Wednesday, 6 October 2021

Kërpudhat

Ato fshihen plot droje mes fiereve,

Duken si të zëna në faj.

Dje nuk ishin

Dhe sot papritur u rritën,

Nga shirat që rrallë bien në maj.

C’farë ndodh me këto dashuri të fshehta,

Që brenda natës gufohen,

Pranë trupit të kalbur të një mështekne?

Të tulta,

                Të çuditshme,

                                Fëminore,

Ato të joshin me të tyren pafajësi.

Ti i mendon se janë shenja zemre,

I tërheq,

i përkëdhel,

                                i puth;

Seç’ndodh  më tej askush s’e di!

Grupi parlamentar i “të padëshiruarve”


Më në fund është bërë e ditur se Lefter Koka (Teri) dhe djali i Qifes, të dy pjesëtarë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, do shpallen “non grata” nga Departamenti i Shtetit Amerikan.

Nuk është ndonjë çudi, se të dy njihen se nga cilat “gjirize” kanë dalë, por as Drejtësia e Re, as Komisioni Zgjedhor dhe as Partia Socialiste nuk i kanë nxjerrë dot jashtë politikës, por i kanë sjellë në Kuvendin e Shqipërisë, ku presupozohet të jenë burrat dhe gratë më të devotshëm të Kombit. Edhe një herë, si me Tomën dhe Saliun duhet të merren amerikanët. Ne vetë as jemi në gjendje dhe as duam të bëjmë hapat më minimale drejt “higjenizimit” të Parlamentit.

Nëse do ketë një prirje për bashkëpunim mes “të persekutuarve” nga Sorosi, shumë shpejt “të padëshiruarit” mund të formojnë grupin e tyre parlamentar me Saliun, dy deputetët e Doshit dhe Kryemadhin me LSI-stët, që nuk do vonojnë të shpallen “non grata”. Do jetë grupi i tretë parlamentar nga madhësia dhe që mund të rrezikojë rrëzimin e Edi Ramës, nëse në votime të fshehta do i kundërvihen edhe Braçeja me të pakënaqurit e PS-ë.

Grupi nuk ka pse të quhet “antiamerikan” dhe as “marksist-leninist” se nuk gjen mbështetje në popull, por mund të quhet “grupi kundër kleptokracisë“ ose GKK.

Po a ka të ngjarë që GKK-ja të kthehet në forcë parlamentare dhe në Lëvizje gjithpërfshirëse, që do ndryshojë peisazhin politik të Shqipërisë?

Nuk është e pamundur nëse Berisha tërheq pas vetes simpatizantët e tij në Kuvend dhe Lëvizjes i bashkohen edhe Saimir Tahiri, Ridvan Bode, Vangeli Dule, Andi Harasani, Kreshnik Spahiu, Haxhinastoja, Vangjush Dako dhe plot “anti-kleptokratë“ të tjerë. Mbështetja nga Partia Republikane e Evi Kokalari Angelakis do jetë e plotë.

Shqiptarët vërtet i ndihmuan hebrejtë gjatë Luftës së Dytë, por nuk mund të lejojnë hebreun Soros të bëjë ligjin në Shqipëri!

Shqipëria shqipëtarëve – Vdekje Sorosianëve!

Tuesday, 5 October 2021

Kriza finanaciare pas krizës energjitike?


Para disa javësh postova në blog shënimin “Viti 2022 dhe kriza ekonomike shqiptare”. Ishte një lloj hamendjeje e nisur nga disa factorë, ku më kryesorët ishin borxhi i madh publik i Shqipërisë dhe një rënie e mundshme e tregjeve të aksioneve në botë gjatë vitit 2022.

https://kuendemi.blogspot.com/2021/09/viti-2022-dhe-kriza-ekonomike-shqiptare.html

Nuk kisha parashikuar një krizë energjitike në Shqipëri sepse nuk kam njohuritë e duhura se ç’bëhet në këtë sektor të jetës së vendit, i cili deri vonë është konsideruar si pikë e fortë e ekonomisë shqiptare.

Deklarimi i kryeministrit Rama të djelë lidhur me krizën energjitike i zuri “gafil” edhe njohësit e mirë të ekonomisë shqiptare, që për të thënë të drejtën as kishin dhënë ndonjë sinjal për një goditje të tillë në ekonominë e vendit dhe sidomos në xhepat e shqiptarëve të varfër.

Deklarata e Ramës sigurisht që me vonesën e saj tregon se sa i papërgjegjshëm është shefi I qeverisë shqiptare. Që prej marsit, tregjet kanë treguar se çmimet e energjisë do rriten së tepërmi për shkak të rigjallërimit të ekonomisë botërore pas periudhës të bllokimit për shkak të Covid-19. Aksionet e shoqërive të naftës, të gazit dhe të energjisë diellore kanë qënë ndër më të lakmuarat në botë në 6 muajt e fundit. Dhe për çudi qeveria shqiptare nuk ka marrë asnjë masë, por ndodhet krejt e papërgatitur ndaj kësaj situate, të cilën e quan “ndërkombëtare”.

Loja me tregëtimin e energjisë është një lojë e vjetër e administratës shqiptare për të mbushur xhepat e funksionarëve të lartë. Në përgjithësi energjia elektrike blihet shumë e shtrenjtë krahasuar me tregun dhe shitet shumë lirë. Por kjo mund të jetë njëra nga arsyet se pse nga një vend eksportues i energjisë, tani po përballemi me një krizë, që do thellohet gjatë dimrit.

Arsyeja kryesore është se qeveritë Rama janë dalluar për amatorizëm në çështjet e ekonomisë.

Janë dy njerëz që drejtojnë ekonominë shqiptare: piktori Edi Rama dhe mësuesi i anglishtes Arben Ahmetaj. Ndërsa për të parin idea e qeverisjes së mirë është të reklamosh, të gënjesh dhe të dukesh, për të dytin është të krijosh mundësi për të vjedhur bashkë me shefin dhe disa të tjerë rrotull.

Ky dimër do jetë i vështirë për shqiptarët e varfër dhe për ata që konsiderohen si shtresë e mesme, por që kanë të ardhura shumë të kufizuara. Por nëse kriza përfundon me ardhjen e pranverës kjo do jetë një mrekulli.

Ka shumë të ngjarë, që për dy-tre vjet të përjetohet një krizë e thellë dhe e plotë.

Monday, 4 October 2021

Pylli i mëngjesit

Pylli i mëngjesit nuk pipëtin,

Veç hapave të mija të rënda

Mbi degët e tharra.

Trungjet rrëzuar,

Disa edhe nga rrënjët dalë

Mbi ta nuk bije sharra.

Unë kërkoj magjinë e fshehur pyllit,

Diku mes lëmyshqesh a në një zgavër;

Të zbuloj ku janë rrënjët e heshtjes,

Sekreti i kalbëzimit,

Shënjat që këmbejnë pemët

Para se të luajnë dansin makabër.

A dashurohen marrëzisht si njerëzit,

A mund të ngasen prej vesit,

A nëpërkëmbin njëra tjetrën,

E shtyjnë të vetëvritet?

Këtë kërkoj të gjej në pyllin e mëngjesit. 

Një hamendësim për një libër të palexuar (fund)


 (vijim)

Prirja për të paraqitur Liri Belishovën apo edhe të tjerë anëtarë të Byrosë Politike të goditur nga Hoxha pas luftës si idealistë, është jo vetëm në kundërshtim me historinë, por edhe dashakeqe. Synimi është që t’i ngarkohen të gjitha krimet dhe fajet e Diktaturës, një njeriu të vetëm, Enver Hoxhës. E vërteta e historisë së komunizmit në Shqipëri është se jo vetëm ishte një ideologji e pakuptuar mirë nga shumica e atyre , që e përqafuan por ishte më tepër një mënyrë për të bërë karrierë në një vend ku kishte vakuum politik.

Njohësit e mirë të teorisë komuniste, që ishin edhe idealistë, si Sejfulla Malëshova, Zef Mala, Ymer Dishnica, Koço Tashko e ndonjë tjetër u goditën shpejt nga Enveri dhe banda e tij, ose u mënjanuan. Tek ata që bënë karrierë që në kohën e luftës si Liri Gega, Koçi Xoxe, Dali Ndreu, Mehmet Shehu, Gogo Nushi, Hysni Kapo, Bedri Spahiu e të tjerë, edhe nëse kishin diçka idealiste në karakterin dhe mendjen e tyre, mbizotëronte egoja ballkanike për tu bërë me pushtet dhe të rëndësishëm. Kjo spjegon edhe krijimin e tarafeve krahinore në udhëheqjen e Partisë Komuniste, që solli përplasjet për dominim menjëherë pas luftës. Nako Spiru dhe Liri Belishova nuk ishin jashtë këtyre tarafeve.

Me një mjeshtëri bizantine Hoxha diti t’i ndërsente këto tarafe kundër njëri tjetrit dhe të mblidhte fakte dhe akuza për të gjithë udhëheqësit kryesorë të Luftës dhe t’i përdorte për t’i shkarkuar ose për t’i shpënë para skuadrës së pushkatimit edhe me ndihmën e tarafit kundërshtar.

“Fundosja” e parë e Liri Belishovës (duke përdorur logjikën e Bashkim Shehut) ishte pas vetëvrasjes të Nakos, ku dominoi linja e Hoxhës e mbështetur nga Xoxe dhe korçarët e tjerë. Liria ishte viktimë e vetvrasjes të të shoqit, por të tjerë si Mehmet Shehu me shokë rrezikonin të përfundonin të arrestuar. Enver Hoxha nuk mund t’ja falte Nako Spirut përpjekjet për ta shkarkuar në Pleniumin e Beratit të nëntorit 1944.

Letrat e Stalinit të vitit 1948 drejtuar Lidhjes së Komunistëve Jugosllavë krijuan një situatë të re për Enver Hoxhën, të cilën ai e zgjidhi duke u hedhur në krahun e Bashkimit Sovjetik dhe duke goditur “projugosllavët” Koçi Xoxe me shokë brenda partisë. Në të vërtetë Hoxha kishte qënë më “projugosllavi” mes tyre gjatë Luftës dhe pas saj. Mehmet Shehu dhe Liri Belishova ishin bashkëpunëtorët e tij më të afërm në këtë goditje dhe menjëherë nga “të persekutuar” u ngjitën në krye të Byrosë Politike.

Nuk kishte asnjë lloj idealizmi tek të dy, sepse e dinin mirë se kush i kishte demaskuar dhe i kishte shpënë pranë arrestimit, por duke mbyllur sytë dhe veshët , të dy mallakastriotët pranuan të rrinin përkrah atij që gati ju kishte shkatërruar jetët. Më pas të njëjtën gjë bënë kur u godit miku i tyre Bedri Spahiu dhe me rradhë.

Edhe nëse tek Mehmet Shehu kishte pasur një fije idealizmi kur u nis për në Luftën e Spanjës, edhe nëse Liria si 16vjeçare ishte përfshirë në luftë me idealizmin e një adoleshenteje, pa u mbyllur mirë Lufta e Dytë, ata ishin kthyer në arrivistë dhe pjestarë të bandës terroriste që drejtonte Frontin Nacional Clirimitar.

Sigurisht që historia duhet të tregohet e butë për shkak të vuajtjeve personale të Liri Belishovës pas prishjes me Bashkimin Sovjetik. I shoqi përfundoi në burg dhe ajo vetë me fëmijët u internuan, por deri diku Belishova ishte viktimë e ambicies së saj për pushtet. Ajo e kishte njohur mirë nëpëmjet Nakos se cili ishte në të vërtetë Enver Hoxha e megjithatë pranoi të punonte për 12 vjet si bashkëpunëtore e tij e afërt. Gjatë këtij bashkëpunimi pati plot ngjarje në të cilat ajo asnjëherë nuk mbajti krahun e një komunisteje idealiste apo të një atdhetareje idealiste.

Reflektimi i saj pas viteve ’90 ndaj Diktaturës ishte përgjithësisht i drejtë, por përsëri me një dozë hakmarrjeje ndaj Nexhmije Hoxhës, ish shoqes të saj të shkollës dhe të BRASH-it. Liria përsëri ruajti rezerva për të hapur të plotë e të qartë historinë kriminale të PKSH-së në luftë dhe menjëherë pas çlirimit. Si për të gjithë shqiptarët edhe për të ka qënë i vështirë pranimi i fajeve personale. Në dënimin e krimeve të PKSH-së ajo u mjaftua me përemrin NE.

Sunday, 3 October 2021

Një hamendësim për një libër të palexuar


Ka disa javë që flitet në shtypin shqiptar rreth një libri të botuar së fundmi rreth Liri Belishovës. Autor është i njohuri Bashkim Shehu, ndërsa titulli i librit: “Liri Belishova dhe koha e saj”.

E para pyetje që më erdhi në mendje, kur pashë njoftimin ishte: Përse Bashkim Shehu shkruan pikërisht për Liri Belishovën? A mos ka lidhje kjo me një hamendësimin tim të mëparshëm për një klan labo-mallakstriot në luftë për drejtimin e Partisë Komuniste Shqiptare?

Me gjithë qëndrimin mjaft korrekt që ka mbajtur ndaj Diktaturës dhe babait të tij, Mehmet Shehut, edhe Bashkimi nuk ka se si të jetë krejtësisht objektiv dhe i shkëputur nga emocionet. Ai zgjedh të shkruajë për Liri Belishovën, e cila jo vetëm ishte nga një krahinë si i jati, por ka patur pjesë të trajektores së saj politike, që përputheshin me atë të Mehmet Shehut. Ndoshta edhe cilësi të karakterit të ngjashme me ato të ish-kryeministrit.

Sipas intervistës së vetë autorit, Liria ka pësuar dy herë goditje nga Enver Hoxha edhe për faktin se ishte grua dhe e para anëtare e Byrosë Politike.

Kjo nuk është e vërtetë sepse e para anëtare e Byrosë ka qënë Liri Gega. Ka një prirje tek Shehu, të hasur edhe më parë në shkrimet e Kadaresë, se Lirija ka qënë një komuniste idealiste, shumë e zonja dhe me merita të padiskutueshme në kohën e Luftës.

Nuk ka se si të jetë kështu, sepse në vitin 1944 Liri Belishova ishte vetëm 17 vjeçare dhe funksioni i saj më i lartë ishte anëtare e kryesisë së BRASH-it e zgjedhur në Kongresin e Rinisë në Helmës. Edhe martesa e saj me Nako Spirun nuk është fryt i ndonjë bashkëpunimi të gjatë në luftën kundër pushtuesve apo në propagandimin e ideve komuniste. Në shkurt 1944 u pushkatua Ramize Gjebrea, e fejuara e Nakos, vendim me të cilin ky i fundit nuk u pajtua edhe pse dënimi i saj u bë për marëdhënie dashurie me një partizan tjetër.

Në pleniumin e Beratit të nëntorit 1944, ku Enver Hoxhën e vunë me shpatulla pas muri për terrorizëm dhe ku Nakoja luajti rolin udhëheqës me kritika ndaj Komandantit, Liria u zgjodh kandidate e Komitetit Qëndror. Sipas kujtimeve të të dërguarve jugosllavë në atë Plenium, Enver Hoxha nuk u shkarkua nga detyra p[r arsyen e vetëme se ishte fundi i Luftës dhe ishte propaganduar figura e tij si udhëheqës i luftës. Një sugjerim i jugosllavëve, që kishte kuptim, se në të vërtetë ata vetë nuk kursyen akuzat për terrorizëm ndaj Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviçit.

(vijon) 

 

Friday, 1 October 2021

Vjeshtë është dhe nuk është

Vjeshtë me drithërimë.

I ftohti ndjehet edhe pse ftohtë nuk bën;

Një sutë nuk di nëse të ndalet a të ecë;

Mes gjethesh përtokë që nuk dihet nga vinë;

Ndërsa verdhojnë pemët nga dhimbja.

Një zog cicëron por nuk dëgjohet

Mes kungujve që zgërdhihen

Me një buzëqeshje të çaplyer.

Unë shtirem se nuk e dëgjoj

Përshëndetjen e dordolecit prej kashte

Që nuk sheh dot me sytë prej kopse.

E artë çdo gjë, por jo e vyer,

Ndërsa era të than edhe pse nuk fryn.

Prurjet e tokës i mbyllin koçekësh

Si ndjenjat që kam mbyllur thellë me dryn.