Edhe pse kam shkruar disa herë për Fotin, që dikur ishte Allteni dhe tani është Kokeri, pa ditur mirë se cili është mbiemri i saj, do rishkruaj pa përsëritur shumë hollësi, më tepër për ta paraqitur Fotin si përfaqësuese të një dukurie në shoqërinë shqiptare (dhe jo vetëm të saj), që nuk është dhe aq beninj.
E kam fjalën për njerëz që mund t’i quajmë oportunistë, apo arrivistë, që duan me çdo lloj mënyre të arrijnë suksesin në emigrim dhe me sukses kuptojnë PARATE. Ndodh rëndom në të rinjtë e fshatrave shqiptare, që nisen drejt Anglisë, Hollandës apo Gjermanisë për t’u bërë pjesë e “shtëpive të barit” apo sektorëve të tjerë të trafiqeve të paligjshme të drogës, prostitutave apo edhe të emigrantëve të paligjshëm.
Ka të tjerë shqiptarë, që emigrojnë kryesisht në SHBA, por edhe në Kanada, që mundohen të marrin maksimumin e fitimeve në një kohë sa më të shkurtër pa studiuar dhe pa punuar, por duke përdorur të tjera rrugë të tërthorta, që në ratin më të mirë janë mashtrimet dhe që janë të ekzistojnë në vendet e lira. Nuk di se sa është përqindja e tyre , që i kap ligji amerikan apo kanadez, por po e theksoj që në vendet e lira nuk është shumë e lehtë të demaskohet apo të kapet kjo kategori njerëzish.
Foti është në kategorinë e mashtruesve që përdorin “ngjitjen” pas të pasurve, “zbulimin e Jezusit”, apo krijimin e fondancioneve jo përfituese për të “qit noji lek” pa u munduar.
Të ndjekësh ekzastësisht shembullin e saj, që është mbase jo tipike si rrugë, se nuk është shumë e lehtë të gjesh një plakë hebre milionere dhe të “trashëgosh” prej saj administrimin e dy fondacioneve bamirëse disamilionëshe, duhet shumë mund dhe fat. Nuk i gjen dot rrugës plakat dhe pleqtë e pasur, që kanë ose s’kanë fëmijë dhe t’i “bësh për vete me buzëqeshje” që të të lenë paratë. Rrugët e “karrierës së Pastorit” apo përfshirje në të tjera skema mashtrimi janë më të kollajshme.
E keqja që sjell në të rinjtë dhe të rejat shqiptare, qofshin në emigrim, apo edhe më keq në Shqipëri, është se Fotikokerizmi i josh. Eshtë shumë e thjeshtë të mendosh “Ua sa me fat Foti!” dhe më pas të kuptosh se studimi dhe puna nuk janë rruga për të ndërtuar një jetë luksoze. Por të synosh që me mashtrime, të gjithfarë lloji, të ngrihesh mbi shtresën e mesme amerikane. Ndaj edhe intervistat e shumta të Magjistarit ose të të tjerëve në Shqipëri bërë Fotinisë mbartin këtë virus shqetësues. (Magjistari vetë krahas punës ka përdorur edhe fjetjen me bosë të drogës për t’u pasuruar). Virusi është “në këtë jetë është budallallëk të studiosh apo të punosh shumë“. Do mbetesh një i thjeshtë mes turmës që ke një apartament, një qen dhe një BBQ dhe nuk do shijosh dot as pallatet, as hotelet e shtrenjta dhe as pushimet nga një qoshe e globit në një tjetër.
Unë e kuptoj gjendjen e eksituar të Fotinisë dhe të të tjerëve si ajo. Eshtë një mrekulli, që nga dikush i panjohur në Shqipëri, që mund të kesh punuar në një fabrikë tekstili a diku tjetër (Fotinia e fsheh karrierën e saj në Atdhe) të jetosh në luks dhe të shkosh dy herë në muaj në gala të ndryshme, të marrësh çmime dhe të të lëpihen plot mashtruesa të tjerë. Nuk më shqetëson aspak eksitimi i saj edhe pse uroj, që në ditë t’i çirret maska.
Por jo për të personalisht e bëj këtë urim.
E bëj për dhjetra djem e vajza shqiptarë, kudo që ndodhen, që mund të thurrrin ëndërra “A të bëhem edhe unë si Foti Kokeri!”
Eshtë një ëndërr që ka më shumë mundësi të të shpjerë në burg se sa në një rezidencë luksoze diku në Florida apo në Manhattan.
No comments:
Post a Comment