Wednesday, 15 August 2018

Ti zgjodhe heshtjen miku im!



Ti tani vjen e më thua miku(mikja) ime se ai vend nuk bëhet, se njerëzit janë bërë ujq për njëri tjetrin, se korrupsioni ka shkuar atje ku nuk mban. Mbase ke plotësisht të drejtë, por ti nuk ndjen përgjegjësinë tënde, sikundër e ndjejnë vetëm një grusht njerëzish të përgjegjshëm.
Ti harron ose bën sikur harron, se për të pasur një karrierë diplomatike, shkove dhe u lute në Gjirin e Lalëzit, pasi shpure edhe ca peshqeshe dhe ju thurre lavde një çifti të cilin e njihje si “çift hajdutësh”.
Ty nuk të vjen mirë të kujtosh, se kur fëmija tënd nuk denjonte të ndiqje leksionet e një lënde, e gjete më të lehtë të paguaje disa qindra euro për të marrë notën që i duhej.
Më keq akoma, ti zgjodhe edhe të bëje sekserin për disa vite për një funksionar të lartë, që ishte miku tënd sepse doje “të ndihmoje” atë dhe veten.
Kur mësove se një të njohurit tënd, po i vidhej haptazi prona nga një grup batakçinjsh të lidhur me pushtetin, ti preferove t’i thoje vetes shprehje popullore “Fjala është argjend dhe heshtja flori”. Ti zgjodhe floririn si metalin më të çmueshëm.
Ti brohorite për një ekip që shiste e blinte ndeshjet edhe pse e dije se ç’bëhej dhe tani ankohesh se UEFA “po të vret ëndrrën tënde dhe të një qyteti të tërë.”
Ti u ule tavolinave me ish-kriminelë të kthyer në politikanë dhe me kriminelë, që quhen biznesmenë, dhe vetes ja justifikon me shprehjen “unë shikoj anët pozitive tek njerëzit”.
Ti (dhe unë bashkë me ty, si dhe lexuesi që më ndjek)mbyllëm sy , veshë dhe gojë, kur shkelësi i ligjit, shkelësi i rregullave të një shoqërie normale, ishin pranë nesh, sepse i kishim të afërt dhe nuk donim të prisheshim me ta.
Ti nuk more as mundimin ta këshilloje mënjanë një të njohurin tënd, se ‘po e bënte baltë“ me korrupsionin stërmadh dhe shpenzimet e mëdha, që ju binin në sy të gjithëve.
Ti doje të ishe “qingji i urtë, që pi dy nëna”.
Tani vjen e më thua se njerëzit “janë bërë ujqër për njëri tjetrin”!
Se nuk jetohet më “atje”!
Pa ju kthyer vetes dhe t’i thuash “po unë ç’bëra?!”
Unë jam thuajse po aq fajtor sa ti miku(mikja) im.
Thuajse!
Se unë zgjodha mos heshtja për gjithmonë!

Tuesday, 14 August 2018

Armiku i popullit (fund)

(vijim)
*     * *

Edhe në dhjetëvjeçarët e fundit, edhe në vendet me demokraci të zhvilluar, grupet sundues janë në gjendje të gjejnë “armiq të popullit”. Zakonisht i cilësojnë si “persona të padëshërueshëm” ose “non grata”.
Shteti i Izraeli, një shtet demokratik, ka cilësuar si të tillë filozofin dhe gjuhëtarin amerikano-hebre Noam Chomsky-n. Këtij të fundit i ndalohet hyrja në Izrael edhe pse ky vend ndjek një politikë shumë “përthithëse” ndaj gjithë atyre që janë ose duan të bëhen çifutë. Shteti izraelit e quan si tradhëtar të popullit çifut dhe si anti-Semite. Kjo, për shkak se Chomsky, një nga intelektualët më të mëdhenj të planetit që ende jetojnë, kritikon hapur dhe me agumente politikat e shtetit të Izraelit në lidhje me palestinezët, si dhe me vendet e tjra arabe.
Eshtë absurde të cilësosh si “tradhëtar” një njeri të shquar të letrave vetëm sepse mendon ndryshe nga politikat zyrtare dhe këto mendime i shpreh hapur dhe të mbështetura në fakte. Në vend të “mposhtjes” së tij me debate të hapura, në auditore universitetesh ose në media, ata kanë zgjedhur damksojen e tij. Noam Chomsky nuk ka shkelur asnjë ligj që përfshihet në kodin penal të Izraelit, gjë për të cilën mund të arestohet nëse shkel brenda territorit edhe pse është amerikan. Thjesht për ta ndëshkuar dhe për të kufizuar mundësitë, që ai të takohet me kundërshtarë të tjerë të politikave zyrtare brenda Izraelit.
Shteti izraelit nuk ka ndëshkuar në këtë mënyrë vetëm Chomsky-n. Në të njëjtën mënyrë ka trajtuar profesorin e ligjeve ndërkombëtare të Universitetit Princeton, amerikano-hebreun Richard Falk. Kritikat e tij për shkelje të vazhdueshme të të drejtave të palestinezëve nga Izraeli e kanë futur profesorin Falk në kategorinë e antisemitëve dhe të atyre, që ju ndalohet të shkelin në Izrael
Lista e të huajve të padëshëruar nga Izraeli përmban shumë emra të njohur, mes të cilëve edhe nobelistin në letërsi, Gunter Grass.
Njerëz të tjerë të letrave janë cilësuar si “non grata” në vendet e tyre. Një nga rastet më flagrante është ai i nobelistit peruan Mario Vargas Llosa, (peruani më i famshëm në botë) i cili u shpall i padëshërueshëm për Perunë nga qeveria e kryeministrit Fuxhimori. Më vonë, Fuxhimori u arrestua për korrupsion dhe u dënua me burgim të gjatë.
Në përfundim duhet thënë, se këto janë karakteristikat e “armikut të popullit” në ditët e sotme në vendet demokratike. Intelektualët që kanë integritet dhe kurajë të kritikojnë hapur themelet e shtrembra të politikave zyrtare të brendshme dhe të jashtme të qeverive të caktuara. Pak a shumë, sikundër ishin edhe një pjesë e mirë e “armiqve të popullit” në regjimet totalitare. Ndryshimi i vetëm është forma e ndëshkimit dhe “sasia” shumë më e pakët.
Veritas vos liberabit” është një shprehje latine, që do të thotë “E vërteta ju bën të lirë“.

Po a duan qeveritë që të gjithë të jenë të lirë?

Monday, 13 August 2018

Armiku i popullit (2)


(vijim)
* * *


Armiqësia ndërmjet njerëzve, bashkësive, grupimeve shoqërore, kombeve ka ekzistuar dhe do ekzistojë edhe për disa breza të tjera njerëzish, për tu treguar optimistë. A është thellë e rrënjosur në instiktet e njeriut, a është e kultivuar vetëm nga interesat, a është e manipulueshme, janë disa nga anët e kësaj dukurie, që kërkojnë shtjellime të gjata dhe përsëri është e vështirë të gjesh përgjigje shteruese.
Por le të ndalemi pak më gjatë në përdorimin e shprehjes “armik i popullit” në ditët tona dhe në shoqëritë moderne për të parë se si përdoret dhe nëse ekzistojnë vërtet njerëz të tillë.
Edhe pse më pak e përdorshme, ajo nuk është hequr nga fjalori politik i politikaëve( apo medias. Në shumicën e rasteve ka një karakter abstrakt, të vagët dhe jo nacionalistik. Trump e përdor kundër medias dhe gazetarëve pa përcaktuar se përse ata janë “armiq të popullit” dhe se si e dëmtojnë popullin me veprimtarinë e tyre “armiqësore”. Në Angli, “Daily Mail” e përdori për të denigruar gjykatësit, që vendosën se për largimin nga BE duhet veç referendumit edhe miratimi nga Parlamenti Britanik. Një cilësim ky i shëmtuar dhe i tepruar, kur mund të mjaftonte cilësimi si “kundërshtarë të Demokracisë‘ apo “të proceseve demokratike”.
Në vendet autokratike si Turqia dhe Rusia, kundërshtarët politikë cilësohen si “armiq të vendit” ose si “bashkëpunëtorë të të huajve”, por shumë rrallë si “armiq të popullit”.
Tek ne, edhe pse gjen me qindra lloj cilësimesh negative, shumë rrallë mund të gjesh në fjalime politike apo në shtyp, shprehjen “armik” të drejtuar ndaj shqiptarëve të caktuar.  E megjithatë nuk është e vështirë, që brenda bashkësive të gjesh “armikun e popullit”, të ngjashëm me personazhin kryesor, Dr. Stockman të pjesës teatrale me të njëjtin titull të Ibsenit. Sepse edhe gjendja e shoqërisë demokratike shqiptare, është përafërsisht (më prapa) me gjendjen e shoqërisë norvegjeze të kohës së dramaturgut të madh.
Një bashkësi, të themi e Korçës, Tepelenës apo Durrësit në kohën e një bashkiaku që mbështetet nga qeveria fiton një gjallërim të investimeve publike, të cilat i japin një shtysë në dukje ekonomisë edhe pse në të vërtetë ato janë jo vetëm afera , që mbushin xhepat e një grupi të vogël, por paraqesin rrezikun e ardhshëm, që si borxhe të bashkësisë të kthehen në pengesa ekonomike të komunitetit. Pak a shumë si çështja e banjove publike “të infektuara” të qytetit të vogël, ku zhvillohet drama e autorit norvegjez.
Në sajë të zhurrmës së mbështetësve të bashkiakut, si dhe grupeve të interesit, denoncuesit e aferave mund të cilësohen si tepelenas të ligj, korçarë të pabesë apo durrsakë të këqinj. Pra “armiq” të komunitetit të tyre, ose “armiq të popullit”. Në të vërtetë, janë funksionarët e lartë, ata që dëmtojnë interesat e bashkësisë, por edhe ata nuk ka pse të etiketohen si të tillë, sepse është e mjaftë t’i quash të korruptuar dhe hajdutë dhe t’i trajtosh n[ p[rputhje me etiketitimin.
Eshtë shumë e çuditshme se si kjo shprehje përdoret edhe nga libertarianët, që qëndrojnë zakonisht në krahun e djathtë të spektrit politik. Njihet mirë një nga parimet Theçerit, një nga përfaqësueset kryesore të së djathtës: “Nuk ekziston një gjë e tillë si shoqëria; ka vetëm individë burra dhe gra dhe gjithashtu edhe familje.” Pikërisht koncepti i përjashtimit të bashkësisë dhe i kultit të interesave individuale, përjashton konceptin e të ashtuquajturit “Armik i popullit”.
Të tillët ose janë pjellë e imagjinatës të sundimtarëve, ose është shumë e vështirë t’i identifikosh.

(vijon)

Wednesday, 8 August 2018

Armiku i popullit

Thuajse e kisha harruar këtë togfjalësh, me një tingëllim aq të egër në rininë tonë, kur e dëgjova të zihej në gojë nga Presidenti i vendit më demokratik në botë, Donald Trump. I papërgjegjshmi politikan cilësonte “armik të popullit” mediat, që nuk shkruajnë apo transmetojnë në favor të tij.
Ne nuk e patëm shpikur këtë shprehje denigruese (dhe jo vetëm kaq), por e kishim kopjuar si shumicën e gjërave nga Bashkimi i Republikave të Sovietëve, por edhe ata e kishin kopjuar nga Robespieri, dhe kështu me rradhë kopjimi shkonte deri në Romën antike, ku ishte përkufizuar për herë të parë si hostis publicus.
Eshtë shumë e vështirë të kuptosh se ç’është një “armik i popullit”. Në rradhë të parë se është e vështirë të kuptosh saktësisht se ç’është populli.
Pushtetet dhe pushtetarët e përdorin shprehjen sipas interesave të tyre, sepse në shumicën dërmuese të rasteve (bile edhe në demokraci), njerëzit e veshur me pushtet nuk janë në anën e popullit.

* * *

Sipas modelit sovjetik, tek ne përdorej veç shprehjes “armik i popullit” edhe shprehja “armik i klasës”, e cila nuk ishte një sinonim i plotë i së parës. Mund të ishe “armik i klasës” si psh kulak, mikroborgjez, por jo domosdoshmërisht “armik i popullit”. Njeiru i damkosur si i tillë do shkonte patjetër në burg dhe do dënohej minimum dhjet vjet. “Më të rrezikshmit” dënoheshin me pushkatim dhe burgim të përjetshëm dhe kur u hoq ky i fundit, me njëzet e pesë vite të vështira burgu.
“Armiqtë e popullit” nuk rehabilitoheshin kurrë. Pushkatoheshin ose vdisnin të damkosur dhe damka nuk ju ndahej as famijarëve të tyre. Populi i shkretë(turmat) e kishte të vështirë të kuptonte se ç’të këqija mund t’i vinin nga fëmijët, xhaxhallarët apo kushërinjtë e “armiqve të populit” e megjithatë mundohej t’ju rrinte larg dhe mos përzjehej në krushqi me ta.
Tingëllon qesharake sot, se si në Diktaturën e Proletariatit kishte vetëm Udhëheqje, popull, “armiq të popullit” dhe “artistë të popullit”. Dhe kjo quhej forma më e lartë e demokracisë, se ishte pikërisht “populli që sundonte”. Një absurditet i madh e që megjithatë duhet qujajtur se ishte stërholluar gati me preçizion se funksiononte. “Proletariati” (që ishte po aq i shtypur) shtypte të deklasuarit, të pakënaqurit dhe sidomos ata që vinin nga shtresa e “armiqve të popullit”.  Shtypte bajagi edhe fshatarët, që ishin pjesa e popullsisë më e shfrytëzuar dhe që rronin më keq në shumicën e fshatrave. Për t’i shpëtuar punës së rëndë në fshat, një pjesë e mirë përpiqeshin t’i bashkoheshin ushtrisë dhe policisë, këtyre dy “armëve të dashura të popullit”, që përdoreshin për të goditur “armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të popullit”.
Përçarja e stërholluar e “popullit” me ‘armiqtë e popullit” funksiononte jo vetëm falë frikës, por edhe cilësive negative të njerëzve, që jo rrallë dhe krejtësisht pa punë “ju kujtonin” të tjerëve prejardhjen apo lidhjet farefisnore me “armiqtë e popullit”. Ishte një përzjerje e kënaqësive sadiste të torturimit psikologjik me përfitimin e çastit apo edhe me hakmarrjen. Kështu një sekretar partie, pyeste si pa të keq një punonjës se si e kishte lidhje farefisnore me të xhaxhanë e dënuar për politikë, një drejtor shkolle i kujtonte gjyshin e dënuar nxënësit rebel dhe një komunist kritikonte me djallëzi një nëpunës, që bënte mirë punën e tij, por kishte problem të biografisë. Ishte armiqësimi më i madh i shkaktuar artificialisht në një bashkësi njerëzore, që i kalonte dasitë krahinore dhe fetare, që kanë ekzistuar gjithnjë në këtë planet.
(vijon)

Monday, 6 August 2018

“Atë vit , që s’u bë drithi…”



Sa vështirë duhet të ketë qënë atë vit? Thatësirë e vazhdueshme, zjarre të pandërprerë dhe tërmete?
Mb të gjitha edhe tërmete, të cilëve nuk ke si ju ruhesh, se nuk e di kur godasin. Dhe në rast se tërmeti të ka lënë jashtë dhe është thatësirë, përreth ka zjarre dhe nuk ke bukë, sepse drithi nuk është bërë dhe kur nuk bëhet drithi s’ke ç’të korrësh, dhe kur nuk korr nuk mund të shish në lëmë, dhe kur nuk ke shirë as mund të kesh bluar gjë, por do ngopësh barkun me lëpjeta, spinaq, labot, që vërtet konsiderohen të shëndetshme, por jo për ata, që nuk ngopin dot barkun me bukë, atëhere je vërtet si mos më keq.
Kështu duhet të ketë qënë atë vit.
Për dasma as mund të bëhej fjalë, se kur është zia e bukës, martohen vetëm të çmendurit ose maniakët seksualë. Të tjerët e shtyjnë për një vit më vonë, ose edhe për dy, kur të ketë më shumë bereqet.
Sa të ligur duhet të kenë qënë njerëzit atë vit, që s’u bë drithi? Pak a shumë si modelet, që vuajnë nga anoreksia apo më keq? Të zinte malli për të parë dikë me tule? Gjokse të rrafshët, trupa të ligur, sy që të vështrojnë…janë këto vargje të Migjenit, apo imazhe të mbetura në kokë nga pikturat e hollandezit Bosch?
Sa të varur jemi ne, qëniet njerëzore nga drithi!
Ato kohë zije të bukës, duhet të jenë formuar edhe shijet sensual për tule tek femrat, që vazhduan gjatë në shoqëritë perëndimore dhe mbizotërojnë ende sot në shoqëritë e varfra dhe të prapambetura.
Eshtë gusht me një vapë të padurueshme, me zjarre të largët që përvëlojnë gjithshka dhe mua ende më rri në mendje një bejetexhi i krisur i anëve të mija, që dikur këndonte “Atë vit, që s’u bë drithi…”

Friday, 3 August 2018

Nga se trembemi sot për sot?

Ndoshta asgjë nuk na tremb veç vdekjes.
Ose të gjitha gjërat , që lidhen me të.
Zjarret e papritura, përmbytjet, ndryshimi i klimës, ç’ekuilibrimi i ekosistemeve, terrorizmi shtetëror dhe ai antishtet, thellimi i diferencave në të ardhurat mes njerëzve, grushtet e shtetit.
Nuk trembemi më kur na troket dera papritur, kur shohim të vijë shpesh ku punojmë një burrë I ri me një kostum të qepur keq dhe që ka jashtë xhaketës jakën e këmishës. Quhej “fuks” me dashakeqësi dhe “punëtori operativ” nga dashamirësit.
As makina e policisë me të cilën këmbehemi nuk na tremb më. Jemi mësuar tashmë të repektojmë shpejtësitë e lejuara.
Trump-i më bën për të qeshur me absurditetet e tij, por kur mendoj thellë thellë se dikur qeshnin edhe me absurditetet e Hitlerit dhe më pas ai jo vetëm hipi në pushtet, por e adhuronin, ndjej një lloj frike. Për më tepër, kur shikoj në sallat e mëdha ku mban fjalime të marra, se si njerëz që kanë punuar gjithë ditën, që kanë lexuar pak gjatë jetës së tyre, thërresin “CNN sucks!”(“CNN o i dhim!”përkthim i përshtatur-nm).
Ndoshta është periudha më e mirë e 150 viteve të fundit të Njerëzimit e megjithatë ka diçka në ajër, që të tremb.
Buxhetet e Ministrive të Luftës (Mbrojtjes) po shtohen; udhëheqës autoritarë drejtojnë shumicën e popullsisë të globit; lakmia është bërë fari i një pjese të madhe të popullsisë në vendet që njohim, ose kemi më shumë informacion.
“Të kem” më shumë se tjetri, të paktën sa tjetri, mos ma kalojë tjetri është një nga motivimet kryesore të shumicës së të rriturve.
Garë, garë, garë!
Se kush e ka shtëpinë më të madhe, kush ndron më shumë fustane, kush  shkollon fëmijët në universitetet më të shtrenjta, kush kalon pushimet në vendet më ekzotike, kush e kush e kush e kush!
Nga kjo psikologji e garës, që nuk njeh kurrë fund dhe ngopje, po qe se “infektohen” 7 miliard njerëzit, që jetojnë në këtë botë, pasojat brenda kohës së jetë sonë do jenë të paparashikueshme. Planeti me burime të fundshme nuk mund të plotësojë kërkesat “e marra” të gjithë popullsisë.
Zërat “e arsyeshëm” kanë gjithnjë e më pak peshë në opinionin publik dhe ngjan se mbizotëron te të fuqishmit ideja “apres moi le deluge” e Luigjit të XV.
Po çfarë bën gjithsejcili nga ne për të shtyrë sa më larg të jetë e mundur “ ditën e qametit”?
Thuajse asgjë.
Konsumojmë, konsumojmë, konsumojmë.
Nga frika apo nga mungesa e frikës?

Wednesday, 1 August 2018

Nuk jetojmë dot pa urrejtje?


Shpesh, kur lexoj në mediat sociale, apo në komentet e lexuesve anonimë ose jo në medit online, më shkon në mendje se me sa urrejtje na patën ushqyer gjatë viteve të Diktaturës.
Ishe i edukuar të urreje; ishe i mësuar me urrejtje; ishe i nderuar po të tregoje urrejtje.
Urrenim aristokratët dhe borgjezët, bile edhe mikroborgjezët.
Urrenim imperialistët, kapitalistët dhe revizionistët.
Urrenim fashistët, monarko-fashistët, titistët, çetnikët dhe menshevikët.
Urrrenim më pas edhe të gjithë oportunistët, impresionistët, ekzistencialistët, pragmatistët, konstruktivistët, kubistët, surrealistët, pacifistët, dadaistët, trockistët, relativistët dhe anarko-sindikalistët.
Shtireshim se kishim dashuri për popujt.
Po po t’ju hiqje popujve të gjithë llojet e të sipërpërmendurve cilët mbeteshin?
Shokët Zhoao Amazonas, Raul Marko dhe Fosko Di Nuçi?
Ndaj edhe ishim të prirur të urrenim amerikanët, anglezët, gjermanët, rusët, grekët, jugosllavët, polakët, rumunët, bullgarët dhe në fund edhe kinezët.
E gjithë kjo urrejtje e injektuar në venat tona nga maja e diktaturës nuk ka se si të shlyhet lehtë nga gjaku dhe psikologjija e jonë.
Para një jave, zjarre të menjëhershme dhe të paparashikuara morën jetët e gati 100 vetëve në periferi të Athinës. Shumica grekë, por edhe qytetarë të huaj. Njerëz si ne.
Gazetat turke (armiqtë tradicionalë të grekëve) patën si kryeartikuj tituj në gjuhën greke. Gazetat tona shumë të kujesshme në solidaritetin e tyre. Politikanët gjithashtu të përmbajtur dhe një pjesë jo e vogël komentuesish shprehnin “gëzimin e marrë“ për zjarret.
Si për të mos qënë e mjaftë urrejtja e verbër e pseudo-patriotëve në mediat sociale, edhe gazetarëve të caktuar “ju është hapur barku nga solidarizimi i tepërt” i shumë njerëzve që vlerësojnë popullin grek dhe ndjejnë dhimbjen e tyre. Për ta është e pranueshme të thuash në shenjë solidarizimi “Jam amerikan”, “jam francez”, “jam gjerman”, “jam Sharli Hebdo”, “jam spanjoll”, “jam nga Oslo”, por në mënyrë kategorike nuk duhet të thuash në momente të vështira për fqinjët, se “jam grek”. A thua se kur dëgjojnë fjalën “grek”, ju kujtohen vetëm një tufë me ushtarë idiotë, që klithin “me zorrët e shqiptarëve do bëjmë lidhësa këpucësh” dhe në mënyrë të pavetëdijshme ju "hapet barku dhe ju shfaqen rropullitë". Për më tepër, përmendin edhe "sindromin e Stokholmit", që i ka zënë shqiptarët-viktima dhe si rrjedhojë i ka bërë të dashurohen me "kriminelët rrëmbyesa grekë".
Këta analistë dhe gazetarë mund të të shqyejnë gurmazin, po qe se thua “nuk e dua Europën e Bashkuar”, në themelet e së cilës është pikërisht falja, solidarizimi dhe bile edhe vëllazërimi i dy popujve më armiq të historisë moderne : gjermanëve dhe francezëve. (Mes tyre ishin derdhur lumenj gjaku dhe ishin thurrur këngë nga më makabret kundër njëri tjetrit.)
Më keq akoma, po të të shkojë mendja e të thuash se “jam sirian”, “jam iranian” apo “jam afrikan”, për tu solidarizuar me ata që largohen nga vatrat e luftës vetëm për të mbijetuar. Mund të të venë epitete që fillojnë me ‘plehra” dhe përfundojnë me “kanibal”.
Nuk mund të jesh atdhetar i mirë dhe as njeri i mirë, nëse nuk do fqinjin ashtu si do veten.
Eshtë në bazën e mësimeve të krishtërimit, që përbëjnë themelet e Humanizmit të sotëm.
Grekët, sërbët, maqedonasit dhe malazeztë nuk janë as më t mirë dhe as më të këqinj se ne. Janë fqinjët tanë të cilët edhe nëse nuk jemi në gjendje t’i duam si veten tonë nuk ka pse t’i urrejmë.
Jeta e cilitdo është shumë e shkurtër për tu helmuar me urrejtje.