Thursday, 15 January 2015

Baltë mbi Enverin dhe Ermalin

Arrestimi i bujshëm i Ermal Hoxhës, ose si do e quante i mirënjohuri Petraq Bojaxhi “djal i djali sho Enver” ka nxjerrë përsëri një problem të madh të shoqërisë shqiptare-  A ka ndikim klani i Diktatorit në Shqipëri?
Pyetjet rreth familjes së madhe të Enver Hoxhës, janë bërë gjithnjë nga njerzit e thjeshtë: “Po ata të Enverit ç’bëhen?” dhe më të informuarit në Tiranë të sqaronin , që kishin biznese në emra të të tjerëve ndaj ishin “të rregulluar”. Pas ardhjes në fuqi të socialistëve, duket, që pasardhësit e Hoxhës patën më shumë mundësi biznesi. Klement Kolaneci ngriti një nga studio më të fuqishme të arkitekturës në Tiranë dhe dukej, që kishte edhe veëprimtari në ndërtim. Në atë kohë flitej për shuma që kalonin qindra mijrat e eurove, që i biri humbiste në bastet e futbollit dhe Klemi detyrohej t’i paguante. Sigurisht Shpati, Ermali, Valbona e djalli me brirë, ju përkasin më shumë familjeve të tyre se sa prindërve dhe aq më pak gjyshit e gjyshes, por nëse ekziston një Klan Hoxha me ndikim në jetën e politike dhe ekonomike të shoqërisë shqiptare, atëhere ky përbën problem për të gjithë. Jo se ndikimet e klaneve të reja Berisha, Meta etj. janë më pak të rrezikshëm, por klani i Hoxhës mund të lidhet edhe me pushtete të fshehta të ish Sigurimit, sepse ato lloj marëdhëniesh për fat të keq asnjëherë nuk u bënë të qarta për publikun shqiptar.
Reagimi i menjëhershëm i prindërve të Ermalit të bën ta dyshosh këtë. Ju rikthyen avazit të vjetër të“baltës mbi Enver Hoxhën” pa thënë se pse i intereson politikës së sotme të hedhë baltë mbi diktatorin e vdekur.
E keqja është se gjatë dy viteve të fundit dhe sidomos vjet, e Majta bëri përpjekje të hapura për “të hequr baltën” nga Komandanti, bile për të glorifikuar rolin e tij në një periudhë të pasqaruar mirë, si ajo e Luftës së Dytë, periudhë në të cilën ai me bandën e tij përfituan për të marrë pushtetin. Të dukej e çuditshme se si përfaqësuesit më të lartë të së Majtës, që pretendon se do të hyjë në Europë, dilnin në publik krahas fotove të Hoxhës ose vinin në qafë shallet e brigadave partizne, një modë kjo e krijuar në vitet ’70. Dukej e çuditshme, se edhe për efekt votash nuk bëhej. Viti elektoral është larg dhe nostalgjikët e Diktaturës sa vjen e bëhen më të pakët në numur.
A ka patur vjet një presion nga një forcë e fshehtë pro-Hoxhës për rehabilitim të tij?
Fuqia ekonomike në rritje e nipërve dhe stërnipërve të Bllokut të bën të mendosh seriozisht për të.
Duket, që baltën e hedhur këto 24 vjet mbi Enverin, pasardhësit me ndihmën e politikanëve kanë ditur ta kthejnë në flori.


Wednesday, 14 January 2015

Les hommes qui passent

Vetëm Viti i Ri allaturka apo diçka më shumë?
Diçka ka nga Patricia Kaas, por në mënyrë të çuditshme edhe nga Nana Mouskuri, Elvis, si dhe Kristina Perri.
Asnjë syresh nuk është myslyman dhe as ka ndonjë lidhje të fortë me botën islamike apo me edhe me ardhjen e Vitit të Ri në atë botë. Vetëm Kreta e Mouskurit është një vend, që ka qënë për më shumë se tre shekuj nën turqit, ndërsa vendlindjet e tre të tjerëve dhe jetët e tyre nuk kanë asnjë lidhje me atë, le ta quajmë, universi islamik.
Elvis, është lindur më pranë Vitit të Ri allaturka(më 8 janar), por edhe ky përkim jo shumë i afërt nuk duket se mund të jetë vendimtar.
E megjithatë ka diçka të paspjegueshme dhe gati magjike në këtë kombinim të dy 7-ve, që sjellin për botën nën gjysmëhënën një Vit krejtësisht të Ri e të panjohur.

Dhe si ai edhe 1000 të tjerë do thoshte Nana!

Tuesday, 13 January 2015

VAJZA E GJASHTE

Strehët qanë,
Jo për lindjen time,
As për të atit tim pikëllim,
Po se ngrohtë ishte atë dimër.
S’bënte acar,
            Nuk binte borë,
                        S’frynte thëllim.
I rrallë gaz,
Në një stinë tjetër,
Po më përcillnin tek i blerti jaz.
Do lija fshatin dhe strehën e vjetër,
Do shkoja larg në botën plot drita,
Edhe pse vetëm gjashtëmbëdhjetë.

Nuk ishte pranvera që lashë,
Tek fshati me jazin e blertë.
Shpirti më mbeti varur degës së kajsisë.
Në dhomat luks, që grilat i mbajnë errët
I brishti trupi im i xhveshur dridhet,
Përreth asgjë s’i ngjan shtëpisë.

Shpatullat jashtë,
S’mund të valëvit mjerimin tim,
Unë vajza e gjashtë.
Drejt rrugës tretet i imi vështrim,
Asnjë rrotë pranë meje s’ndalet.
Eshtë acar,
            Bie borë,

                        Fryn dhe thëllim.

Monday, 12 January 2015

4 klerikë në Paris ose Marshon Shqipëria Tolerante



Marshimi i 4 klerikëve tanë në Paris, entusiazmoi jo vetëm Ramën, që kishte ideuar dhe paguar marshimin e tyre(me paratë e taksapaguesve), por edhe mediat shqiptare, si ato profesionale dhe më shumë akoma socialet. Shqiptarët u ndjenë krenarë, që “Shqipëria ishte vënë në piedestal”(sipas Ramës) apo , që “i kishte dhënë leksion gjithë botës” (sipas një ministri dhe disa gazetave).
Nuk dua të ndalem në anën emocionale, që na krijon shfaqja e flamurit tonë ose njerzve tanë të shquar në televizionet e huaja. Eshtë një sjellje foshnjarake e gjithë popujve të vegjël, të varfër edhe të prapambetur. Për një çast mendojmë se jemi jo vetëm të barabartë me të tjerët, por edhe të rëndësishëm sa mund të japim leksione!
Ecja për krahu e katër klerikëve tanë, më krijoi një tjetërlloj ngazëllimi, për të cilin të them të drejtën nuk jam shumë krenar. Mbase e gjithë fëmijëria dhe rinia me përbuzje ndaj rasove dhe dollomave akoma reflekton në reagimin tim ndaj tyre. Mbase edhe nga mungesa e plotë e respektit për një pjesë të klerikëve, që kam njohurpas ‘90. 4 udhëheqësit tanë fetarë mu dukën si katër të dehur, të zënë për krahu, që nuk dinin se pse tamam tamam ishin aty. E megjithatë e theksova, që nuk jam krenar për atë ç’ka ndjeva.
Megjithatë, më ra në sy se edhe ata, që thërrisnin parrullën “Marshon Shqipëria Tolerante” qofshin politikanë, gazetarë apo njerëz të zakonshëm, nuk përmendnin në asnjë vend emrat e tyre. Duket se atje kishim 4 manekinë me rroba fetare, të cilët nuk anë as emra, as personalitet dhe as ndonjë veprimtari të shquar për Shqipërinë apo për komunitetet e tyre. Ishin vetëm thjesht 4 valltarë popullorë të përqafuar me dashuri nga Udhëheqësi, që i solli në Paris.

Perëndia më ndjeftë!

Sunday, 11 January 2015

Shfaqja e Solidaritetit dhe Periferia e Parisit



Dua ta shikoj me sytë e një të riu franko-algjerian, apo franko-maroken apo edhe franko-shqiptar, që jeton në Klishi- su-Bua (Clichy-sous-Bois) manifestimin e sotëm të solidaritetit me viktimat e javës , që kaloi dhe sidomos me gazetarët e Sharli Hebdo.
KLishi-su-Bua është një nga rrethinat më të varfra të Parisit, e përbërë thuajse e gjitha me emigrantë, ku gjallon krimi dhe policia thuajse nuk hyn kurrë.
Sigurisht, që ka tv në baret e pisët të lagjes dhe emigrantët(shumë prej tyre me precedentë penalë) shikojnë se si marshojnë të kapur përkrahu të fuqishmit e kësaj bote duke filluar me Merkel, Holland, Kameron, Rahoy e duke përfunduar me Sergei Lavrov, Bibi Netanjahu apo edhe Antonio Samaras.
Kanë fluturuar nga shumë kryeqytete të botës, me dhjetra antarë delegacionesh, trupa sigurimi dhe gazetarë, për një marshim solidariteti, që e quajnë ndaj “qytetërimit europian” dhe vlerave të tij.
Janë million e milona euro të hedhura, që mund të shërbenin për të përmirësuar jetën në Klishi-su-Bua.
E megjithatë të fuqishmit e kësaj bote, zgjodhën jo të bënin marshime në kryeqytetet e tyre, përkrah gazetarëve të tyre, por zgjodhën një shfaqje, që në shumë aspekte të kujton një lloj karnevali.
Bëhet për të treguar Unitet?
Po a e cënoi unitetin e njerëzve të qytetëruar sulmi mbi Sharli Hebdo?!
Bëhet për t’i treguar Al Keidas dhe ISIS, që ne jemi të fortë?
Po a nuk kemi 15 vjete më tepër që e kemi treguar me armë këtë?!
Bëhet për nder të viktimave të Sharlit?
Po a nuk mund të ishin shpëtuar gazetarët duke mos hequr rojet në shtator?!
Një emgranti të varfër të Parisit, që nuk gjen dot punë, se në lagjen e tij të Klishi su Bua, papunësia është mbi 30%, ky marshim i duket marshimi i njerëzve të pasur e të fuqishëm, për të dëshmuar, që asgjë s’ka për të ndryshuar. Sigurisht ai do zgjedhë shpërndarjen e drogës, vjedhjen e deri sa të përfundojë edhe në të ashtuquajturin “luftëtar i lirisë“, për të mbyllur duke vrarë dhe duke u vrarë, ekzistencën e tij të mjerë.




Saturday, 10 January 2015

Bota Islamike dhe Mediat e huaja

Tragjedia e djeshme në Paris, nxjerr në pah një problem të madh, që ekziston në botën e sotme. Raportet e njeriut të shtypur me Mediat zyrtare ose të themi me ato më të fuqishmet.
E përjavshmja “Sharli Hebdo” nuk hynte në kategorinë e organeve të fuqishme të medias, gjë që mund të ketë ndikuar në “vendimin” për ta lënë pa mbrojtje 3 muajt e fundit, por ky nuk është objekt i këtij shkrimi.
Eshtë perceptimi, që kanë popujt e prapambetur dhe të vuajtur, për vendet e fuqishme dhe të zhvilluara, si edhe median, që e quajnë pjesë të tyre.
Të mësuar me vendet e tyre dhe regjimet e tyre autokrtike, njerëzit e thjeshtë, që jetojnë në këto vende nuk arrijnë të kuptojnë se gazetat e revistat e një vendi të madh e të zhvilluar nuk kanë të bëjnë aspak me qeverinë e batyre vendeve. Revista satirike të tipit “Sharli Hebdo” janë një gjemb për vetë qeveritarët, të cilët jo se janë mësuar të qeshin me karikaturat e mprehta ndaj tyre, por janë të detyruar të reagojnë në heshtje, sepse ky është rregulli i pranuar në ato shoqëri. Për shembull në vendet me shtet “hibrid” dhe shoqëri të prapambetura si vendet e Ballkanit, revista të tilla nuk do ekzistonin ose do ishin objet persekutimi nga forcat qeveritare por edhe individët, që prekeshin. Gazetarët dhe karrikaturistët do ishin viktima, jo të vrasjeve, por të goditjeve , fyerjeve apo edhe proceseve penale.
Le të kthehemi në vendet islamike si dhe në mbështetësit e tyre, që jetojnë brenda shoqërive Perëndimore.  Nuk është e vështirë të njehsosh satirën dhe humorin me talljen. Sa më të thjeshtë dhe sa më pak të lexuar të jenë njerzit, aq më pak e kanë të zhvilluar ndienjën e humorit dhe sidomos autoironinë. Në shoqëritë e prapambetura ndjienja e të bërit qesharak në sytë e komunitetit dhe aq më shumë të gjithë qytetit apo vendit është një ndienjë shumë e fortë, që jo rrallë shpie në tragjedi. Ende sot ka burra, që vrasin gratë se i lenë ose i kanë tradhëtuar, ka baballarë, që rrahin ose dhe vrasin vajzat se kanë të dashur një të një feje tjetër e të tjera raste si këto. Përballja me komunitetin e tyre injorant dhe turpi se janë kthyer në objekt bisede apo talljeje shpie në veprime nga më absurdet. Arabët, që jetojë në Francë, Itali apo Angli edhe po të jenë  të lindur atje, nuk kanë se si t’i shpëtojnë kësaj ndienje të fortç dhe shpesh herë vetshkatërruese. Një pjesë e mirë e tyre ju përkasin getove, ku punësimi dhe shkollimi janë të cunguar dhe ku prej 11 Shtatorit është shtuar survejimi dhe frika. Për më tepër ata kanë 14 vjet , që përballen me aksione absurde ushtarake në Afganistan dhe Irak, që kanë sjellë shkatërrimin e plotë të këtyre vendeve dhe humbjen e sa e sa jetëve.
Por ka edhe një rol negativ të Mediave të mëdha, të cilin nu ka se si mos e venë re arabët dhe gjithë islamikët e tjerë që jetojnë në Europën Perëndimore. Ka një heshtje totale prej disa vjetësh nga këto media për Irakun dhe Afganistanin. Vërtet njerzit mund të informohen nga burime të tjera, por tashmë për stacionet e mëdha televizive apo gazetat kryesore, ata që vriten çdo ditë në Irak dhe Afganistan nuk përbëjnë më lajm. Kjo nuk jus hpëton atyre , që vijnë nga këto vende apo janë të interesuar për to.
Po kush përfiton nga e gjithë kjo?
Sigurisht ekstremistët.
Në botën islamike ka plot fanatië, të cilët kanë një urrejtje të thellë për Perëndimin dhe janë në gjendje, që nga gabimet e rënda të Perëndimit të rekrutojnë dita ditës viktima. Këto viktima të rekrutuara mes të rinjve, që ndjehen të fyer, të poshtëruar, të persekutuar mund të nisen lehtësisht të luftojnë e vriten në Siri për diçka, që as ata vetë nuk e dinë se ç’është, mund të hedhin veten në erë me plot të pafajshëm të tjerë rrotull, ose mund të veprojnë si vëllezrit Kuashi, e të shkojnë e vrasin gazetarë të pafajshëm.
Unë nuk mendoj, që sulmi ndaj Sharlit është sulmi ndaj Medias apo ndaj fjalës së lirë.
Po të ishte i tillë, do kishin zgjedhur një institucion më të dëgjuar dhe më të rëndësishëm, nga ata të lidhur me njëmijë fije me korporatat dhe qeveritë.
Sulmi ndaj Sharlit është sulm i njerëzve injorantë e të dëshpëruar, që ndjehen se ju kanë marrë gjithshka dhe nuk kanë se ç’humbasin, ndaj le të ndëshkojmë ata , që na tallin.
Eshtë një sulm burracakësh ndaj të pambrojturve, por rrënjët e tij jnë më thellë se karikaturat dhe islami. Ka të tjerë burracakë, që lehtësuan sulmin ndaj “Sharlit”. Dhe këta janë pjesë e Shërbimeve Sekrete, që veprojnë pas interesave të grupeve të fuqishëm ekonomikë dhe shtetërorë.
Kjo spjegon edhe një lloj histerie anti-islam në gjithë mediat gjatë këtyre ditëve e që do shoqërohet me ndryshime ligjore, që kërkohen nga partitë konservtore në këto vende.


Thursday, 8 January 2015

Sharli Hebdo dhe prapaskenat e mundshme të një atentati të paralajmëruar

12 gazetarë, karikaturistë dhe njerëz të tjerë të pafajshëm u vranë dje në një operacion, që dukej I kryer nga ushtarakë-terroristë. Shumica e mediave e quajnë si një sulm ndaj fjalës së lirë duke vënë përballë njëri tjetrit parimet e shoqërisë të qytetëruar dhe të shoqërive të prapambetura apo në këtë rast të asaj islamike.
Ka diçka, që nuk shkon në urrejtjen e nxitur nga Al-Kaeda dhe xhihadistët e tjerë dhe në realizimin e këtij atentati barbar.
Ishte i paralajmëruar.
3 vjet më parë, redaksia e gazetës(në një ndërtesë tjetër) ishte hedhur në erë nga një bombë, por fatmirësisht nuk kishte patur të vrarë. Kryeredaktori i saj ishte vendosur në 10 më të kërkuarit “gjallë a vdekur” nga Al Kaida dhe një trupë policore kishte rreth dy vjet, që ruante ndërtesën ku ishte redaksia e gazetës, por dis muaj më parë, kjo trupë ishte hequr nga shërbimi edhe pse rreziku I tentative me burim frymëzimi xhihadist, ishte shtuar vitin e kaluar në Francë.
Si është e mundur, që një skudro e tillë, të planifikojë dhe të ekzekutojë pa panik një plan kaq të saktë në zemër të Parisit?
Të kujton diçka nga përzjerja e Shërbimeve Sekrete në Itali në atentatet e ekstremit të djathtë në vitet ’70. Ndoshta jam tërësisht i gabuar, por diçka, që nuk mban erë të mirë ka në këtë tragjedi në kohën e krizës europiane dhe të fuqizimeve të lëvizjeve të ekstremit të djathtë.
Nuk dua të hyj në sërën e besimtarëve të teorive komplotiste, por sulmi ndaj një të përjavshme të majtë, pa ndonjë peshë në jetën e shtypit francez apo europian, duket në mos i organizuar nga qarqe të fuqishme në Francë, i lehtësuar me mbyllje të njërit sy për të patur të tjera përfitime politike më vonë.
Si gjithmonë viktimat jnë më të pafajshmit.

Paqe mbi shpirtrat e njerëzve të ndershëm e që besojnë në e mira!