të lulëzojë ekonomikisht duke u mbështetur kryesisht në Turizmin. Shembujt e dështimeve të modeleve të turizmit masiv ka në të gjithë botën dhe nuk është vendi për t’i përmendur.

Më ra në sy një deklaratë e Raqi Filos (nuk po e quaj sot Ligaveci Gollash), që i thurrte lavde “turizmit të eventeve”, që sipas tij kishte lindur për herë të parë në Korçë dhe kishte bërë të mundur që turistë të panumurt të vizitonin Korçën dhe të ndihmonin ekonominë e saj. Ai përmendte edhe çmimet që kishin marrë këto “evente” nga Agjensia Kombëtare e Turizmit a nga ndonjë ministri.

Por pavarësisht nga propaganda e Filos dhe e të tjerëve unë nuk besoj se njerëzit shkulen nga gjithë Shqipëria dhe vendet fqinjë të shohin Festivalin “KoKo” të komedisë, që paska marrë edhe çmim si ngjarje e rëndësishme artistike. Thuhet që për shumë shfaqje artistike në Korçë nuk shiten dot as bileta, por njerëzit i shijojnë falas. Dhe mua edhe falas të më ofrosh një komedi ku luan Zamira Kita dhe shokët e shoqet e saj nuk do e shoh.

Por tek “evente” të tjera që ju ngjajnë panaireve të qëmotshme me të ngrëna dhe të kënduara shkojnë edhe vendasit edhe turistët shqiptarë apo të huaj. Nuk është ndonjë shpikje e madhe, por nuk duhet nënvleftësuar. Jeta e përditshme ka nevojë edhe për kërnace, birrë, lakror dhe aheng. Nuk mund të jetë vetëm ekspozita artesh vizive, koncerte sinfonike, apo festivale dramash dhe mbrëmje poetike.

E keqja e kësaj propagande bajate është dyfishe. E para krijohet përshtypja tek njerëzit se Turizmi është e ardhmja e Korçës dhe e “fshatrave përreth” dhe e dyta, që paraqitet si nivel kulturor dhe artistik në rritje, i një jete kulturore që sa vjen dhe shkon më teposhtë.

Edhe për turizmin, Korça e ka të domosdoshme të investojë në disa drejtime dhe që për mendimin tim janë:

  • Voskopoja duke kërkuar gjithnjë e më shumë fonde nga qeveria për restaurimin e të gjitha kishave dhe për të zhvilluar edhe veprimtari të tjera artistike dhe kulturore në to.

  • Investimet në zonën e Prespës për ta kthyer në një zonë të vërtetë të turizmit të verës.

  • Rritjen në maksimum të veprimtarisë të Muzeut Mesjetar me dalje të veprave të tij të jashtëzakonshm edhe jashtë mureve të atij Muzeu. Mund të jenë ekspozita të përkohshme në salla, në mjedise kishahsh të tjera, mund të jenë seminare rreth autorëve më të njohur dhe shumë veprimtari që tërheqin specialistët dhe turistët e huaj.

  • Duhet investuar më shumë në zona të thella malore si psh drejt Ostrovicës ose dhe luginës së Oparit, ku ka peisazhe interesante për të apasionuarit e turizmit malor.

Nëse do kënaqemi me numurin e vizitorëve vendas që rrinë në bujtinat e shumta për një fundjavë dhe kërkojnë “palo serenata” që më pas i kthejnë edhe në tallava, turizmi ka për të shkuar gjithnjë e më poshtë.

Këto karagjozllëqet e sajuara të karanavaleve në Qershor, bashkë me valltarët me maska që i sillen përreth Ramës ta ekzaltojnë ndërsa feston në Parku Rinia, janë nga ato “evente”, për të cilat vazhdimisht në Korçën e shekullit të kaluar është thënë që “t’i sjellin zorrët në gojë!”.

Edhe tek ngjarjet kulturore dhe artistike nuk duhet mbajtur asnjë shpresë. Edhe një festival si ai i MIK, që presupozohet të sjellë nivelin më të lartë të muzikës operistike dhe të bel kantos, dhe për të cilin shkojnë jo pak fonde të taksapaguesve në xhepin e Invas, ka katandisur si shfaqjet e dikurshme të cunguara, që Teatri i Operas duhet të jepte në ndonjë turne në fshat. Për të sjellë në qejf kooperativistët e lodhur nga korrja e grurit. Mbyllet edhe me një të kënduar nga 70 vjeçarja Zhani Sulioti, e cila nuk mund të dilte dot skenave kur ishte në kulmin e moshës dhe zërit të saj. Por sigurisht që ekzaltojnë Inva Mulën që mendon se ç’mund të investojë me paratë e fituara dhe Raqi Filon, që e sheh me gojë të hapur dhe nuk arrin të ndalë edhe ndonjë mushicë që i shkon deri në fyt.

Bëni diçka më me mend dhe më të mirë edhe për turizmin të dashur shokë hajna të PS-së!

Gjasat janë që të jeni gjatë në drejtimin e qytetit tonë.

Por nëse kini mjaft fantazi për të manipuluar fondet, vini një pjesë të saj edhe në shërbim të turizmit dhe të jetës kulturore.

Që mos ndodhë të nisni të këndoni në kor: “Do marr kazmën dhe lopatën, do vete t’i zbuloj varrë!”



Thursday, 28 May 2026

A është Amerika e zhgënjyer nga Trump?


Unë nuk jetoj në SHBA dhe nuk kam se si të kem një përqasje të vërtetë ndaj jetës amerikane. Për më tepër Amerika është një kontinent dhe si perceptohet jeta në një qoshe të saj, nuk perceptohet në një qoshe tjetër.

E ndjeva menjëherë vështirësinë, sepse në ndryshim nga udhëtimi që bëra në janar, tani benzina ishte thuajse dyfishi.Nuk ka se si mos bezdisë amerikanët dhe se si mos pasqyrohet në çmimet e tjera.

Takova disa shqiptaro-amerikanë dhe ata përgjithësisht donin t’i shmangeshin
çështjes Trump”. Duket kishin votuar për të dhe si trima dhe kryelartë e kanë të vështirë të parnojnë gabimin.

Por nga mësimet e para që kemi marrë këtej është se “njerëzit gabojnë vazhdimisht” dhe çdo prirje për të mos e pranuar është një kokëfortësi që nuk i shërben as kokëfortit vetë,

Gjithsesi, është e dukshme që SHBA është në prag të një krize ekonomike dhe kjo do sjellë (si gjithnjë) ndryshime në zgjedhjet e nëntorit. Trump do ketë fuqi më të kufizuara dhe nuk do veprojë lirshmërisht për çdo gjë që i pëshpërisin në vesh dhe i duket si “ide gjeniale”.

Por dëmi në frymën e marëdhënieve ndërkombëtare është bërë dhe duket i pariparueshëm të paktën për një periudhë disavjeçare.

Të gjithë po armatosen dhe më rëndë se kurrë. Pra një atmosferë mosbesimi, konflikti dhe lufte ekziston në të gjitha rajonet kryesore të Globit. Pa pikën e turpit, pasi merr pjesë në përurimin e një luftëanijeje të madhe, që Franca i ka shitur Greqisë, Makron deklaron se “do jetë në krah të Greqisë, nëse dikush ja cënon kësaj të fundit sovranitetin”?! Kujt i drejtohet deklarata? Kush mund t’i cënojë sovranitetin Greiqsë veçse Turqia?

Duke mos pasur besim tek Bashkimi Europian dhe ndikimi i tij në botë, unë sytë i kam drejt zgjedhësve amerikanë. Shtetet e Bashkuara mbeten forca më e madhe ekonomike dhe ushtarake në botë dhe e vetmja, që mund të ndikojë në një përmirësim të gjendjes ndërkombëtare dhe të shmangies të rrezikut të luftrave të shumta.

Ndaj votuesi mesatar amerikan është njeriu që mund të ndryshojë situatën në botë në nëntorin e këtij viti dhe në nëntorin e vitit 2028. Ndaj dhe vetë jam shumë i vëmendshëm rreth asaj se sa i pakënaqur është amerikani i thjeshtë nga Presidenti Trump.

Ky votues edhe pse mund të ketë një lloj intuite, nuk arrin të kuptojë se sa e rëndësishme është vota e tij për të ardhmen e Globit. Një pjesë shumë e madhe e amerikanëve as ja kanë idenë se ç’ndodh në botë. Janë të shumtë ata që as e kanë ndjerë të nevojshme të kenë pashaportë për të udhëtuar jashtë kufijve të saj. Por ata kanë një sens të Lirisë dhe Demokracisë edhe më të mirë se europianët, sepse janë lindur dhe rritur në një vend që nuk ka pasur kurrë Diktaturë. Prandaj dhe “lavjerrësi politik” shkon nga zgjedhja e një presidenti si Klinton, tek Bushi i Ri, tek Obama dhe më vonë në Trump. Personalitete thuajse pa asnjë ngjashmëri me njëri tjetrin dhe me politika shumë të ndryshme.

Partia Republikane, e cila u kthye në një “qerre e verbër” që po ndiqte rrugën e çoroditur të “the Donald” ka për ta humbur Kongresin në zgjedhjet e këtij nëntori. Rrezikon të humbasë edhe Senatin dhe forca e Ekzekutivit do dobësohet së tepërmi. Për të mirën e SHBA dhe për të mirën akoma më të madhe të të gjithë Botës. Trump e teproi “zullumin” me luftën ndaj Iranit, që solli edhe rritjen e vazhdueshme të çmimeve gjë që ndjehet tek xhepi i votuesit mesatara amerikan, i cili nuk do t’ja dijë as për luftën, as për latinot që dëbohen dhe as për ngrohjen globale. Por ai votues është shumë i ndjeshëm për ekonominë e familjes së tij dhe së dyti për kufizimin e lirive. Ndaj dhe unë kam shumë shpresë tek populli amerikan, madje edhe tek ata njerëz që e sollën përsëri në Shtëpinë e Bardhë “kalamanin” Trump.

Nuk kam besim as tek burokratët e Brukselit dhe tashmë as në shoqëritë liberale europiane, të cilat duken të mpira.

Sa të zhgënjyer janë amerikanët, për të sjellë mbylljen e këtij kapitulli kaq të turpshëm të historisë moderne?

Nuk jam në gjendje ta gjykoj sepse ka kohë që nuk besoj shumë as tek sondazhet. Gjithashtu nuk shpresoj se Partia Demokratike dhe një President i saj do bëjë çudira në drejtim të Paqes dhe të zhvillimeve shoqërore në botë. Eshtë një nga të këqijat e mëdha të sistemit politik amerikan që nuk “lejon” krijimin e forcave të reja politike me peshë.

Por diçka do kthehet në rrugën e normalizimit të marëdhënieve mes SHBA dhe Europës, mes SHBA dhe Amerikës Latine, mes SHBA dhe Kanadasë. Gjithashtu do ulet kjo mendësia e armatosjes deri në dhëmbë, edhe pse nuk besoj që politika për shpenzime më të mëdha lufte në vendet e NATO-s e diktuar nga SHBA do ndryshojë.

Por do ulen tensionet dhe kjo “histeri” e konflikteve në Europë, Azi, Afrikë dhe në Amerikë.

Nuk do dëgjojmë më “unë e dua Groenlandën dhe Panamanë dhe Kanadanë dhe më pas edhe Tinglimajmunin!”

Le të shpresojmë në pakënaqësinë e amerikanëve.

Unë dhe Korbi - poeme (7)

 

* * *


Të njëjtin qëndrim prej Sfinksi mori

A thua se asgjë s’dëgjoi nga e imja ligjëratë.

Me sy më zhbironte nëse gjëagjëzën

Që atë mëngjes prej larg e solli

Do zgjidhja para se të bëhej natë.

Ishte di]ka përtej vuajtjeve të mija,

Të drithërimave të adoleshencës

Dhe të mijra dyzimeve në rini.

E frikshme si paranormalja dhe larg shkencës

E përzimtë si një tribu që mban në grup zi.

“Në do të të them se besoj në Krijuesi,

A shtiresh se i dërguar prej tij ke ardhur

Do të të them se dhe në mjerimin më të madh

Dhe kur përcëllimin e zjarreve të ferrit ndjej

A akujsh në dridhje të vazhdueshme mardhur,

Nuk kam mundur ta gjej lehtësisht të kapshëm

Kufijtë e trurit tim duke mallkuar

Duke ju trembur pamundësisë për ta kuptuar

Ndaj plandosem në hedonizmin e rehatshëm

Dhe s’kërkoj të gjej në ndodhem në të sigurta duar.

Nëse do jetë e mundur që të flatrat të nderësh

Dhe të më marrësh qiejve të së Paanës,

Qoftë një grimcë të shoh të gjelbërimit të përhershëm

Nuk do kërkoj të më shpiesh drejt Fronit të Lartë

Do thërres “Besoj dhe gjithshka është e qartë”

E madhërishme është po aq sa unë i mjerë dhe i lumtur”

Do të them të më zbresësh sa më parë

Njerëzve t’ju shpie lajmin e bukur,

T’ju them se askush nuk ju ka gënjyer

Dhe ]’ka kam t’i blatoj tempullit më të humbur.”


* * *



Unë dhe Artan Fuga


Unë nuk e njoh Fugën. Gjithashtu nuk kam asnjë dëshirë që të shoqërizoj emrin tim me emrin e profesorit, për tu ndjerë i rëndësishëm, por nuk dija si ta titulloja shkrimin që ka qëllim vetëm të tregoj se bota shqiptare është e vogël.

Lidhja tepër periferike, u krijua në çastin kur pashë se kishte postuar diçka rreth 105 vjetorit të nënës së tij Shpresa Fuga. Ishte një emër i njohur për mua dhe nuk besoj se bëhet fjalë për një Shpresa Fuga tjetër. E kisha hasur në disa dokumenta, që bujarisht m’i pat dërguar një mikja ime dhe që kishin qënë në Arkivin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë.

Mendova se ç’mund të kishte relatuar në Komisionin e Revizionimit (po e shkruaj po nuk jam i sigurt a ekzistonte në vitin 1950 ky Komision) në administratën qëndrore të partisë së komunistëve për ankesën e babait tim, Andon Mara, që ishte përjashtuar nga Partia nga Pleniumi i Partisë së rrethit të Korçës.

Ndoshta bëj disa lidhje në mendje që janë krejt të panevojshme, se Artan Fuga si karakter mund të mos ketë asnjë lidhje me të ndjerën Shpresa Fuga, të cilën e kishte dërguar Partia në Korçë, të verifikonte ankesën e një anëtari partie, i cili kishte qënë mes 1000 komunistëve të parë.

Fuga, një akademik, i cili është i pranishëm në të gjitha llojet e mediave, më duket dikush me njohuri jo shumë të thella për një akademik dhe as leksionet që ka dhënë në univerisitetet e Francës, nuk më bind se është filozof i vërtetë. Më është dukur dikush me njohuri të sipërfaqshme, që ka aftësi të shkruajë, por që është tepër i fryrë dhe që dëshëron të bjerë në sy. Por observimet e mija tepër të cekëta nuk është e thënë se mund të jenë pranë të vërtetës. Përgjithësisht gaboj në konstatimet e para. E megjithatë kjo nuk më pengon t’i kërkoj të falur Fugës dhe lexuesve kur të bindem se jam thellësisht i gabuar.

Duke u kthyer në ngjarjen e vitit 1950, për të cilën as im atë nuk ka psur dijeni, se do e kishte përmendur ndonjëherë, më duhet të them se Shpresa kishte bërë biseda për çështjen me shumë anëtarë partie të cilët e njihnin Andonin. Dhe jo vetëm me funksionarët e Komitetit të Partisë që kishin këmbëngulur ta përjashtonin.

Sipas përmendjes që bën i biri, se këto ditë ishte 105 vjetori i lindjes, duhet të ketë qënë një grua 29 vjeçare, një vit më e madhe se babai im, e cila duhet të raportonte për diçka që ishte thuajse “jetë a vdekje” për një komunist 28 vjeçar në ato kohë. Andon Mara kishte bindje komuniste, të cilat i ishin forcuar prej vitit 1941, kur për herë të parë, shoku i tij i Liceut, Muharrem Frashëri e kishte nxitur të mësonte më shumë rreth marksizmit. Ishte në natyrën e tij të lexonte dhe të krijonte bindje në bazë të asaj që i dukej e llogjikshme. Ato që kishte lexuar e kishin bindur se bazuar në atë ideologji, njerëzit mund ta bënin botën më të mirë. Largimi nga Partia, më shumë se sa rreziku i një represioni të mundshëm, e largonin atë nga mundësia për të punuar për të realizuar bindjet e tij. Nuk kishte synuar kurrë të bënte karrierë, madje ishte larguar nga Tirana për të jetuar në Korçë.

Shpresa ndoshta kishte bërë një shkollë të mesme të mirë dhe ndoshta edhe ndonjë Universitet në vendet e Lindjes, ndonëse koha prej bursave të para (1945) dhe deri në vitin kur ushtronte verifikimin e ankesës, duket e pamjaftueshme që të ketë kryer studime të larta. Ndoshta edhe komunizmin e njihte dhe e donte po aq sa im atë. Sepse Fuga nuk është mbiemri i saj, dhe më duket se i shkon më shumë, djalit të saj filozof, Artanit.

Si e përmemenda më lart, raportimin e saj nuk e kam lexuar dot, por më është krijuar përshtypja se ka qënë përgjithësisht pozitiv me disa vërejtje. Kjo nga ç’kam lexuar shënimet e saj të bashkangjitura në dosje, nga bisedat me ata që kishte pyetur. Dhe nëse ka qënë kështu, dëshmon se ka qënë një grua me mend dhe njëkohësisht me sensin e të drejtës. Nuk kishte asnjë njohje me babanë tim dhe ndoshta nuk e ka takuar kurrë.

Ka dhe një arsye tjetër, që më bën të mendoj se raportimi nuk ka qënë negativ. Komisioni që e pat shqyruar më vonë të gjithë dosjen e plotë, pat përgatitur materialin për Byronë Politike, që vendimi i Pleniumit të Partisë për Korçën të hidhej poshtë dhe Andon Mara të rikthehej si anëtar partie me të drejta të plota.

Por dikush ose disa në Byronë Politike e patën kundërshtuar materialin dhe përfundimisht im atë mbeti jashtë asaj partie. Për tu ndjekur shpesh i përndjekur, por edhe me fatin e madh që mos e pësonte më keq, për shkak të natyrës jokonformiste që kishte.

Edhe Artan Fuga duket jokonformist, ndonëse nga sa i kam lexuar, nuk arrij të kuptoj se ku nis principialiteti i tij dhe ku përfundon dëshira për tu dukur dhe për tu bërë Kryeakademiku shqiptar.

Dikush, që e ka njohur nga afër, disa vite më parë më ka thënë kur e kemi zënë në gojë; “Mos kujto se është i ngjashëm me ty!”

Dhe sigurisht që nuk është. Artan Fuga është filozof dhe akademik. Kudo në televizione dhe rrjetet sociale i drejtohen me nderim profesor, profesor.

Dhe në përfundim dua të shtoj se kjo ishte lidhja ime shumë shumë shumë periferike me prof. Fugën.

Nëna e tij e ndjerë, kujtimin e të cilës dua ta nderoj dhe të ritheksoj se mbiemri Fuga i Shpresës, nuk ishte mbiemri i saj i vajzërisë.

Wednesday, 27 May 2026

Polena e çuditshme


Kam qënë vetëm njëherë në Polenë dhe nuk kujtoj as se përse. Ishte një fshat i njohur për mua që në fëmijërinë e hershme ndoshta nga përmendja e shpeshtë e doktor Polenës. Ishe një lloj shpëtimtari për pacientët e Korçës, sepse ishte i kudogjendur dhe shumë i aftë. Varrimi i tij ndoshta ka qënë me më shumë pjesëmarrës , se çdo proces funeral që kam parë gjatë jetës sime në Korçë. Lajmi se kishte mbaruar në Vienë ishte përhapur si rrufe në qytet pa erdhur trupi i Sotir Polenës.

Më pas kisha dëgjuar për shumë njerëz që mbanin mbiemrin Polena. Gjithashtu edhe për ëpolenakët. Nuk kujtoj nëse kishte superlativa për ta, por për keq nuk i përmendte njeri. Të krijohej përshtypja se kishin qënë mbështetës aktivë të luftës partizane dhe kishin marëdhënie të mira me pushtetin e asaj kohe.

Kur pata hyrë në shkollën e mesme, kisha në klasë dy polenakë dhe paralel me ne ishte dhe një i tretë. Djem të mirë, por “gdhëj” në mësime. Mbiemrat tipike të Polenës – Kallço, Tollkuçi dhe Kostandini. Nuk di se ç’profesione patën pas të mesmes, se dy të parët nuk e përfunduan shkollën me ne.

Kur hyra në punë mësova më shumë rreth fshatit dhe bashkësisë së tij. Ishin shumë punëtorë, ndërtues dhe gurëgdhëndës të mirë dhe të vendosur në fenë e tyre ortodokse edhe pse ishte e ndaluar me ligj. Nuk kishin lënë të hynte në fshat asnjë familje me origjinë myslimane.

Kur punonim për të ndërtuar një lapidar në Ciflig për të përkujtuar dëshmorët e Cifligut rënë kundër turqve dhe dëshmorëve të zonës të rënë gjatë Luftës së Dytë, një karpentier polenak, me të qeshur theshte : “Këtu po punojmë me orë të zgjatura për shkak të Sades së Dërsnikut!” Sadeja duhet të kishte qënë ndonjë komandant ballist që mbase kishte vrarë në atë fshat partizanë. Atëhere mësova se ishin në një armiqësi të përhershme me Dërsnikun, që ishte fshati fqinjë me popullsi muhamedane.

3-4 specialistë ndërtimi që punonin për Atelienë e Monumenteve dhe vinin e shkonin për ditë në Polenë i kisha njohur si specialistë dhe burra shumë të mirë. Nuk pata kuptuar nëse ishin shumë fetarë dhe në kishin ndonjë mllef me dërsnikarët. Nuk besoj se jetojnë, pasi edhe kur i kam njohur para vitit ‘90, ishin në prag pensioni.

Por çudia me këtë bashkësi me karakteristika tepër të veçanta (edhe polenakët që jetonin në qytet ishin po njëlloj) m’u krijua pas vitit 1990, kur gjithshka ndryshoi në Shqipëri. Papritur mësova se Ambasada greke ju kishte dhënë një status të veçantë polenakëve. Në fillim mendova se duhet të kishte lidhje me vendosmërinë e tyre për të mbrojtur fshatin e tyre nga përzjerja me muhamedanë, që ndoshta nuk kishte ndodhur në ndonjë fshat tjetër të Shqipërisë së Jugut. Nuk kisha dëgjuar kurrë që polnakët të kishin qënë filogrekë. Edhe pse me endje isha munduar të gjeja emra prej atij fshati që ishin përzjerë ndonjëherë në çështjen e Vorio-Epirit gjatë 20 viteve të para të shekullit të XX nuk më kishte rezultuar ndonjë prej mbiemrave të njohur të fiseve kryesore. Gjithashtu nuk dija edhe mbështetës të shquar të shqiptarizmës. Një anekdotë kisha dëgjuar për një polenak në Korçë, që lëngonte dhe që të shpëtonte nga lëngimi i zgjatur në ditët e fundit të jetës, të afërmit kishin veshur një djalë të mëhallës si evzon dhe i kishin thënë greqisht- “Patera irthene ta pedhia!” (Baba, erdhën djemtë!) dhe ai kishte mbyllur sytë pasi kishte thirrur - “Zito Hellas!” (Rroftë Greqia!), por e quaja diçka të krijuar për humor dhe jo të tipike tek banorët e Polenës. Fshati vetë ishte shumë larg kufirit dhe edhe pse mund të kishte pasur shumë herët ndonjë shkollë fillore greke, nuk njihja ndonjë polenak të dinte ndonjë fjalë greqisht.

Por kujdesi i shtetit grek për polenakët u shtua dhe ata u paisën edhe me leje qëndrimi në Greqi dhe ndoshta kanë përfituar edhe nënshtetësi të vendit fqinjë?

Si ishte e mundur, që banorët e një fshati pranë Korçës, me asnjë pjerardhje greke, të njohur si punëtorë dhe mbështetës të komunistëve, quheshin veçanërisht të privilegjuar nga Greqia?

Me siguri që vetë polenakët dhe të tjerë në Korçë e dinë përgjigjen e kësaj pyetje, por mua më ka mbetur një lloj enigme, edhe pse jo aq e rëndësishme sa të pyes ndonjë polenak.

Përsëri polenakët me mbiemra Kallço, Tollkuçi, Kostandini, Tanço, Polena dhe të tjerë janë ende të renditur në masë në krahun e Partisë Socialiste dhe njëkohësisht gëzojnë statusin e privilegjuar në shtetin grek. Por unë nuk dua ta quaj atë bashkësi “Kali i Trojës” brenda shqiptarizmës së korçarëve. Nuk di që ata të kenë kryer ndonjë akt në dëm të integritetit tokësor të Shqipërisë, a të kenë shërbyer si agjentë të shërbimeve sekrete të vendit fqinj.

Veçse sot më ra në sy një lajm, i shkruar nga dikush i quajtur Arben Llalla, dhe që bënte fjalë për disa formacione paramilitare greke të quajtura Legjioni i Shenjtë 2012. Llalla shkruan se bazën në vizitat e tyre të shpeshta në Shqipëri këto grupe paramilitare e kanë në Polenë. Shtiren se janë fetarë, por vetëm të tillë nuk mund të jenë, sepse kryqi dhe pushka nuk kanë asgjë të përbashkët.

Nëse kjo nuk është një gënjeshtër e madhe, dhe nëse ju të dashur polenakë punëtorë, bujarë, të vendosur dhe jo të shkëlqyer si inteligjentë, i pranoni këta në fshatin tuaj, duhet ta dini se është krim që bëni jo vetëm kundrejt Shqipërisë, por edhe ndaj vetes!

Nuk duhet ta bëni këtë as për hir të statusit të privilegjuar që kini nga Greqia!

Njerëzit me uniformë dhe që kanë një kryq në bustinë, janë po aq të rrezikshëm sa kamikazët e ISIS.

Dëbojini nga fshati juaj nëse ju vijnë në të ardhmen!

Atyre dhe flamurit të Vorio-Epirit (një sajesë krejtësisht larg të vërtetës) do ja u shihni sherrin në të ardhmen.