Thuajse e kisha harruar këtë togfjalësh, me një tingëllim aq të egër në rininë tonë, kur e dëgjova të zihej në gojë nga Presidenti i vendit më demokratik në botë, Donald Trump. I papërgjegjshmi politikan cilësonte “armik të popullit” mediat, që nuk shkruajnë apo transmetojnë në favor të tij.
Ne nuk e patëm shpikur këtë shprehje denigruese (dhe jo vetëm kaq), por e kishim kopjuar si shumicën e gjërave nga Bashkimi i Republikave të Sovietëve, por edhe ata e kishin kopjuar nga Robespieri, dhe kështu me rradhë kopjimi shkonte deri në Romën antike, ku ishte përkufizuar për herë të parë si hostis publicus.
Eshtë shumë e vështirë të kuptosh se ç’është një “armik i popullit”. Në rradhë të parë se është e vështirë të kuptosh saktësisht se ç’është populli.
Pushtetet dhe pushtetarët e përdorin shprehjen sipas interesave të tyre, sepse në shumicën dërmuese të rasteve (bile edhe në demokraci), njerëzit e veshur me pushtet nuk janë në anën e popullit.
* * *
Sipas modelit sovjetik, tek ne përdorej veç shprehjes “armik i popullit” edhe shprehja “armik i klasës”, e cila nuk ishte një sinonim i plotë i së parës. Mund të ishe “armik i klasës” si psh kulak, mikroborgjez, por jo domosdoshmërisht “armik i popullit”. Njeiru i damkosur si i tillë do shkonte patjetër në burg dhe do dënohej minimum dhjet vjet. “Më të rrezikshmit” dënoheshin me pushkatim dhe burgim të përjetshëm dhe kur u hoq ky i fundit, me njëzet e pesë vite të vështira burgu.
“Armiqtë e popullit” nuk rehabilitoheshin kurrë. Pushkatoheshin ose vdisnin të damkosur dhe damka nuk ju ndahej as famijarëve të tyre. Populi i shkretë(turmat) e kishte të vështirë të kuptonte se ç’të këqija mund t’i vinin nga fëmijët, xhaxhallarët apo kushërinjtë e “armiqve të populit” e megjithatë mundohej t’ju rrinte larg dhe mos përzjehej në krushqi me ta.
Tingëllon qesharake sot, se si në Diktaturën e Proletariatit kishte vetëm Udhëheqje, popull, “armiq të popullit” dhe “artistë të popullit”. Dhe kjo quhej forma më e lartë e demokracisë, se ishte pikërisht “populli që sundonte”. Një absurditet i madh e që megjithatë duhet qujajtur se ishte stërholluar gati me preçizion se funksiononte. “Proletariati” (që ishte po aq i shtypur) shtypte të deklasuarit, të pakënaqurit dhe sidomos ata që vinin nga shtresa e “armiqve të popullit”. Shtypte bajagi edhe fshatarët, që ishin pjesa e popullsisë më e shfrytëzuar dhe që rronin më keq në shumicën e fshatrave. Për t’i shpëtuar punës së rëndë në fshat, një pjesë e mirë përpiqeshin t’i bashkoheshin ushtrisë dhe policisë, këtyre dy “armëve të dashura të popullit”, që përdoreshin për të goditur “armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të popullit”.
Përçarja e stërholluar e “popullit” me ‘armiqtë e popullit” funksiononte jo vetëm falë frikës, por edhe cilësive negative të njerëzve, që jo rrallë dhe krejtësisht pa punë “ju kujtonin” të tjerëve prejardhjen apo lidhjet farefisnore me “armiqtë e popullit”. Ishte një përzjerje e kënaqësive sadiste të torturimit psikologjik me përfitimin e çastit apo edhe me hakmarrjen. Kështu një sekretar partie, pyeste si pa të keq një punonjës se si e kishte lidhje farefisnore me të xhaxhanë e dënuar për politikë, një drejtor shkolle i kujtonte gjyshin e dënuar nxënësit rebel dhe një komunist kritikonte me djallëzi një nëpunës, që bënte mirë punën e tij, por kishte problem të biografisë. Ishte armiqësimi më i madh i shkaktuar artificialisht në një bashkësi njerëzore, që i kalonte dasitë krahinore dhe fetare, që kanë ekzistuar gjithnjë në këtë planet.
(vijon)
No comments:
Post a Comment