Tragjedia e djeshme në Paris, nxjerr në pah një problem të
madh, që ekziston në botën e sotme. Raportet e njeriut të shtypur me Mediat
zyrtare ose të themi me ato më të fuqishmet.
E përjavshmja “Sharli Hebdo” nuk hynte në kategorinë e
organeve të fuqishme të medias, gjë që mund të ketë ndikuar në “vendimin” për
ta lënë pa mbrojtje 3 muajt e fundit, por ky nuk është objekt i këtij shkrimi.
Eshtë perceptimi, që kanë popujt e prapambetur dhe të
vuajtur, për vendet e fuqishme dhe të zhvilluara, si edhe median, që e quajnë
pjesë të tyre.
Të mësuar me vendet e tyre dhe regjimet e tyre autokrtike,
njerëzit e thjeshtë, që jetojnë në këto vende nuk arrijnë të kuptojnë se gazetat
e revistat e një vendi të madh e të zhvilluar nuk kanë të bëjnë aspak me
qeverinë e batyre vendeve. Revista satirike të tipit “Sharli Hebdo” janë një
gjemb për vetë qeveritarët, të cilët jo se janë mësuar të qeshin me karikaturat
e mprehta ndaj tyre, por janë të detyruar të reagojnë në heshtje, sepse ky është
rregulli i pranuar në ato shoqëri. Për shembull në vendet me shtet “hibrid” dhe
shoqëri të prapambetura si vendet e Ballkanit, revista të tilla nuk do
ekzistonin ose do ishin objet persekutimi nga forcat qeveritare por edhe
individët, që prekeshin. Gazetarët dhe karrikaturistët do ishin viktima, jo të
vrasjeve, por të goditjeve , fyerjeve apo edhe proceseve penale.
Le të kthehemi në vendet islamike si dhe në mbështetësit e
tyre, që jetojnë brenda shoqërive Perëndimore.
Nuk është e vështirë të njehsosh satirën dhe humorin me talljen. Sa më të
thjeshtë dhe sa më pak të lexuar të jenë njerzit, aq më pak e kanë të zhvilluar
ndienjën e humorit dhe sidomos autoironinë. Në shoqëritë e prapambetura
ndjienja e të bërit qesharak në sytë e komunitetit dhe aq më shumë të gjithë
qytetit apo vendit është një ndienjë shumë e fortë, që jo rrallë shpie në
tragjedi. Ende sot ka burra, që vrasin gratë se i lenë ose i kanë tradhëtuar,
ka baballarë, që rrahin ose dhe vrasin vajzat se kanë të dashur një të një feje
tjetër e të tjera raste si këto. Përballja me komunitetin e tyre injorant dhe
turpi se janë kthyer në objekt bisede apo talljeje shpie në veprime nga më
absurdet. Arabët, që jetojë në Francë, Itali apo Angli edhe po të jenë të lindur atje, nuk kanë se si t’i shpëtojnë
kësaj ndienje të fortç dhe shpesh herë vetshkatërruese. Një pjesë e mirë e tyre
ju përkasin getove, ku punësimi dhe shkollimi janë të cunguar dhe ku prej 11 Shtatorit
është shtuar survejimi dhe frika. Për më tepër ata kanë 14 vjet , që përballen
me aksione absurde ushtarake në Afganistan dhe Irak, që kanë sjellë shkatërrimin
e plotë të këtyre vendeve dhe humbjen e sa e sa jetëve.
Por ka edhe një rol negativ të Mediave të mëdha, të cilin nu
ka se si mos e venë re arabët dhe gjithë islamikët e tjerë që jetojnë në Europën
Perëndimore. Ka një heshtje totale prej disa vjetësh nga këto media për Irakun
dhe Afganistanin. Vërtet njerzit mund të informohen nga burime të tjera, por
tashmë për stacionet e mëdha televizive apo gazetat kryesore, ata që vriten çdo
ditë në Irak dhe Afganistan nuk përbëjnë më lajm. Kjo nuk jus hpëton atyre , që
vijnë nga këto vende apo janë të interesuar për to.
Po kush përfiton nga e gjithë kjo?
Sigurisht ekstremistët.
Në botën islamike ka plot fanatië, të cilët kanë një
urrejtje të thellë për Perëndimin dhe janë në gjendje, që nga gabimet e rënda të
Perëndimit të rekrutojnë dita ditës viktima. Këto viktima të rekrutuara mes të
rinjve, që ndjehen të fyer, të poshtëruar, të persekutuar mund të nisen lehtësisht
të luftojnë e vriten në Siri për diçka, që as ata vetë nuk e dinë se ç’është,
mund të hedhin veten në erë me plot të pafajshëm të tjerë rrotull, ose mund të
veprojnë si vëllezrit Kuashi, e të shkojnë e vrasin gazetarë të pafajshëm.
Unë nuk mendoj, që
sulmi ndaj Sharlit është sulmi ndaj Medias apo ndaj fjalës së lirë.
Po të ishte i tillë, do kishin zgjedhur një institucion më të
dëgjuar dhe më të rëndësishëm, nga ata të lidhur me njëmijë fije me korporatat
dhe qeveritë.
Sulmi ndaj Sharlit është sulm i njerëzve injorantë e të dëshpëruar,
që ndjehen se ju kanë marrë gjithshka dhe nuk kanë se ç’humbasin, ndaj le të ndëshkojmë
ata , që na tallin.
Eshtë një sulm burracakësh ndaj të pambrojturve, por rrënjët
e tij jnë më thellë se karikaturat dhe islami. Ka të tjerë burracakë, që lehtësuan
sulmin ndaj “Sharlit”. Dhe këta janë pjesë e Shërbimeve Sekrete, që veprojnë
pas interesave të grupeve të fuqishëm ekonomikë dhe shtetërorë.
Kjo spjegon edhe një lloj histerie anti-islam në gjithë
mediat gjatë këtyre ditëve e që do shoqërohet me ndryshime ligjore, që kërkohen
nga partitë konservtore në këto vende.
No comments:
Post a Comment