Monday, 12 January 2015

4 klerikë në Paris ose Marshon Shqipëria Tolerante



Marshimi i 4 klerikëve tanë në Paris, entusiazmoi jo vetëm Ramën, që kishte ideuar dhe paguar marshimin e tyre(me paratë e taksapaguesve), por edhe mediat shqiptare, si ato profesionale dhe më shumë akoma socialet. Shqiptarët u ndjenë krenarë, që “Shqipëria ishte vënë në piedestal”(sipas Ramës) apo , që “i kishte dhënë leksion gjithë botës” (sipas një ministri dhe disa gazetave).
Nuk dua të ndalem në anën emocionale, që na krijon shfaqja e flamurit tonë ose njerzve tanë të shquar në televizionet e huaja. Eshtë një sjellje foshnjarake e gjithë popujve të vegjël, të varfër edhe të prapambetur. Për një çast mendojmë se jemi jo vetëm të barabartë me të tjerët, por edhe të rëndësishëm sa mund të japim leksione!
Ecja për krahu e katër klerikëve tanë, më krijoi një tjetërlloj ngazëllimi, për të cilin të them të drejtën nuk jam shumë krenar. Mbase e gjithë fëmijëria dhe rinia me përbuzje ndaj rasove dhe dollomave akoma reflekton në reagimin tim ndaj tyre. Mbase edhe nga mungesa e plotë e respektit për një pjesë të klerikëve, që kam njohurpas ‘90. 4 udhëheqësit tanë fetarë mu dukën si katër të dehur, të zënë për krahu, që nuk dinin se pse tamam tamam ishin aty. E megjithatë e theksova, që nuk jam krenar për atë ç’ka ndjeva.
Megjithatë, më ra në sy se edhe ata, që thërrisnin parrullën “Marshon Shqipëria Tolerante” qofshin politikanë, gazetarë apo njerëz të zakonshëm, nuk përmendnin në asnjë vend emrat e tyre. Duket se atje kishim 4 manekinë me rroba fetare, të cilët nuk anë as emra, as personalitet dhe as ndonjë veprimtari të shquar për Shqipërinë apo për komunitetet e tyre. Ishin vetëm thjesht 4 valltarë popullorë të përqafuar me dashuri nga Udhëheqësi, që i solli në Paris.

Perëndia më ndjeftë!

No comments:

Post a Comment