Friday, 11 October 2013

Cmimi Nobel për letërsinë

Sivjet u fitua nga një shkrimtare e vendit ku jetoj, nga e cila jo vetëm nuk kam lexuar asnjë rrjesht, por as e kam dëgjuar si emër. Sigurisht, kjo nuk ja ul vlerat kanadezes dhe aq më pak çmimit Nobel, që mbetet më i rëndësishmi në letërsi. Nuk di nëse Ismaili kishte shpresa në këtë "vit ters 13", të merte të shumëpriturin çmim, por në Shqipëri dhe në rrethet shqiptare dukej se pritej me ankth. Diku kam shkruar, që Kadaresë nuk ka për t'ju dhënë Nobeli, sepse nuk përmbush kriteret, e lëna nga i ndjeri Alfred. E megjithatë, edhe unë nuk mund të them që jam 100% i sigurt. Këtu dua të shkruaj se ç'mund të ndryshojë në jetën apo në imazhin e shqiptarëve çmimi Nobel në letërsi, po qe se një ditë jo të largët do i jepet Kadaresë. ASGJE! Veç kënaqësisë që do na sjellë, si shqiptarë, që kemi mes nesh edhe një shkrimtar të konsakruar mes më të mëdhenjve, asgjë tjetër nuk do ndryshojë në jetën, por edhe në paraqitjen tonë në botë. Mbase, për dy tre muaj, politikanët mund ta përdorin në bisedat me të huajt dhe kaq. Të gjithë do vazhdojnë të shohin Shqipërinë edhe shqipëtarët, sikundër i kanë parë deri më sot. Psikologjikisht, mendoj se ne shqiptarëve na vlen më shumë mosdhënia e çmimit sesa dhënia e tij. Dhe jo vetëm se na plotëson atë dëshirën e mbrapshtë për të parë mossuksesin tek anëtari i të njëjtës bashkësi, por kryesisht, se mund ta përdorim ditë e natë si shenjë të padrejtësive e komploteve, që na janë bërë në jetë të jetëve. Europa "kurvë", fqinjët shovinistë dhe tani edhe vikingët e kryqëzuar me serbë!

Thursday, 10 October 2013

U largua edhe një Rilindas.

Mëngjesi i sotëm u hap me një lajm të hidhur. U nda nga jeta historiani prof. Koli Xoxi, babai i shokut tim Robin. Hapa shpejt në internet disa gazeta shqiptare, kureshtar se ç'shkruanin për Kolin, por nuk gjeta gjë. Mbase ndonjë ish-student apo koleg i tij do shkruajë këto ditë, se nuk pres të ketë shkrime të njerëzve të llojit të profesorit. Ata njerëz janë të pakët ose janë në zhdukje e sipër në Atdhe. E quajta Koli Xoxin Rilindas,(edhe pse sot abuzohet me këtë term) për filozofinë dhe karakterin e tij. Ishte intelektuali i mençur dhe me zemër të madhe, që nuk "honepste" padrejtësitë dhe gënjeshtrat. Këto cilësi i kishin sjellë jo pak probleme në jetë, deri sa përfundoi karrierën e tij të mësimdhënies jo në katedrën e Historisë, ku kishte qënë për dekada, por në shkollën 8-vjeçare të Divjakës. Kishte qënë pjesë e antarëve të partisë së organizatës Universitetit, të goditur në fund të viteve '60 nga Nexhmije Hoxha e "kompania bella". Vite më vonë, e patën rikthyer pranë Akademisë së Shkencave, duke ja njohur cilësitë e tij prej studiuesi të zotë e shumë prodhimtar. Edhe pse kam biseduar rrallë me të, më kanë rënë në sy jo vetëm kultura dhe ndershmëria intelektuale, por dhe një lloj stoicizmi. Ishte i zoti, i ndershëm dhe i papërkulshëm Koli! U largua kur kishte mbushur 90 vjet e kishte bërë shumë për familjen, miqtë dhe Shqipërinë. Prehu tani profesor!

Wednesday, 9 October 2013

Shprese e rreme

Një fjali e një personaliteti ka fuqinë të ngjallë shpresat më të mëdha si dhe t'i përmbysë ato. Kjo e fundit, më ndodhi pasi lexova një fjali të Nolit, shkruar 98 vjet më parë. Ishte pjesë e një shkrimi lavdërues per ate që 7-8 vjet më vonë, do bëhej armiku numur një i Hirësisë, Mbretin e ardhshëm të shqiptarëve. Zhgënjimi nuk ka të bëjë me karakterin e Nolit, i cili nuk kishte se si të dinte më 1915, se ç'cilësi do shfaqte më vonë Ahmet Zogolli. Ka të bëjë me një përcaktim të shpejtuar të Uratës, që hodhi në erë ëndrrat e mia e ndoshta e shumë të tjerëve. "Ky djalosh i imët e i gjatë me flokë të verdha, nuk ju ngjet malësorëve të egër, por duket më shumë inglis ose skandinav." E kishte bërë këtë qëllimisht Noli nga Amerika, për të ngjallur shpresat e vegjëlisë, apo për t'ju thënë Fuqive të Mëdha që ne kemi aftësi shtetformuese dhe nuk jemi një vend me njerëz të egër, këtë nuk kemi për ta mësuar kurrë. Ajo ç'ka është dëshpëronjëse, është fakti që ne kemi patur në krye një skandinav për gati 20 vjet dhe për më tepër beqar gjithë dydekadshin. Beqar dhe zuzar. Dihen një pjesë e mirë e aventurave të mbretit, si dhe vazhdimisht është folur për pasardhës ilegalë të tij me zonja të nderuara të oborrit mbretnor. (Nuk e kam fjalën në thashethemet e shtypit rreth atësisë së Kristaq Ramës, por për shumë emra të tjerë të përfolur si bij e bija të Zogut në Tiranë e Korçë, 70 -80 vjet më parë.) Pra skandinavët (si alienët) kanë qënë gjithnjë mes nesh dhe përsëri nuk mundëm të përparonim. A është kjo pjesë e një plani të madh eksperimentimi të jashtëtokësorëve për të ardhmen e Njerëzimit? Nuk kam se si ta di. Veç ndjehem thjesht i zhgënjyer. Nga një fjali e shkruar pa u peshuar mirë nga më i mençuri i shqiptarëve të qindvjeçarit, që shkoi.

Tuesday, 8 October 2013

Nga Hil Mosi ne Ardit Konomi

Nga Hil Mosi në Ardit Konomi Intelektuali patriot Hil Mosi ka qënë në prefektët e parë të Korçës. Bile edhe pa u krijuar shteti shqiptar. Ndër meritat që i atribuoen, është krijimi i të parës shoqëri kulturore-sportive "Vëllazëria" më 1909, që ishte e para në Shqipëri si dhe organizoi shumë veprimtari kulturore e sportive, në një qoshe të prapambetur të Perandorisë Otomane. Hil Mosi ishte shkodran, por la gjurmë në qytetin tonë. Deri në fund të vitit 1944 edhe shumë prefektë të tjerë kanë kaluar në qytet. Edhe pse unë nuk kujtoj ndonjë syresh, duhet të ketë patur mes tyre edhe njerëz të tjerë të shkolluar e të përkushtuar. Fotot e të gjithë prefektëve janë sëritur në hollin e Prefekturës(ish-Komiteti i Partisë). Pas vitit '90, institucioni i Prefektit u rivendos në sistemin administrativ shqiptar dhe emra të tjerë të emëruarish nga Pushteti Qendror u bënë prefektë. Më kujtohet njëri prej tyre, një bashkëqytetar i Hil Mosit, i cili si gjurmë la disa anekdota erotike dhe një lloj arratie në marsin e 1997. Quhej Pjerin Kiri. Prefekti që largohet është një farë Andrea Mano, i pazoti dhe i korruptuar, ndërsa prefekti i ri quhet Ardit Konomi. Nuk do i kisha shkruar këto rrjeshta, po qe se emri i prefektit të ri nuk do më kishte ngjallur ndonjë kujtim. Pikërisht dy vjet më parë hasa në këtë emër, në një diskutim në Fejsbuk, rreth mundësisë të kandidimit për Presidente të Shqipërisë, të një bashkënxënëses sime të quajtur Shpresa Prifti(Kureta). Ishte një nismë e nisur pa ndonjë shpresë, por për të provuar se sa gati ishte shoqëria shqiptare të mirëpriste lëvizje të tilla politiko-shoqërore në internet. Në janar të atij viti, pranvera arabe kishte nisur e ishte "galvanizuar" pikërisht në Internet. Në grupin e njerëzve në FB, që mernin pjesë në atë diskutim, pati tre (të antarësuar pa dijeninë e tyre prej miqve të tyre), të cilët shprehnin hapur pakënaqësinë, për marjen e postimeve që bëheshin. Pasi dy të parat(dy mësuese) ishin sqaruar se nuk ishte nevoja të protestonin duke thirrur, se ishte fare e lehtë të largoheshin nga grupi dhe nuk mernin më postime, u shfaq me shumë zhurrmë emri i Prefektit të sotëm. Me sa më kujtohet, ju drejtova që sa të deklaronte me të madhe para 300 vetëve "se sa gomar ishte", ishte më e lehtë me një klik të largohej nga grupi ku e kishte anëtarësuar një shoku i tij. Pas postimit tim , filloi një lumë fyerjesh dhe histerizmi ndaj u interesova më tej se kush ishte ky njeri. Mësova që ishte një jurist nga Korça ,djali i dy të njohurve të mij. Diskutimi nuk u mbyll menjëherë deri sa pas kërcënimesh se do më hidhte në gjyq ose se do nisej për në Toronto "për të më bërë namin", mendova se ishte e kotë të meresha me të. Bëhej fjalë për një produkt të politikës e medias shqiptare, që fliste me gjuhën e Ramës e të politikanëve të tjerë bastardë shqiptarë, e mbi të gjitha nuk kishte as idenë e sistemit juridik dhe aq më pak të etikës së sjelljes në publik. Sot, kur mësova që është prefekti i ri i Korçës, më erdhi edhe njëherë më tepër keq për qytetin tim. Kuptova edhe motivet e histerizmit të Konomit dhe rrahjes të gjoksit, "që në Shqipëri ka djem e vajza, që mund ta bëjnë ndryshime e nuk ka nevojë të na jepni mend ju nga jashtë". A mund të ketë gjetur Ardit Konomi, mendtë që nuk i kishte në tetor 2011? Në Shqipëri gjithshka është e mundur. Ndoshta pushteti të bën edhe me mend. Nuk ishte kështu një shekull më parë, kur Hil Mosin e vinin Prefekt, pikërisht se i kishte.

NE EMIGRANTET (n+1)

NE EMIGRANTET Më kujtohet dikush në Atdhe, "Ju emigrantët u bëtë njerëz!" Unë nuk i kundërshtova, jo pse më erdhi mirë, por se më dukej si e kotë t'i përgjigjesha, që jemi i njëjti brumë dhe cilësia e "furrës" nuk mund të sjellë ndryshime kaq të mëdha, sa nga "bagëti" të na kthejë në njerëz. Sigurisht që ndonjë gjë të re e kemi mësuar dhe ndonjë tarbiet të mirë e kemi marë, por mbetemi ata që kemi qënë, sidomos ata që kanë emigruar pasi kanë mbushur të tridhjetat. Në mjediset kolektive të emigrantëve shqiptarë gjen të njëjtën aromë "rakie", parfumesh të lira dhe bisedash "gozhdë-potkonjëse", si në kafenetë e qyteteve të Atdheut. Mbi të gjitha, veç krenarisë dhe patriotizmit, ne emigrantët rrezatojmë kompetencë. Dhe jemi në gjendje jo vetëm që fenomenet shqiptare t'i aplikojmë në dimensione superfuqish, por edhe të bëjmë analiza makro-shoqërore dhe gjeopolitike të kontinenteve ku jetojmë si dhe më gjerë. (Në postimet e këtij blogu ata që e ndjekin mund të gjejnë plot analiza të këtij karakteri të bëra nga emigranti Naum.) Psh një shofer labo-amerikan i linjës "Greyhound", një ditë më zbërtheu me detaje se si luftën në Irak e kishte nisur Bushi, Dik Ceni dhe Ramsfeld për të përfituar 600 miliard dollarë, të cilat i ndanë më tresh. (Mua nuk më bëri përshtypje se si mund të kishte një informacion kaq të brendshëm shoferi lab, por zemërgjerësia e Bushit që edhe pse president kishte marë pjesë të barabartë me dy vartësit e tij.) Dy vjet më parë, pasi kisha rreth 14 vjet që jetoja në Kanada, nga një grup korçarësh në Toronto mësova se ky vend sundohet nga çifutët. Kjo më tmerroi, se 80 vjet më parë, gjyshi në Stamboll kishte falimentuar, i mashtruar nga ortaku i tij çifut. Mendova që ky paska qënë fataliteti i Marave. Të mos ngrenë dot kokë ekonomikisht për shkak të zionistëve! Për të mësuar më shumë se ç'kishin në dorë çifutët dhe se si mund t'ju shmangesha i pyeta bashkëqytetarët, se në ç'fusha të jetës shtrihej ndikimi i çifutëve. "Në të tëra" më thanë. "Nuk i njeh çifutët ti?" Unë ca i njihja, se dentistin, doktorin dhe një bos i kisha pasur çifutë, por si duket ata më kishin mashtruar se nuk më ishin dukur shumë të këqinj. Por edhe këtë shqetësim ma fashiti një bisedë e mëvonshme me një korçaro-amerikan, i cili kishte mësuar për një zbulim të fundit, që banorët e fshatit Treskë të Korçës janë çifutë të ardhur nga Selaniku. Meqënëse mëma ime i ka të dy prindrit nga ky fshat dhe të qënit çifut varet nga mëmësia, unë mund të përfitoj statusin "jahudi" dhe t'i jap fund halleve. Thjesht do më duhet një rrethprerje. Se dy tre fjalë bazë i kam mësuar. Kishte të drejtë bashkëatdhetari që më tha dikur që Emigrimi të bën Njeri!

Friday, 4 October 2013

Josariani mbi spitalin dhe vdekjen.(Pjese e kap 17)

Josariani ja mbathi drejt e në spital, këtë rradhë i vendosur të rrinte më mirë tërë jetën aty se të bënte qoftë dhe një fluturim më shumë se ato tridhjetedy, që kishte plotësuar. Dhjetë ditë më vonë, kur ndroi mendje dhe doli, koloneli e kishte rritur numurin e fluturimeve në dyzetepesë, kështu që Josariani ja mbathi prapë për në spital, këtë rradhë i vendosur të mos bënte asnjë fluturim më shumë se ato gjashtë, që kishte bërë pas tridhjetedyve. Mund të shtrohej sa herë të donte për shkak të mëlçisë ose të syve; doktorët nuk ja gjenin dot se ç'kishte mëlçia dhe nuk e shihnin drejt në sy, kur ju theshte që i dhembte. Po qe se në pavionin e tij nuk kishte ndonjë të sëmurë rëndë, ai ishte birinxhi në spital. E kishte sistemin mendor të aftë për të përballur malarien dhe gripin tek tjetri pa i bërë syri tërr. Mund të kalonte operimin e bajameve të tjetrit pa pasur stresin e pasoperacionit, si dhe mund të kapërcente dhjamët e suadhet e të tjerëve me pak të përzjerë të rropullive. Por vetëm kaq mund të përballonte pa u sëmurur. Po të kishin probleme më të mëdha duhej të ikte nga sytë këmbët. Në spital mund të rrinte e të qetësohej se askush nuk priste ndonjë gjë prej tij. Ajo që pritej ishte të vdiste ose të bëhej më mirë dhe përderisa ai s'kishte gjë prej gjëje më e lehtë ishte të bëhej më mirë se sa të vdiste. Të rrije në spital ishte më mirë se të fluturoje mbi Bolonjë, ose mbi Avinjon me Haplin dhe Dobsin në kabinën e komandimit dhe Soudenin, që jepte shpirt në fund të avionit. Zakonisht në spital nuk kishte më shumë të sëmurë se sa Josariani kishte parë jashtë dhe shumë pak syresh ishin vërtet të sëmurë rëndë. Vdekshmëria brenda spitalit ishte shumë më e ulët se sa jashtë dhe për më tepër ishte një vdekshmëri cilësore. Shumë pak vdisnin pa qënë nevoja. Njerëzit që punonin aty dinin më shumë se si vdiset, kështu që për të bënin një punë të pastër. Vërtet Vdekjen nuk e vinin dot në zap edhe në spital, po e detyronin të sillej më mirë. I mësonin tarbiete më të mira. Jashtë spitalit nuk e linin dot, ama kur të hynte brenda duhej të sillej si zonjë. Njerëzit aty jepnin shpirt me delikatesë dhe plot nur. Nuk ngjiste aspak me atë shfaqjen e shëmtuar të të vdekurit jashtë spitalit. Askush nuk bëhej copë në ajër si Krafti apo si i vdekuri në çadrën e Josarianit dhe as nuk vdiste nga të ftohtit në mes të beharit, si Snoudeni pasi i kishte rrëfyer sekretin Josarianit në fund të avionit. - Kam ftohtë- dridhej Snoudeni-kam ftohtë. - Ja aty, aty- mundohej t'i jepte zemër Josariani- ja aty, aty. Brenda spitalit as nuk zhduken në mes të një reje si u zhduk Klevingeri. Nuk shpërthejnë si fishekzjarrë gjaku dhe indesh. Nuk mbyten në ujë apo goditen nga rrufeja, nuk japin shpirt të grirë nga makineritë apo të fundosur nga rrëshqitjet e tokës. Nuk pushkatohen në rradhë, nuk i mbytin pas përdhunimit, nuk ju çajnë barkun me thikë në bilardo apo t'i lakarosin me sëpatë njerëzit e shtëpisë. Qoftë edhe çdo lloj tjetër akti i mbylljes së jetës me bekimin e Perëndisë. Askujt nuk ja marrin shpirtin me ibret. Njerëzit vdesin si xhentëlmenë nga hemoragjia brenda sallës së operimit ose s'marrin më frymë pa bërë as çak me tubot e oksigjenit në hundë. S'ka në spital nga ato marifetet që ndodhin përditë jashtë "po unë sa e pashë- si vdiq" apo "tani jam e për një çast jam i ikur". Nuk ka vdekje nga uria apo përmbytjet. Fëmijët nuk vdesin nga të lidhurit shtrënguar në djep apo nga rrotat e makinave. Askënd nuk e vdesin në dru.

Thursday, 3 October 2013

Raqi vs Raqi

Raqi vs Raqi Nuk munda të rrija pa shkruar për këtë garë mes dy të njohurve të mij, për tu bërë qytetari i parë i qytetit tim. (Titulli më kujton një mesele të 30 viteve më parë, kur një baba që trembej se i biri mund të kthehej sarahosh, i tregonte të shoqes i shqetësuar "Eshtë Raqi me Raqin në kafene. Por kjo nuk ka lidhje me dy kandidatët tanë, të cilët i qëndrojnë larg alkolit.) Duhet të them që në fillim, që të dy kandidatët vijnë nga familje shumë të mira korçare, kanë qënë studentë shumë të mirë dhe kanë qënë prej fillimit antikomunistë. Kandidati Stratobërdha u përfshi shpejt në politikë dhe ishte deputet, që në legjislaturat e para ndërsa kandidati Filo, 10 vjet më i vogël ishte simpatizant i PD-së deri në fillimin e këtij shekulli, kur filloi të merte vende pune të rëndësishme nga PS-ja. Po pa hyrë në detajet e jetës dhe veprimtarive politike e profesionale të kandidatëve duhet shkruar se si duhet të jetë një Kryetar Bashkie i një qyteti të vogël të Ballkanit. Vizionar, administrator i mirë apo një njeri politik i lidhur me pushtetin qendror? Ndoshta është shumë e vështirë të gjendet një njeri që t'i ketë të trija këto cilësi ndaj mendoj që për këto dy vjet të mbetura nga kjo legjislaturë, Korçës i duhet një administrator i mirë, për të balancuar buxhetin dhe për të mos hyrë më thellë në borxhe. Edhe pse e kam quajtur disa herë "ligavec gollash" them që kandidati Filo i përmbush më mirë këto kushte. Jo se kandidati Stratobërdha ka më pak aftësi administrative, por nisur nga përvoja e 6 viteve të Filos dhe sidomos nga kundërvënia që mund t'i bëjë zv.kryeministri Stratobërdhës, them se për qytetin edhe në një periudhë afatshkurtër, por edhe afatmesme, më mirë është të ketë një kryetar bashkie të PS-së. Sa për cilësitë morale të Stratobërdhës, them se ato janë superiore po të krahasohen me kandidatin tjetër, i cili mbetet një burokrat i dyshimtë në hije, pra një "ligavec gollash" i vërtetë. Por edhe pastërtia e Stratobërdhës nuk mund të bëjë të ndryshojnë gjërat rrënjësisht, sepse edhe ai mbetet përfaqësues i një Partie tejet të korruptuar. (Në Qytetin e Nofkave, ku kanë jetuar të ndjerët Raqi Groshka, Raqi Gripi, Raqi Domuzi e shume të tjerë, kryetar këtë rradhe do zgjidhet Raqi Ligaveci Gollash.)